Lajme

Skandali i Unazës – Kompania e pezulluar, por fiton tenderin

Projekti i "Unazës së Re" pjell përditë skandale: Kompanisë “Victoria Invest” që fitoi tenderin për ndërtimin e lotit të tretë të kësaj rruge, në aksin nga Pallati me Shigjeta tek Sheshi Shqiponja, i është ndaluar pjesëmarrja në koncesione dhe partneritete publike-private përmes një vendimi të marrë nga Agjencia e Prokurimit Publik.

Vendimi mban datën 3 gusht 2018, pak më shumë se një muaj nga hapja e garës për tre lotet, pjesë e Unazës së Madhe në këtë aks. Gazeta “Si” ka mësuar se Drejtoria Juridike dhe e Verifikimit e Agjencisë së Prokurimit Publik është vënë në lëvizje pas një kërkese të Bashkisë së Kamzës. Kjo bashki ka dorëzuar kërkesën me nr.2402 më 2 maj të 2018, ku propozon nisjen e hetimit administrativ ndaj kompanisë “Victoria Invest” dhe përjashtimin e saj nga pjesëmarrja në procedurat koncesionare dhe partneritete publike-private.

Bashkia e Kamzës pretendonte se kompania në fjalë kishte manipuluar dokumentacionin e paraqitur për pjesëmarrje në një tender të saj, në mënyrë që të kualifikohej në garë. Në përfundim të procedimit administrativ, APP ka arritur në përfundimin se plotësoheshin kushtet e keqinformimit sipas nenit 13/3/a të ligjit për prokurimet publike.

Masa e marrë ishte përjashtimi për një vit, pra nga 3 gushti 2018 deri më 3 gusht 2019 i pjesëmarrjes në tendera për “Victoria Invest”. Ndëshkimi mund të ishte më i ashpër, por APP thotë se janë marrë parasysh faktet që kompania në fjalë ishte skualifikuar nga gara dhe nuk kishte përfituar fonde publike, si dhe historiku “i pastër” i “Victoria Invest”, që nuk rezultonte e përjashtuar më parë nga pjesëmarrja në koncesione dhe PPP.

Vendimi në fjalë është pasqyruar edhe në buletinin e njoftimeve të datës 6 gusht 2018 në faqen zyrtare të APP-së. Vetë kompania nuk është pajtuar me këtë ndëshkim dhe i është drejtuar Gjykatës Administrative duke paditur APP-në. Çështja mban numrin 31155-05056-80-2018 në Gjykatën Administrative. Gjyqtari i saj është Emiljano Ruli. Padia ka si objekt shfuqizimin e vendimit të APP-së dhe si vendim të ndërmjetëm kërkohet pezullimi i tij deri në përfundim të gjykimit.

Në faqen Gjykatës Administrative janë pasqyruar deri më tani zhvillimi i katër seancave. E para është seanca parapërgatitore, më 14 shtator 2018, pra pak ditë pas hapjs së garës për tenderin e unazës në aksin nga Pallati me Shigjeta tek Sheshi Shqiponja. Në seancën e dytë është bërë njoftimi për Avokaturën e Shtetit, pala që mbron APP në këtë proces dhe më pas kalimi në seancë gjyqësore.

Seanca e katërt dhe e fundit, të paktën siç pasqyrohet në faqen e Gjykatës Administrative është zhvilluar më 25 tetor, pak ditë para se të bëheshin publike tre kompanitë fituese të tre loteve të Unazës së Madhe, nga Pallati me Shigjeta tek Sheshi Shqiponja. Në këtë seancë, jo vetëm që nuk ka një vendim që pezullon vendimin nr.75 të APP-së, por ajo është ndërprerë dhe shtyrë për herë tjerë për shkak të angazhimit të gjyqtarit të çështjes në një tjetër proces gjyqësor.

Të gjitha këto nuk e kanë penguar kompaninë “Victoria Invest”, që jo vetëm të marrë pjesë në tenderin me vlerë rreth 10 milionë euro, por edhe ta fitojë atë si pjesë e “Victoria Invest International & Victoria Invest”.

Kjo nuk është hera e parë që emri i kompanisë “Victoria Invest” përmendet në media si e përfshirë në praktika të dyshimta tenderimesh. Në 2017, ajo përfitoi një tender me prokurim të drejtpërdrejtë nga Bashkia e Elbasanit, megjithëse nën sekuestro për shkak të mosmarrëveshjeve me një tjetër kompani.

Në Qendrën Kombëtare të Biznesit, “Victoria Invest” rezulton e regjistruar me adresën Elbasan, “Lagjja 28”, Rruga “11 Nëntori”, pallati prane Tatim-Taksave, kati 2-të me administrator Fatmir Kuçin. Në ekstraktin historik të saj, kompania rezulton disa herë e vënë nën sekuestro për shkak mosmarrëveshjesh me kompani të tjera, ndërkohë që më 20 korrik të këtij viti, si ortake tek “Victoria Invest” është përfshirë “Victoria Invest International”.

“Victoria Invest International” vetë është e regjistruar si degë e një kompanie të huaj, që në vitin 2010 dhe për përfaqësuese ligjore ka shtetasen Valbona Kuçi. Adresa e kësaj dege është e njëjtë me atë të “Victoria Invest”, në të njëjtin kat, pallat, rrugë dhe lagje të qytetit të Elbasanit.

Ndërkohë, emri i Fatmir Kuçit del i lidhur me kompaninë “Victoria Marine LTD”. Nga publikimi i dokumenteve pas “Panama Papers”, rezulton se kjo kompani është e regjistruar në Maltë, që njihet si një parajsë fiskale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë