Rend dhe Ligj

Si iu refuzua dëshmia Xhisielës

"Unë nuk erdha tek Komisariati i Krujës, sepse isha edhe herë tjeter dhe ata nuk ma morën kallëzimin". Me këtë fjali 25-vjeçarja nga fshati Zezë, Nikël ka shpjeguar se përse nuk kishte më besim tek policia lokale dhe siç kanë rrjedhur ngjarjet, duket se tashmë ajo s’ka më besim tek askush përderisa mohon të jetë dhunuar.

Pavarësisht se tashmë Xhisiela Maloku këmbëngul se me Rexhep Rrajën kanë ngelur shokë, zvarritja e saj në katër komisariate hedh hije dyshimi mbi uniformat blu. Sipas rrëfimit të fundit të saj, ku pranohet dhuna dhe madje në një rast paraqitja në polici me gjurmë gjaku tregon se në asnjë rast policia nuk ka nxjerrë urdhër-ndalimi për Rexhep Rrajën.

Denoncimi i saj dhënë para policisë tregon se në Krujë kanë mbyllur sy e veshë dhe as e kanë parë të përgjakur dhe as ja kanë dëgjuar dëshminë. Me shpresën se do të dëgjohej e mbrohej, ajo iu drejtua komisariatit numër 3 në Tiranë.

Në denoncim ajo tregon se si ishte sorollatur në komisariate të ndryshme, madje e abuzuara tregon se kishte qenë edhe në policinë e Durrësit për t’u ankuar pranë Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat mbi mosveprimet e policisë.

Ajo tregon në deponimin pranë SHÇBA se si u kërcënua, e madje më tej ajo përshkruan se "nuk guxoja të dilja nga zyra, sepse kishte të tjerë që e kërcënonin”. Pas denoncimit tek komisariati 3, pak orë pas këtij veprimi, ajo thotë se Rrajat e kishin marrë me detyrim dhe e kishin çuar me dhunë në stacionin e Policisë së Fushë-Krujës, duke e urdhëruar të tërhiqte pretendimet.

"I thashë Rexhep Rrajës që nuk kam qenë në polici, por ai më kapi prej flokësh dhe pasi më vuri pistoletën në bark më urdhëroi të shkonim në polici". Por, për mosveprimet e policisë, 25-vjeçarja ka folur edhe për komisariatin numër 6 në Tiranë. Atëherë kur asaj sërish nuk i është marrë denoncimi.

Sipas saj ajo ka qenë në policinë e Kombinatit në fund të 2017-s , por është tërhequr për shkak të kërcënimeve të djalit të deputetit Rrahman Rraja.

Në çdo derë që Xhisiela përplasje gjente përballë shpërfilljen dhe injorimin, deri në momentin kur u rrëfye, të paktën sipas deklaratave të ish-nënkomisarit të Fushë-Krujës, Emiljano Nuhu. Duhej dëshmia publike e tij dhe politizimi i çështjes që kalvari i vuajtjeve të 25-vjeçares të dëgjohej, tanimë jo vetëm nga oficerët e policisë që shkelën ligjin dhe iu dorëzuan presionit politik duke mos i marrë dëshminë, por nga të gjithë shqiptarët.

Tashmë, policia nuk ka më mbi supe peshën e presionit politik, por edhe atë të publikut të tronditur nga ky rast, që gjithsesi gishtin kryesor të fajësisë e drejton nga politika, e kjo e fundit e përcjell tek prokuroria e policia. Vetë kjo e fundit, të paktën nëpër ekrane “kërkon zbardhjen e ngjarjes, mbrojtjen e Xhisielës dhe vendosjen e autorëve para drejtësisë”.

Tani "barra e provës " bie tek Prokuroria e cila duhet të hetoj tani jo vetëm për dhunën por gjithë zinxhirin që nga policia deri tek deputetë e kryetarë bashkie që u dencuan nga ish nënkomisari Emiljano Nuhu .


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë