Arsim

Sondazhi / 77% e studentëve mësojnë nëpërmjet telefonit, kostoja e internetit 2 mln euro në muaj

Në një raport të fundit nga Qëndresa Qytetare, ku organizata ka kryer  një sondazh me pyetje tek 9 universitete në vendin tonë, është konstatuar se në mësim onlinë kanë marrë pjesë vetëm 60 përqind e studentëve të pyetur.

Sipas të dhënave të mbledhura nga 610 studentë, 77.5% e studentëve e ndjekin mësimin online nëpërmjet telefonit, 20.5% nëpërmjet laptopit ose kompjuterit dhe vetëm 2% e aksesojnë mësimin nga tabletat e tyre. Sipas organizatës, kjo tregon se pjesa më e madhe e studentëve janë të kufizuar në pjesëmarrje cilësore në mësimin online, për shkak të mundësive të pakta që ofron telefoni celular për të aksesuar dokumenta dhe për të ndërvepruar me detyra kursi.


Ndër gjetjet është evidentuar se studentëve gjatë ndjekjes së mësimit në distancë u është shtuar një kosto permanente mujore si ajo e blerjes së paketave të internetit, e cila përllogaritet të jetë mbi 2 Milionë euro/muaji për 120 000 studentë.


"Bazuar në të dhënat e sondazhit 50.6% e studentëve shpenzojnë 20 euro në muaj për internet, 30.5% e tyre shpenzojnë 10 euro ndërsa 18.9% e studentëve shpenzojnë 30 euro e lart për të blerë internet me qëllim ndjekjen e mësimit online. Nga ana tjetër asnjë nga 9 universitet publike nuk ka bërë reduktim të tarifës së studimit pavarësisht reduktimit të kostove administrative që kanë pasur," shpjegohet më tej në raportin e Qëndresës qytetare.
Gjithashtu, është konstatuar se pjesëmarrja mesatare e studentëve në seminare dhe leksioneve në 9 universitete publike është në masën 60%. Sipas raportit  38.5% e studentëve janë shprehur se nuk janë respektuar oraret gjatë mësimit online.  Të dhënat tregojnë se studentët e universitetit Bujqësor të Tiranës e kanë ndjekur mësimin online në masë më të madhe 79%, ndërsa studentët e universitetit “Aleksandër Moisiu”e kanë ndjekur mësimin online në masën më të vogël me vetëm 39%.


Po shërbimi që marrin studentët nga sekretaritë? Studentët kanë vlerësuar me nortën 5-6  shërbimin e ofruar dhe notën 7-8 gadishmërinë e pedagogëve për të marrë pjesë në mësim.
Në bazë të të dhënave organizata rekomandon që të zhvillohet një fond specifik në buxhetin e vitit 2021 për sigurimin e qasjes në internet dhe mjete digjitale për të gjithë studentët. Gjithashtu, duhet nisur  mësimi i alternuar, leksionet online dhe seminaret në auditore për të minimizuar efektet negative të degëve me praktikë të integruar.
Më tej përcaktohet se duhet rivlersimi i tarifës së studimit duke marrë parasysh reduktimin e kostove administrative për shkak të mos përdorimit të ambienteve universitare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë