Rend dhe Ligj

Krim dhe drogë, ja lidhja e Avdylajve, Ndokajve dhe Bajrave

Përgjimet e prokurorisë për grupin kriminal të Shijakut kanë çuar në një zinxhir të zgjeruar hetimor duke përfshirë edhe emra të tjerë të lakuar të botës së krimit në Shqipëri, dhe duke provuar se kjo “botë”, nuk ka vetëm rivalitet e luftë për kontrolle territori e droge, por edhe një bashkëpunim më të fortë nga sa mund të perceptohet në publik.

Në dosjen voluminoze të prokurorisë hetimi ndaj grupit të Shijakut ka marrë shtysë nga kapja në Itali në shkurt të 2017 të 2 tonëve hashash, ku u arrestuan dy persona si transportues. Prokuroria thotë se në këtë rast janë përfshirë edhe shtetasit Astrit Avdyli i grupit të Shijakut, Gjevi ose Xhevahir Ndoka, vëllai i Arben Ndokës, i grupit të Lezhës dhe Safet Bajri i grupit të Shkodrës. Nga përgjimet dalin lidhjet mes Astrit Avdylit, Gjevi Ndokës dhe Petrit e Saimir Sulejmani, që të dy nga Fieri.

Zona e Shijakut dhe e Maminasit, nga hetimet e deritanishme të Prokurorisë shërbente si pika e pritjes së kokainës që vinte nga vendet e Amerikës Latine, për t’u shpërndarë më pas dhe trafikuar në bashkëpunim mes grupeve kriminale në drejtim të Bashkimit Europian. I njëjti bashkëpunim vërehej edhe në rastet e trafikimit të hashashit.

Nga dosja e Prokurorisë del se në qendër të të gjithë aktivitetit kriminal të këtyre familjeve ishte familja Avdylaj e Shijakut, e cila kishte ngritur dhe menaxhonte linjat e trafikut të drogës dhe bashkëpunonte me familjet e tjera.

Prokuroria ka ndërtuar skemën e lidhjes mes Avdylajve në Shijak, Ndokajve në Lezhë dhe Bajrave në Shkodër. Në krye të organizatës që kishte për anëtarë aktivë persona nga të tre grupet kriminale, organi i akuzës beson se ishte Astrit Avdyli, njohur edhe me emrin Astrit Balliu, ndërsa pjesë e kësaj organizate rezultojnë sipas Prokurorisë edhe personazhe të tjerë të njohur të botës së krimit, si Safet Bajri, Gerald e Astrit Keçi, Gjevi Ndoka, Petrit Sulejmani e Astmer Bilali, ish-boksier i arrestuar në Shkodër gjatë operacionit që goditi grupin e Bajrave.

Nga përgjimet, prokuroria thotë se më 4 shkurt të 2017, dy ditë pasi u sekuestruan nga autoritetet italiane dy tonë hashash, Astrit Avdyli telefonon Petrit Sulejmanin dhe e pyet nëse ishte kthyer dhe në ishte kthyer “me det, apo me tokë”.

Në një tjetër përgjim, këtë herë në qershor të këtij viti dalin përgjimet që kanë krijuar edhe lidhjet mes Avdylajve dhe Bajrave. Gjatë këtyre përgjimeve del emri i Astmer Bilalit dhe i Elis Gurit, i pari ish-boksier, i dyti mundës. Këta dy shtetas i kanë shitur hashash Adnand Hupit dhe Florenc Xhelekut për llogari të Safet Bajrit.

Pika e kontaktit e Xhelekut ishte Bilali. Ky i fundit merr në telefon më pas Elis Gurin, që i thotë se ndodhet në Tiranë. Pas këtij konfirmimi Astmer Bilali lidhet sërish me Florenc Xheleku dhe i thotë se po shkonte ta takonte, duke realizuar kështu edhe takimin e shkëmbimit të sasisë së kanabisit.

Një tjetër emër ndërlidhës mes grupeve kriminale është ai i Hajri Seferit. Seferi konsiderohet si pjesë e grupit të Shijakut dhe del në dosjen voluminoze të Prokurorisë edhe si personi që e lidh edhe grupin e Shijakut me atë të Delvinës të drejtuar nga Abedin Kuçi.

Përgjimet kanë zbardhur se Seferi të paktën në një rast ka shërbyer si dorëzues “malli” në këmbim të parave tek ky grup. Këto shkëmbime janë kryer edhe në automjete, çka sugjeron, sipas Prokurorisë që mes grupeve kriminale ekzistonte një besim i madh.

Veç kësaj, emri i Seferit del edhe tek grupi i personave kryesorë si ideatorë dhe ndërtues të laboratorit të heroinës në Has, së bashku me Admir Hoxhën.

Si përfundim, Prokuroria thotë se shtetasit Astrit Avdyli, Altin Avdyli, në bashkëpunim me Gjevi Ndokën, Danjan Ndokën dhe persona të tjerë kryejnë trafik të lëndëve narkotike, kokainë, heroinë dhe hashash me destinacion vendet e Bashkimit Europian dhe në bashkëpunim e koordinim me njëri-tjetrin.

Gjatë këtij operacioni janë zbuluar edhe emrat e 3 punonjësve të Policisë së Shtetit si të përfshirë në aktivitete të paligjshme. Ata akuzohen për veprën penale “shpërdorim detyre” dhe “ndihmë për kalimin e paligjshëm të kufijve”.

Në Has u kap vetëm “krahu i punës”

Në një deklaratë të përbashkët ditën e hënë, Prokuroria dhe Policia njoftuan rezultatin e operacionit që çoi në asgjësimin e laboratorit të drogës në fshatin Brenog të zonës së Hasit, duke komunikuar gjithashtu arrestimin e pesë personave dhe shpalljen në kërkim të katër të tjerëve.

Foto nga vendondodhja e laboratorit te heroines ne Has

Personat e prangosur u kapën që të gjithë në flagrancë për akuzat e prodhimit, shitjes, trafikimit, fabrikimit të lëndëve narkotike në bashkëpunim dhe në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal.

Operacioni, siç tha prokuroria, u ndërmor pas një hetimit të gjatë ku janë përdorur edhe përgjimet e personave të dyshuar. Pikërisht nga transkriptimi i përgjimeve në fjalë rezulton se organizatorët dhe “investuesit” kryesorë në këtë laborator përpunimi heroine u shpëtuan prangave.

Nga hetimet dhe përgjimet, Prokuroria ka dalë në përfundimin se ngritja e laboratorit është udhëhequr nga shtetasi Admir Hoxha, së bashku me persona të tjetër të arrestuar të grupit kriminal të Shijakut. Në dosjen e saj, organi i akuzës thotë se Admir Hoxha kontaktonte me shtetasit Hajri Seferi dhe Saimir Gjipali, që të dy nga Shijaku sa herë që kishte sasi droge për të trafikuar.

Në përgjime, Hajri Seferi rezulton si personi që merrej me financat dhe në bisedë me një tjetër person flet për hapjen e një llogarie personale me 500 mijë euro. Sipas prokurorisë, nuk rezulton që Hajri Seferi, apo ndonjë i afërt i tij të ketë aktivitet tregtar, biznes të ligjshëm dhe ka dyshime të arsyeshme, të bazuara se këto transaksione dhe të ardhura vijnë nga aktiviteti i tij kriminal dhe i grupit të tij kriminal.

Telefonata është përgjuar më datën 5 prill të këtij viti. Prokuroria beson se në këtë ditë, babai i Hajri Seferit është paraqitur në degën e një banke të nivelit të dytë për të hapur llogarinë bankare ku do të derdhte 500 mijë eurot.

Biseda:
Hajri Seferi: He babe!
I dyshuari si babai i Seferit: Na foli her ksaji.
Hajri Seferi: Po bre ma kalo. Alo, mirëmëngjesi!
Punonjësja e Bankës: Mirmëngjesi nga T.B. Jam E. Ka ardhë XXX dhe do të baj ni veprim, thotë do të hapi llogari të arkëtojë 500 mijë euro, sepse thotë do bëji pagesat e firmave, tani ma sqaro ni çikë si domethan, për qa do hapet llogaria.
Hajri Seferi: Sepse do paguhet firma pra.
Punonjësja e Bankës: Do paguhet firma, po me firmën ke lidh ndonjë kontrate paraprake?
Hajri Seferi: Jo, jo, nuk kam asi lloji kontrate.
Punonjësja e Bankës: Po sa do jetë vlera e investimit, sepse nuk lejohet, që domethënë të bëhen pagesa nga një llogari individuale tek firma, nëse nuk ka një dokument përkatës.

Faksimile e dosjes se Prokurorise

Nga të dhënat e përftuara deri më tani nuk rezulton që Hajri Seferi apo ndonjë i afërt i tij të ketë aktivitet tregtar, biznes të ligjshëm dhe ka dyshime të arsyeshme, të bazuara se këto transaksione dhe të ardhura vijnë nga aktiviteti i tij kriminal dhe i grupit të tij kriminal.

Mes të shpallurve në kërkim janë edhe dy shtetasit turq, Iskander Sale dhe Nejdet Cesuroglu, që dyshohet se janë personat që siguronin “lëndën” e parë të prodhimit të heroinës nga Turqia.

Në një rast, oficerët e policisë gjyqësore kanë faktuar një takim mes Admir Hoxhës dhe dy shtetasve turq në një hotel në zonën e Rinasit, hotel që rezulton në pronësi të Admir Hoxhës. Veç shtetasve turq, të përfshirë në këtë aktivitet rezultojnë edhe shtetas të Kosovës.

Prokuroria thotë se Admir Hoxha e ka ngritur laboratorin në fjalë me ndihmën e personave të tjerë, ende të paidentifikuar plotësisht, ndërkohë që të hënën, Gjykata e Kukësit caktoi masat e sigurisë për pesë shtetasit e ndaluar, mes të cilëve edhe për 76-vjeçarin, Mustaf Shuti.

Ndaj të moshuarit u vendos masa e sigurisë arrest shtëpiak, detyrim paraqitjeje për shtetasen Anila Shuti, 42 vjeç, dhe arrest me burg për Vehbi Berushin 57 vjeç, Flamur Çelën 48 vjeç dhe Xhevit Shutin, 48 vjeç.

Më Shumë