Ngjarje

Skandal pas skandali, ngjarjet që tronditën 2018-ën

2018-ta ishte një vit i pasur me skandale dhe aksione të bujshme të policisë, ku nuk munguan si protagonistë edhe figura të rëndësishme të politikës, që janë akuzuar e përfshirë me grupe të fuqishme të botës së krimit të organizuar në Shqipëri.

Aksioni i parë ndodhi në ditët e fundit të muajit shkurt, ku u sekuestrua sasia rekord prej 613 kilogramësh kokainë në një kontenier, ku importi i bananeve nga Kolumbia shërbente si maskim. Personat që përfunduan në pranga ishin dy, shoferi dhe magazinieri i kompanisë “Arbri Garden”. Shqipëria ishte rrugë tranzite për drogën, që destinacion përfundimtar kishte tregun e BE-së, ku vlera e saj shkonte në 180 milionë euro. Pronari i kompanisë, Arbër Çekaj humbi gjurmët, për t’u arrestuar disa javë më vonë në Gjermani. (Kliko Ketu)

613 kg kokaine e sekuestruar ne Durres me 28 shkurt 2018

Skandali i dytë plasi në gjysmën e parë të muajit maj. Partia Demokratike publikoi një audiopërgjim, ku sipas saj provohej se Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Fatmir Xhafaj kontrollonte rrugët e trafikut të drogës nga Vlora për në Itali. Kryeministri Rama e quajti sajesë të opozitës për të rrëzuar Qeverinë e tij. Agron Xhafaj u vetëdorëzua tek autoritetet italiane, ku vuan po vuan dënimin me burg të marrë 18 vite më parë, ndërsa Albert Veliu u kap në Kosovë në përpjekje për t’u arratisur në një nga vendet e BE.

Prokuroria shqiptare nisi hetimet. Audiopërgjimi iu dorëzua një laboratori anglez së bashku me mostra të zërit të Agron Xhafajt. Në përfundim, anglezët thanë se nuk mund të përcaktonin autenticitetin e videos për shkak të cilësisë së ulët të zërit.

I akuzuari nga Prokuroria për kallëzim të rreme, Albert Veliu

Disa javë më vonë hetimet nxorrën në pah emrin e Alfred Alizotit (Kliko Ketu). Sipas prokurorisë, ky i fundit ka bërë zërin e Agron Xhafajt në përgjimin e publikuar nga PD në këmbim të 200 mijë eurove të premtuara. I përfshirë në çështje u lakua emri i deputetit demokrat, Ervin Salianji, si personi që u kishte premtuar paratë Veliut dhe Alizotit. Në një tjetër videopërgjim, Alizoti deklaroi fillimisht se audiopërgjimi ishte i rremë dhe më vonë se ishte kërcënuar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla për të dëshmuar që audiopërgjimi ishte i rremë. Nga Kosova në pritje të marrjes ose jo të statusit të azilantit, Albert Veliu këmbëngul se audiopërgjimi është autentik dhe se ai ka folur me Agron Xhafajn për të trafikuar hashash në drejtim të Italisë.

Në muajin qershor, 3.4 mln euro u sekuestruan në portin e Durrësit. Paratë ishin fshehur në dy automjete që po hynin në Shqipëri për llogari të një koncesionari shitjesh automjetesh të përdorura (Kliko Ketu). Aksioni ndodhi pak ditë pasi nga salla e Kuvendit, Lulzim Basha sinjalizoi se ndërkombëtarët kishin rënë në gjurmët e këtyre parave dhe akuzoi se porosia do të hynte në Shqipëri me garanci të Taulant Ballës për hesap të një grupi kriminal të fuqishëm në vend për trafikun e drogës. Balla mohoi akuzat dhe paditi Lulzim Bashën për shpifje në gjykatë.

Po u mbyllur ky skandal në fund të gushtit dhe fillim të shtatorit shpërtheu një tjetër. Emiljano Nuhu, ish-oficer i Policisë Gjyqësore në stacionin policor të Fushë-Krujës dëshmon nga Zvicra se është kërcënuar nga kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi dhe kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla që të mbyllë hetimet për përdhunim ndaj Rexhep Rrajas, djali i deputetit socialist të zonës së Nikëlit, Rrahman Rraja.

Emiljano Nuhu gjate intervistes se dhene per gazetarin Basi Collaku

Rexhep Rraja u akuzua nga Xhisiela Maloku, e cila në versionin fillestar të dëshmisë së saj e akuzonte atë për dhunë. Vajza ndryshoi dëshminë kur çështja u bë publike, megjithatë kjo nuk e shmangu arrestimin e djalit të deputetit të PS. Taulant Balla hodhi poshtë akuzat pretendimet e ish-oficerit Nuhu dhe të PD-së, ndërsa rasti në fjalë nxorri në pah apatinë e strukturave të policisë për të marrë dëshminë e Xhisiela Malokut, e cila kishte denoncuar 4 herë të tjera Rexhep Rrajan. (Kliko Ketu)

Skandali më i madh do të shpërthente në muajin tetor. Operacioni i Policisë së Shtetit “Vol-vo 4” çoi në pranga 34 persona në të gjithë vendin dhe disa të tjerë u shpallën në kërkim. Epiqendra e goditjes ishte familja Avdylaj në Shijak. Përgjimet dyvjeçare të policisë dhe prokurorisë kishin grumbulluar prova të mjaftueshme për të vërtetuar se grupi kriminal i Shijakut drejtonte trafikun e lëndëve narkotike nga Shqipëria në drejtim të vendeve të BE-së edhe në bashkëpunim me grupet e tjera si Ndokajt në Lezhë dhe Bajrajt në Shkodër.

Nga operacioni "Vol-vo 4" i policise

Mes të arrestuarve ishin edhe Arben Ndoka dhe Arben Çuko, dy ish-deputetë të Partisë Socialiste. Emri i Çukos kishte dalë gjatë përgjimeve të Avdylajve, ku këta të fundit i kishin kërkuar ndërhyrjen për të transferuar në një burg tjetër një të dënuar si vrasës me pagesë, që mbahej në burgun e Burrelit. Arben Ndoka nga ana tjetër përfundoi në pranga pasi “rastësisht” përgjimet ndaj Avdylajve zbuluan (Kliko ketu) edhe një grup të mirëorganizuar falsifikatorësh të pronave në bregdetin e Lezhës, që drejtohej pikërisht nga ish-deputeti socialist. Dy ish-deputetët kërkuan që dosja ndaj tyre të gjykohej veçmas, por kërkesa u refuzuar nga gjykata. Megjithatë, ata u liruan nga burgu në mes të muajit nëntor.

Mes personave që dolën nga përgjimet ndaj Avdylajve ishe edhe Vangjush Dako, kryebashkiaku i Durrësit. (Kliko ketu) Gjatë një debati të nxehtë në emisionin “Opinion” Dako e pranoi këtë dhe me një gjuhë të shpenguar tha se nuk paragjykonte njeri gjatë fushatës për të marrë vota. “Mund të ma kalojë Edi Rama për mesazhe, por për të folur në telefon s’ka bir k*rve që flet më shumë se unë”, deklaronte ai.

Kreu i Bashkise se Durresit, Vangjush Dako

Ndaj Dakos nuk është nisur asnjë hetim, ndërkohë që Fatmir Xhafaj u dorëhoq. Për opozitën, Fatmir Xhafaj nuk u dorëhoq, por u shkarkua nga Edi Rama për të mbrojtur kryebashkiakun e Durrësit.

Skandali i fundit i prodhuar nga 2018-ta ishte edhe më i bujshmi përsa u takon shumave të parave të përfshira në të. Në muajin shtator, ARRSH çeli garën për ndërtimin e tre loteve të Unazës së Madhe nga aksi i Pallatit me Shigjeta tek Sheshi Shqiponja. Kompania “DH Albania” fitoi tenderin për ndërtimin e lotit 1, me një vlerë totale rreth 18 milionë euro.

Në të tre tenderat lindën dyshimet për zhvillimin e një gare fiktive me skemë të njëjtë dhe protagoniste në të gjitha rastet kompaninë “Vëllezërit Hysa”. Megjithëse u regjistrua në garën për të treja lotet, kjo kompani nuk paraqiti ofertë për asnjërin prej tyre. “Biba X” dhe “DH Albania” ishin të vetmet që paraqitën ofertë për lotin 1, “Salillari” për lotin 2 dhe “Victoria Invest” për lotin 3.

Në total ishin 40 milionë euro për ndërtimin e 2.34 kilometrave rrugë. ARRSH e justifikon shumën si kosto për mbikalimet dhe nënkalimet që janë pjesë e projektit. Skandali shpërtheu kur u zbulua se kompania “DH Albania” figuronte e regjistruar si degë e “Dunwell Haberman”. Vetë kjo e fundit ishte e regjistruar në shtetin e Delauerit në SHBA, i njohur si parajsë fiskale. Si të mos mjaftonin këto, një letërkëmbim i emisionit “Të Paekspozuarit” nxorri në pah se kjo kompani kishte falsifikuar dokumentacionin dhe firmën e Sekretarit të Shtetit të Delauerit, duke u paraqitur në Shqipëri si kompani e themeluar në 1998 dhe me një forcë punëtore mbi 3500 vetë të specializuar në infrastrukturën rrugore dhe energjitike. (Kliko Ketu)

Projekti i Unazes se Re

Në të vërtetë, kompania në fjalë ishte regjistuar në qershor të 2018, pra thuajse 3 muaj para hapjes së garës për tenderin e unazës, të cilin ajo e fitoi. Ky skandal polli një tjetër skandal, atë të interkonjeksionit Burrel-Peshkopi, me një vlerë prej 11 mln eurosh. “DH Albania” ishte shpallur fituese në këtë tender dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit kishte derdhur 2.4 mln euro në arkat e kësaj kompanie, ose 20 për qind e vlerës së tenderit. Nga prokuroria dhe OST thonë se këto para janë kthyer mbrapsht (Kliko Ketu) pas anulimit të kontratës, por askush nuk jep një datë, faturë apo të dhënë konkrete se këto para janë kthyer vërtetë.

Për të dy skandalet po hetohet nga ana e Prokurorisë, ndërkohë që Zëri i Amerikës hamendëson në një artikull të tijin se pas kompanisë fantazmë qëndron biznesmeni shqiptar, Bashkim Ulaj. (Kliko Ketu)

Një tjetër shkelje është bërë edhe në lotin 3, të fituar nga kompania “Victoria Invest”. Kjo kompani u shpall fituese e tenderi me vlerë rreth 9.5 mln euro, ndërkohë që sipas vendimit nr.75 të Autoritetit të Prokurimeve Publike asaj i ishte ndaluar pjesëmarrja në koncesione për një vit, nga data 3 gusht 2018 deri më 3 gusht 2019. (Kliko Ketu)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë