Politike

Skandali me fondet e IPARD, Tabaku i kërkon OLAF-it e KE-së raportin e shkeljeve me projektet e bujqësisë: Njolla ndaj AZHBR, njollë ndaj gjithë Shqipërisë

Nga Gazeta 'Si' - Deputetja demokrate Jorida Tabaku i është drejtuar zyrtarisht Ville Itäläs, drejtorit të Përgjithshëm të Zyrës së Kundërmashtrimit për Europën (OLAF) për t'u njohur mbi raportin e auditit mbi shpenzimin e fondeve të Bashkimin Europian si ndihmë të qeverisë shqiptare në sektorin e bujqësisë.  Tabaku për këtë letër ka vënë në dijeni dhe Johannes Hahn, Komisionerin për Buxhetin dhe Administratën dhe Alexis Hupin, zv/Ambasador i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë.

"Njolla ndaj AZHBR nuk është veç njollë për qeverinë apo për këdo që ka qenë në postin drejtues të këtij institucioni. Ajo është një njollë ndaj Shqipërisë, përpjekjes së çdo shqiptari të ndershëm që punon në këto institucioneve. Ajo është një njollë që mbështet padrejtësinë ndaj bujqve dhe fermerëve të këtij vendi që rropaten përditë dhe nuk përfitojnë nga fondet e BE-së që vijnë për to. Mbi të gjitha është një njollë që e mbart si kusur mbi shpinë Shqipëria që sot ka marrë një paralajmërim me pezullim projektesh dhe fondesh duke iu hequr mundësia për disbursimit e fondit prej 148 mln euro dhe sigurisht dhe përfitimit të fondeve në të ardhmen", shkruan Tabaku.

Kryetarja e Komisionit parlamentar të Integrimit thekson se po e ndërmerr këtë nismë për shkak të refuzimit të institucioneve shqiptare për dhënien e informacionit mbi hetimet e nisura mbi abuzimet e mundshme për projektet e ministrisë ës Bujqësisë me grantet e BE-së nëpërmjet IPARD.

"Jam në kontakt me komitetin për buxhetin në parlamentin Europian si dhe me nën-komisionin për kontrollin e financave po në PE. Raporti me gjasë nuk do të jetë publik, do t’i vendoset në dispozicion shtetit shqiptar dhe SPAK i redaktuar duke ruajtur dhe privatësinë e të dhënave (se BE ndryshe nga ne ka ligje që sigurojnë privatësi, ndërkohë që institucionet tona i kanë varur në tel të gjitha të dhënat e shqiptarëve), por unë jam e vendosur që të bëj transparencë për këtë çështje me aq informacion sa do të marr. Një transparencë që ka për synim për të dëshmuar se si këneta e korrupsionit progresiv të kësaj mazhorance operon me çdolloj fondi", thekson Tabaku.

Për deputeten demokrate ky hetim mund të dëmtojë procesin e integrimit të Shqipërisë."Pas mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare në Korrik të vitit të shkuar dhe vijimit të procesit aktual të screening i cili pritet të përfundojë brenda fundit të këtij viti, mund ta dëmtojë nisjen zyrtarisht të procesin shqyrtimit për negocim të kapitujve të parë të Acquis Communitaire.  Nga ana tjetër ne shprehim shqetësim se me këtë zhvillim të radhës, i cili vjen në vijimësi të shkeljeve të mëparshme dhe të një situate ku korrupsioni tashmë ka mbërthyer të gjitha kapilarët institucional si në nivel qendror ashtu edhe atë lokal, shqiptarët dhe vendi jonë rrezikon procesin në vazhdim e sipër të integrimit. Formati i Cluster është i tillë që mund të kthejë pas hapat e konsideruar më herët si të suksesshme ", thuhet në letrën drejtur OLAF.

Sipas saj, ngjarjet e fundit, janë dëshmi e plotë e situatës problematike me korrupsionin dhe njëkohësisht një situatë e papranueshme që dëmton kredibilitetin e institucioneve shqiptare përkundrejt besimit të Bashkimit Europian por dhe vetë taksapaguesve të vendeve Europiane.

Në Korrik Komisioni Europian vendosi të ndërpresë përkohësisht rimbursimet ndaj qeverisë shqiptare për financimet e projekteve në bujqësi të realizuara në kuadër të Programit IPARD II për mbështetjen e bujqësisë dhe zhvillimit rural.

Vendimi është marrë “bazuar në informacionin fillestar të dhënë nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit [OLAF], pas një hetimi mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e programit IPARD II”, bëri të ditur Delegacioni i BE-së në Tiranë, duke saktësuar se kjo është një “masë parandaluese për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Europian”.

IPARD II (2014-2020) ofroi një mbështetje totale prej 71 milionë eurosh nga të cilat 25 përqind janë financuar nga qeveria shqiptare. Mësohet se OLAF ka marrë denoncime të qytetarëve të ndryshëm për korrupsion, favorizime e ndërhyrje politike. Përfaqësuesit e Zyrës europiane kanë kryer të paktën dy misione në Shqipëri.

Në kuadër të hetimeve ata kanë qenë në zyrat e Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR) si dhe kanë kontaktuar personat të cilët kanë bërë denoncimet. Por ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca e cilësoi si një procedurë normale.

"Nga të 27 vendet e Bashkimit Evropian vetëm dy prej tyre nuk ka pasur parregullsi apo shpërdorim po të doni të fondeve. Gjermania, Franca, Italia, Spanja, Holanda, Belgjika dhe po marr vetëm vende të zhvilluara, janë vetëm disa nga vendet ku janë gjetur problematika të ndryshme dhe secila nga këto vende është detyruar të rimbursojë fondet në Komision”, tha ministrja gjatë një seance parlamentare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë