Lajme

Përgjimet e “xhuxhit”, Dako i pranon: Nuk paragjykoj njeri për vota

Vangjush Dako e pranoi se ka biseduar në telefon me anëtarë të familjes Avdylaj, të akuzuar për grup të strukturuar kriminal nga ana e Prokurorisë për Krimet e Rënda dhe Policisë së Shtetit.

Kryebashkiaku i Durrësit ishte i ftuar mbrëmjen e së enjtes në emisionin “Opinion” në televizionin Klan, ku komunikimin me personin e identifikuar nga përgjimet si “Niçja”, e që besohet se është Altin Avdylaj e ka justifikuar me detyrën e tij si politikan dhe kryebashkiak.

“Unë jam kryetar i Bashkisë së Durrësit, jam njeri i zgjedhur me votë dhe për të marrë votën do komunikoj me çdo qytetar të Durrësit. Në çdo qendër elektorale unë marr listën e zgjedhësve, shkoj dhe takoj çdo njeri, i cili ka reputacion, apo është njeri i famshëm i asaj familje dhe ka mundësi të më ndihmojë me zgjedhjet. Shkoj në çdo qendër elektorale. I marr kontaktet për t’i kërkuar votën”, deklaroi ai.

Ai mohoi të ishte në dijeni të aktivitetit kriminal të familjes Avdylaj, madje, në justifikim tonet e përdorura prej Vangjush Dakos ishin të ashpra dhe jashtë çdo kornize etike të një emisioni “prime time”.

“Kur kërkoj votën nuk shikoj as diplomën, as dëshminë e penalitetit. Asnjë person nuk ka marrë asnjë favor nga Vangjush Dako kundrr ligjit. Për mua s’ka bir k**ve që të ma kalojë sa shumë flas në telefon, ndoshta vetëm Edi Rama për SMS”, u shpreh ai.

Emri “Vangjush” përmendet në një përgjim të regjistruar më 24 qershorn 2017, një ditë para. zgjedhjeve parlamentare. Në të shfaqet Niçja, i dyshuar si Altin Avdylaj dhe një person me numrin …30804, që mbetet ende i paidentifikuar.

Biseda e 24 qershorit 2017

Niçja: Të marr unë se jam me rob pra…
xxx 30804 (I paidentifikuar): Alo, ça po bën?
Niçja: Të marr unë se jam me rob të thashë!
xxx 30804 (I paidentifikuar): Ku je? Je andej nga fshatrat, ku ishe?
Niçja: Jo! Jo! Jo!
xxx 30804 (I paidentifikuar): Kam ca me mbiemër Kurti, kam zonjën këtu… po deshe…
Niçja: …mirë…
xxx 30804 (I paidentifikuar): 6 veta janë!
Niçja: Hajt se të marr unë!
xxx 30804(I paidentifikuar): Thuaj Vangjushit t’u japim ndonjë lek, që të votojnë.

Në këtë përgjim kuptohet që po bisedohej për të paguar gjashtë persona me mbiemër Kurti në këmbim të votës. Por, mbetet për t’u verifikuar nëse Vangjushi i përmendur këtu është kreu i Bashkisë së Durrësit.

Përgjimi i dytë është realizuar më 27 qershor, dy ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme. Në të flet drejtpërdrejtë Altin Avdylaj, ose Niçja me Vangjush Dakon.

Biseda e 27 qershor 2017

Kreu i Bashkisë së Durrësit u detyrua që të pranojë se kush janë personat në fjalë.

Niçja: Hë kryetar, hë vllai.
Vangjush Dako: Niçe, ku je?
Niçja: Këtu vërdallë…
Vangjush Dako: Ku është Astriti?
Niçja: Ka lëviz një çikë.
Vangjush Dako: Ku ka lëviz? Jashtë Durrësit?
Niçja: Eh… ça ka? Ka ndonjë gjë?
Vangjush Dako: Po jo mo, doja ta takojsha, ta falenderojsha, ta pyesja një çikë.
Niçja: Po, po ku je ti? Të vij të të takoj… Njësoj është, si ai si unë, e di që jemi një.
Vangjush Dako: Po mirë mo mirë, por doja ta takoja…kanë pi ato.
Niçja: Po, e di po, kanë lëviz… Me të taku një çikë unë ty!
Vangjush Dako: Unë tani jam duke ardh nga… rrugës… rrugës…

“Astriti është vëllai i Niçes. Unë nuk i paragjykoj njerëzit për vota. Tani, të mos bëjmë fushatë ne?”, u shpreh ai.

Dako mohon se me Avdylajt e lidh krimi. Ai thotë se me ta ka komunikuar vetëm për fushatë dhe duke folur për fushatën, veten e cilësoi si “Superman”. Akuzat e opozitës i quan kryekëput sulme politike që “po shqetësojnë atë dhe familjarët e tij”.

Në dosjen e dërguar në Gjykatë, Prokuroria nuk përmend në emër asnjëherë Vangjush Dakon, por i referohet një personi që në përgjimet e Avdylajve thërritet si “Xhuxhi”. Avdylajt thonë se me “Xhuxhin” e lidhin punët.

Ndërkohë, ai nuk mohoi se Ambasada Amerikane i ka refuzuar vizën, por tha se refuzimi nuk lidhej me akuzat e bëra nga opozita, apo mundësinë që kjo ambasadë ta ketë futur në listën e zgjeruar të zezë të zyrtarëve të korruptuar dhe me lidhje me krimin që i penalizon në këtë formë.

I pyetur nëse do të rikandidojë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, Vangjush Dako u shpreh më i pasigurtë se herët e tjera, por i sigurtë ishte se do të udhëhiqte fushatën e socialistëve në Qarkun e Durrësit, madje duke premtuar fitoren në të gjitha bashkitë.

“Unë nuk e ndjej veten të lodhur, por mund ta shikoj veten edhe në një pozicion tjetër. Unë, si kryebashkiak, apo në një tjetër pozicion nuk mund të largohem nga ai qytet sepse e dua. Jam apo s’jam kryetar bashkie, unë do të drejtoj fushatën në të tre bashkitë e Qarkut të Durrësit, në Krujë, Shijak e Durrës dhe që të treja janë të fituara”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë