Lajme

S’ka turistë të huaj nga Covid-19, boshatisen kampingjet në Shqipëri

Sabina Veizaj- Camping Gjirokastër vijon “karantinën”. I pozicionuar 2 km nga rruga nacionale që lidh Gjirokastrën me Sarandën në Jug ose me Tepelenën në Veri nuk ka parë ndonjëherë ditë më të zymta se këto në aspektin e punës.

Aktiviteti ka nisur në vitin 2016 dhe klientela ka qenë 100% e huaj me turistë që vinin nga Gjermania, Austria, Italia, Hollanda, Kanada, Norvegjia, Australia, Zelanda e Re, Kina etj.

“Turistët që vinin tek ne gjatë pranverës dhe vjeshtës vinin ekskluzivisht për të vizituar qytetin ( turizëm kulturor), kurse gjatë verës dhe gushtit, shumica ishin kalimtarë që shkonin ose ktheheshin nga bregdeti dhe meqë jemi në “UNESCO heritage”, ndalonin për një natë për të vizituar qytetin e vjetër. Kuptohet që në të dyja rastet, atraksion është qyteti i vjetër dhe ne i ndihmojmë me çdo mënyrë për t’jua bërë më të lehtë dhe të marrin keëaqësi maksimale nga qyteti ynë”- thotë Zhenisa Graçi, zotëruesja e aktiviteti.

Teksa puna në këtë camping arrinte kulmin në periudhën maj-gusht, me bllokimin e lëvizjeve (të shumicës së kufijve) dhe kufizimin në maksimum të disa të tjerëve, Camping Gjirokastër aktualisht është bosh.

Zotëruesja e aktivitetit thotë se, nga pandemia janë dëmtuar 100 %, pasi të gjitha rezervimet janë anulluar prej kohësh.

Kapaciteti maksimal që bart Camping Gjirokastër është 17 vende, ku mund të akomodohen kampera, caravan ose tenda. Struktura ofron tualete, dushe, energji elektrike, furnizim me ujë dhe wifi.

Camping Gjirokastër

Panorama e kampingut përshkruan Graçi, është unike pasi sheh në luginën e lumit Drino, përballë ka malin e Gjerë në shpatin e të cilit gjendet qyteti i Gjirokastrës dhe të huajt e shijonin maksimalisht.

Ngjitur me të është restorant ''Nga shtëpia''. Camping Gjirokaster dhe restorant ''Nga shtëpia'' janë zona shërbimi te Ferma Graçi. "Ne fermen tone prodhohet rrush dhe nepermjet tij raki e vere e kuqe ne menyre autentike", thotë ajo.

Në Shqipëri janë mbi 50 kampingje që shtrihen nga jugu në veri; që nga Lukova deri në Dibër dhe ofrojnë shërbime cilësore brenda konceptit dhe filozofisë së tyre me çmime të lira.

Kampingu është stil jetese për njerëzit që duan natyrën, dëshirojnë të jenë sa më afër saj dhe janë pothuajse tërë kohës në udhëtim. Kjo lloj strukture ju volit sepse ju ofron shërbimet bazë të domosdoshme me çmime ekonomike.

Ajo që ofrohet në këto lloj hapësirash janë çadrat të pajisura me dyshek dhe tesha, ndriçimi, tualetet, dushet, wifi dhe kuzhina.

Sipas rastit, çmimet e këtyre strukturave variojnë nga 1000 -1500 lekë nata së bashku me mëngjes ose mëngjes dhe darkë. Kuzhina në natyrë është e hapur edhe në drekë për të cilën udhëtari shlyen faturën përkatëse. Baret e këtyre strukturave qëndrojnë zakonisht 24 orë hapur.

Aktualisht kampingjet në veri e jug për shkak të sezonit kanë punë, por ata syresh që kontaktoi gazeta “Si” thanë që “është e pakrahasueshme me punën para pandemisë, pasi klientela më e madhe ka qenë e huaj dhe kryesisht të rinj nga të gjitha vendet e botës”.

Camping Lukovë këtë sezon bën vitin e gjashtë të punës.

Alma që zotëron këtë kamping thotë se si “çdo biznes tjetër dhe ne jemi shumë të prekur nga situata e Covid ( sepse ne punojmë pothuajse 90% me klientelë të huaj) Numri i pushueseve është shumë shumë i ulët në krahesim me vitet e mëparshme. Aktualisht 70% janë vizitor vendas të cilët qëndrojnë maksimumi dy javë”.

 Camping Lukovë është gati i shkëputur nga zona e banuar dhe ndodhet buze detit.

“Këtë vit kampingu ka hapësira të mjaftushme për tu ruajtur më së miri distancimi social dhe qëndrimi i pushuesëve është i sigurt dhe po shijojnë pushimet në maksimum sepse janë pranë natyrës, është ajo që duan”- tregon Alma e Camping Lukovë.

Por pavarësisht krizës dhe punës së vakët për shkak të rënies së të ardhurave nga largimet nga puna apo ulja e pagave, ka edhe guximtarë që rrezikojnë të investojnë në këtë kohë.

Çika Camping ka gati një muaj që ka nisur aktivitetin. Është një strukturë kampingu në Borsh të Sarandës me një kapacitet prej 40 personash i pozicionuar nën ullishte dhe  çmim ekonomik ku akomodimi dhe mëngjesi janë të përfshirë në çmim. Përpos akomodimit dhe nevojave të domosdoshme si tualetet, dushet, energjia dhe ushqimi, Çika Camping ofron edhe aktivitete argëtuese si shëtitjet me kal në ferëm, lojëra të ndryshe dhe shëtitje me skaf.

“Nga cfarë kemi parë përgjatë korrikut, interesi ka qenë kryesisht për fundjava dhe qëndrime të shkurta 1-2 netë. Përgjatë fundjavave, niveli i kapacitetit të zënë shkon nga 70-100 % të kapacitetit total. Ndërkohë që në dite jave, kjo përqindje është më e ulët dhe madje ka dite që shkon afër 0. Ndërkohë, për muajin gusht vërehet një rritje e lehtë e kërkesës edhe për qëndrime më të gjata (7-15 ditë) edhe si rrjedhojë e lejeve vjetore që në masë dërrmuese merren në këtë muaj”- shpjegojnë për gazetën “Si” nga Çika Camping.

Pjesa dërrmuese e klientëve të këtij kampingu janë nga Tirana, Durrësi dhe Fieri. Ndërkohë që interes ka patur edhe nga pushuesit nga Kosova dhe Maqedonia, ku kultura e Camping sipas Çika Caping është më e zhvilluar se në Shqipëri.

Nga  Çika thonë se “përsa i përket Covid, duke qenë se po flasim për një aktivitet që zhvillohet në natyrë të hapur, ku edhe distancimi social mund të aplikohet lehtësisht, deri tani nuk kemi vërejtur njerëz të frikësohen”.

Teksa në Shqipëri koncepti Camping në mënyrë të organizuar nisi të vihej në jetë rreth viteve 2000, në botë historia e kampingjeve rekreative rrotullohet rreth gjurmëve të Thomas Hiram Holding, një rrobaqepës britanik që udhëtonte shumë, por në të vërtetë u bë popullor për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar në lumin Thames. Deri në vitet 1880 një numër i madh vizitorësh udhëtonin për të kaluar kohën, që ishte e lidhur me kënaqësine e kohës viktoriane për lundrim. Pajisjet e fillimit të kampeve ishin shumë të rënda, kështu që ishte e përshtatshme për ti transportuar me anije.

Edhe pse Thomas Hiram Holding është parë shpesh si babai i kampingjeve moderne në Mbretërinë e Bashkuar, ai ishte përgjegjës për popullarizimin e një lloji tjetër të kampingut në fillim të shekullit XX. Ai e përjetoi aktivitetin në natyrë që nga rinia e tij, kur kalonte shumë kohë në udhëtim me prindërit në Amerikë. Më vonë ai u nis në një turne çiklizmi ku akomodohej nëpër Irlandë me disa miq në kamping.

Libri mbi përvojën e tij në Irlandë, Çiklizimi dhe Kampingu në Connemara çoi në formimin e grupit të parë të kampingjeve në 1901, Shoqata e Campers Cycle, më vonë për t'u bërë Klubi Camping and Caravanning. Ai shkroi The Campers Handbook në vitin 1908, në mënyrë që të ndante entuziazmin e tij me botën e madhe për botën e tij.

Ndoshta terreni i parë për kampingje komerciale në botë ishte kampi i Cunningham, afër Douglas, Isle of Man, i cili u hap në 1894. Më 1906 Shoqata e Cycle Campershapi hapi vendin e parë të kampingut të vet, në Weybridge. Në atë kohë organizata kishte disa qindra anëtarë. Më 1910 Shoqata u shkri në Klubin Kombëtar të Kampingjeve.

Në SHBA, kampingu mund të gjurmohet në botimin e William Henry Harrison Murray 1869 Camp-Life in the Adirondacks që rezultoi me një dyndje të pazakontë të vizitorëve në Adirondacks atë verë.

Federata Ndërkombëtare e Klubeve të Kampingjeve u themelua në vitin 1932 me klube kombëtare nga e gjithë bota. Deri në vitet 1960 kampingjet u bënë një standard i vendosur për pushime familjare dhe vendet e kampingjeve sot janë të përhapura në të gjithë Europën dhe Amerikën e Veriut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë