Ngjarje

“Unaza e Re”, dyshime se pas DH Albania fshihet biznesmeni Ulaj

Hija e skandalit që ka përfshirë kompaninë “Dunwell Haberman” në SHBA, e cila ka fituar tenderin për ndërtimin e një nga 3 loteve të “Unazës së Madhe” të Tiranës, ka marrë një tjetër rrugë.

Sipas hetimeve në SHBA, përmes falsifikimit të dokumenteve të regjistrimit, kjo kompani kishte arritur të siguronte dy kontrata me vlerë prej rreth 30 milionë eurosh nga qeveria shqiptare.

Firma kryente biznes me emrin DH Albania dhe në regjistrat kombëtarë si përfaqësues i saj figuron 26-vjeçari Avdjol Dobi.

Kur këto fakte u bënë publike, lindën dyshimet se si një firmë pothuajse anonime mundi që me kaq lehtësi dhe falsifikime, të siguronte kontrata të kësaj natyre. Për të fituar një kontratë të tillë, firma fituese duhet të depozitonte një shumë prej 10 për qind të vlerës së investimit, ndërsa Dobi nuk dihet të ketë patur biznese për të bërë këtë depozitë.

Ndërkohë, shtohen dyshimet se pas kompanisë DH Albania fshihet biznesmeni i njohur shqiptar Bashkim Ulaj. Para një muaji, përfaqësuesi i firmës e ka transferuar adresën e tij në kullën “ABA Business Center”, në pronësi të zotit Ulaj. Zëri i Amerikës ka mësuar se zoti Dobi, ka lidhje familjare me biznesmenin Ulaj.

ABA Center, pronë e Bashkim Ulaj


Zëri i Amerikës u lidh me zotin Ulaj për t’i kërkuar konfirmim për këto informacione, por përpjekjet rezultuan pa sukses. I pyetur në telefon zoti Ulaj nuk pranoi të përgjigjet, duke thënë se ishte i zënë. Po ashtu, ai nuk ka kthyer ende përgjigje për mesazhet ose e-mailet me të njëjtën kërkesë.

E njëjta përpjekje e VOA-s për të marrë më shumë informacion dërguar disa ditë më parë në emailin e firmës Dunëell Haberman rezultoi e pasukseshme. Kompania nuk ka pranuar të kthejë përgjigje.

Bilanci i kompanisë Dunëell Haberman, i dorëzuar në Qendrën e Regjistrimit të Bizneseve, rezulton të jetë përkthyer nga zonja Shenda Kruja, e cila nuk figuron në listën e përkthyesve zyrtarë, të miratuar nga Ministria e Drejtësisë. Ajo rezulton në rrjetet sociale si specialiste pranë kompanisë GENER 2 të zotit Ulaj.

Pas zbulimit të skandalit me falsifikimin e dokumenteve me kompaninë DH Albania, ARRSH ka anuluar sot tenderin me këtë kompani.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri gjatë një konference për mediat.

Po ashtu ministri u përgjigj dhe akuzave se ai është i përfshirë në këtë aktivitetet, duke deklaruar se ai nuk ka asnjë lidhje.

“Deklaroj me përgjegjësinë time të plotë, nuk ka asnjë lidhje me këtë aktivitetet kriminal”, u shpreh Gjiknuri. (VOA)


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë