Histori

Spassky vs. Fischer, sfida që e zhvendosi Luftën e Ftohtë në një kuti shahu

Mediat e raportuan me magjepsje hedhjen e dorashkës që amerikani Bobby Fischer i bëri rusit Boris Spassky për titullin kampion bote në shah në vitin 1972. Ato e transferuan Luftën e Ftohtë në një kuti të vogël me kuadrate bardhezi në Islandë. Tani e gjithë ajo atmosferë, së bashku me dy protagonistët e saj, vjen e rindërtuar në teatër.

Ishin vitet para internetit, para celularëve, para zhvillimit të botës online, para stacioneve televizive që transmetojnë 24 orë dhe për më tepër, ndeshja luhej në një vend dhe moment të papërshtatshëm për mediat. Televizionet satelitore amerikane ishin me pagesë dhe ndonjëherë përgjatë dy muajve raportimi nga Reykjaviku bëhej me telefon.

Askush nuk e kishte marrë ndonjëherë sëriozisht që të vendoste shahun në kohën “prime time”…deri kur u zbulua uniku dhe i paqëndrueshmi, Bobby Fischer. Fischer u lind në vitin 1943 në Nju Jork. Që në vitet e para tregoi që shahu për të nuk ishte vetëm një lojë, por edhe mjet për të arritur atje ku dëshironte. Në moshën 14-vjeçare fitoi titullin kampion në SHBA, duke u bërë lojtari më i ri i të gjitha kohërave dhe duke ngjallur shpresat e amerikanëve për të fituar një titull botëror në këtë sport, i cili që prej Luftës së Dytë Botërore dominohej nga rusët.

Ronan Raftery (majtas) luan Boris Spassky dhe Robert Emms (djathtas) portretizon Bobby Fischer. Gazeta Si, 8 dhjetor 2019

Drama “Gllabëruesit: Spassky vs Fischer” është një përpjekje për të rrëmuar në psikologjinë e dy personave të famshëm të botës së shahut. Spassky, i cili tani është 82 vjeç, shihej si më i qëndrueshmi prej të dyve, ndërsa Fischer vdiq në vitin 2008 pas vitesh sjelljeje të çuditshme dhe deklaratash ekstreme, përfshirë këtu edhe deklaratën lëvduese mbi sulmet e 11 shtatorit 2001.

Bobby Fischer portretizohet nga Robert Emms, i bërë i famshëm si aktor në serialet Atlantis dhe Chernobyl. Megjithatë, karakteri i Fischer është sfidë edhe për të.

“Bobby është plot kontradikta. Ai ishte hebre, por mund të ishte edhe antisemit. Ishte amerikan, por në dukje asnjëherë një patriot i vërtetë. Ishte padyshim i paqëndrueshëm dhe për këtë, mendoj unë, duhet kërkuar tek familja ku u rrit, përfshirë edhe marrëdhënia e tensionuar me të ëmën. E gjitha kjo e dobësoi. Ai ishte njëkohësisht brilant, por edhe me një aftësi po aq brilante për t’u vetëshkatërruar. Këtë e tregoi kryesisht pas periudhës së ndeshjeves kundër Spassky-t, periudhë në të cilën u fut në një spirale pa kontroll. Në këtë periudhë luhet tragjedia e vërtetë! Bobby nuk ka qenë asnjëherë i lumtur dhe unë personalisht nuk jam i bindur nëse ai ka patur ndonjëherë miq.

Aktori irlandez, Ronan Raftery luan Spassky-n.

“Ai prezantohet se një karakter shumë herë më i qetë dhe më i ftohtë e i përqëndruar tek loja. Por, tani e dimë që Bobby Fischer e nxorri nga llogoret e sjelljes së matur. Boris e urrente faktin që loja që ai dashuronte aq shumë, në një mënyrë, apo në një tjetër kishte marrë përmasat politike të përplasjes së dy superfuqive. Si kampion në fuqi, atij nuk i interesonte politika. E gjitha çfarë dëshironte ishte të luante dhe të fitonte”, deklaron Raftery.

Emms mendon se në 1972, edhe Bobby Fischer ishte apolitik. “Është interesante se asnjëri prej tyre nuk ndjente një lidhje të fortë me vendlindjen. Ata dashuronin vetëm shahun”, thotë aktori.

E gjitha kjo ngre pyetjen se si mund të realizosh një vepër me një lojë shahu në një teatër? Dy njerëz që qëndrojnë të heshtur ulur mbi një tavolinë të vogël dhe me fytyrën të mbështetur nëpër tek pëllëmbët e duarve nuk premton shumë dramacitet.

Regjisorja Annabelle Commyn. Gazeta Si, 8 dhjetor 2019

Për këtë ka menduar regjisorja Annabelle Comyn. Ajo thotë se fillimisht ishte në dilemë nëse duheshin përfshirë skenat e lëvizjeve historike të shahut mes dy lojtarëve në 1972, ndërsa më vonë me ndihmën e Tom Morton-Smith u vendos që të përfshiheshin.

“Tom riprodhon me tekste të thjeshtuara. Fansat e shahut mund të përpunojnë e studiojnë lëvizjet e Fischer dhe Spasky-t, ndërsa shpjegimi që i japim ne shkon përtej lojës në vetvete. Loja po përdoret si nga sovjetikët, ashtu edhe nga amerikanët për të treguar se kush është më superior”, shpjegon Comyn.

Vetë Fischer dhe Spassky e kuptuan se ata po luanin një lojë brenda një loje më të madhe, që ata nuk mund ta kontrollonin, por ishin thjeshtë ushtarë. Kjo i tërbonte që të dy.

“Shpjegimin e lëvizjeve e nisim me termat e shahut, por më pas shtjellohet përmes paranojës, politikës dhe kontrollit në dialogjet mes dy protagonistëve, ku del thelbi i të gjithë shfaqjes. Pra, loja e shahut në vetvete nuk është thelbi. Ajo është pjesë e panoramës për të treguar se çfarë ndodh pas saj”, shton më tej regjisorja.

Drama nxjerr në pah edhe marrëdhënien e Bobby Fischer me mamanë e tij, marrëdhënie që sipas autorëve tregon qartë karakterin e shahistit amerikan.

“Ndoshta bëhet fjalë për një raport kontrollues nga ana e mamasë së tij. Ky raport prodhonte “agresivitet” e pasiguri. Kjo marrëdhënie shpjegon mungesën e besimit që Bobby kishte tek njerëzit përreth tij. Ai ishte i fiksuar se çdo gjë që kishte arritur ishte meritë ekskluzive e tij dhe u trembej sovjetikëve. E dinte potencialin e tyre në këtë lojë dhe trembej se nëse do të humbte këtë lojë, mund të humbte gjithçka çfarë kishte arritur”, shpjegon Annabelle Comyn.

Si sfidues, Fischer nuk ishe në lartësinë e duhur në lojërat e para, por më vonë tregoi gjenialitetin e tij duke e mposhtur kampionin rus në fuqi. Por, ajo që la gjurmë në këtë finale ishin edhe ankesat e çuditshme të amerikanit. Në një rast u ankua se kamerat e televizioneve po bënin shumë zhurmë (megjithëse askush tjetër veç tij nuk e dëgjonte zhurmën) dhe e braktisi ndeshjen.

“Gllabëruesit: Spassky vs Fischer” rreket që të risjellë edhe rrugën dhe zhvillimin e marrëdhënies mes dy shahistëve përgjatë ndeshjeve. “Do të ishte gabim nëse do të thonim se ata u bënë miq të mirë. Kjo jo vetëm që nuk ndodhi, por as nuk ishte në karakterin e Bobby-t. Por, kontaktet e vazhdueshme për dy muaj me radhë njëfarë raporti e ndërtuan”, shpjegon Comyn.

Boris Spassky (majtas) dhe Bobby Fischer (djathtas) në ndeshjen e dytë jozyrtare të zhvilluar në Jugosllavi në vitin 1992. Gazeta Si, 8 dhjetor 2019

Pas kësaj përballjeje Fischer u zhduk për 20 vjet me radhë. Në vitin 1992 shfaqet në Jugosllavinë e atëhershme për të riluajtur ndaj Boris Spassky-t në një ndeshje jozyrtare. Fischer fitoi sërish, duke marrë me vete rreth 5 milionë euro. U zhvendos ca kohë në Hungari dhe më pas në Islandë, ku edhe vdiq e u varros në vitin 2008.

Aktori Emms mendon se fitorja e titullit botëror ishte gjithçka për Fischer.

“Ishte gjithçka që kishte punuar përgjatë të gjithë jetës dhe që besonte vërtet se do t’i sillte vetëkënaqësi dhe vetëplotësim. Këtë e tregon edhe fakti që pas Reykjavikut, për 20 vite me radhë u zhduk, nuk luajti asnjë ndeshje. Mund të thuhet se e gjithë përvoja dhe sfida ndaj Spassky-t e përcaktoi si njeri, por njëkohësisht edhe e shkatërroi. Bobby u plotësua si lojtar shahu me titullin kampion bote, por nuk mendoj se u plotësua asnjëherë si njeri”, deklaron aktori.

“Gllabëruesit: Spassky vs Fischer” luhet në Teatrin Hampstead të Londrës deri më 18 janar.

Burimi BBC


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë