Shendet

“S’jemi as në mes, as në fund. Jemi ende në fillim të pandemisë”

Shqipëria është ende në fillim të pandemisë Covid-19. Nëse institucionet shëndetësore në vend do të liberalizojnë testimin serologjik, me qëllim që ai të kryhet nga popullata, ashtu siç kanë nisur ta bëjnë shumë vende (edhe fqinjë) aktualisht, do të mund të kuptojmë se: Nëse 30%-40% e popullatës e ka kaluar virusin mund të themi se jemi në mesin e pandemisë dhe nëse rezulton se janë mbi 60% e popullatës që është prekur, mund të themi se jemi në fundin e pandemisë.
Këto deklarata të forta janë bërë nga mjeku shqiptar Erion Dasho, Drejtor i Shëndetit dhe Inovacionit në Franfkfurt (Gjermani), i cili është thirrur që në krye të herës në Shqipëri, si ekspert i jashtëm për Komitetin Teknik. Në një intervistë në emisionin e mëngjesit “Wake Up”, në Top Channel, Dasho u është përgjigjur indirekt edhe debateve që kanë nisur mes tij dhe disa prej drejtuesve të shëndetit publik në Shqipëri.

Erion Dasho

Pse është e rëndësishme të faktohet që Covid-19 ka hyrë që në janar
“Unë u përkas ekspertëve që mendojnë se përgjegjësia ndaj këtij virusi duhet të jetë individuale, pra ajo që ne e quajmë përafrimi me modelin suedez. Kjo nuk do të thotë se ne duhet të zbatojmë atë që bëri Suedia, sepse jemi krejt të ndryshëm si shoqëri, jemi të ndryshëm në shumë aspekte ndoshta dhe gjenetikisht. Ama, strategjia që përdori Suedia mendoj se është e vetmja mënyrë për të parandaluar përhapjen e infeksionit. Është ai përafrim që po bën tani qeveria e Shqipërisë duke i thënë qytetarit që “ti je përgjegjës për shëndetin tënd”. Shteti merr masat që i takon të marrë, por mbyllja nuk mund të vazhdojë gjatë. Në këto lloj kushtesh ne duhet të mësojmë të bashkëjetojmë me virusin dhe kjo bashkëjetesë nënkupton që gjithkush duhet të marrë përgjegjësi personale”, u shpreh Dasho.
Por në çfarë faze jemi tani përsa i përket ecurisë së Covid-19? Doktor Dasho mendon se ne jemi në fillimin e epidemisë. “Ka një keqkuptim shumë të madh. Ne nuk jemi as në mes dhe as në fund të pandemisë. Ne jemi akoma në fillim të pandemisë. Si pasojë e masave që u morën në Shqipëri, nuk pati transmetim të virusit. Suedia po që mund të jetë në mesin e pandemisë; ajo ka ndjekur një politikë të hapur, ka lejuar popullatën të ekspozohet ndaj virusit dhe ka fituar imuniteti i grupit një pjesë të madhe të popullatës. Nëse 50% deri 60% e popullatës nuk fiton imunitet grupi, ti nuk je në fund të pandemisë. Pra, kur të bëhen testet serologjike në popullatë dhe të vërtetohet se 30%-40% e popullatës e ka kaluar virusin, po, mund të themi se jemi në mesin e pandemisë. Nëse rezulton se janë mbi 60% e popullatës që është prekur, mund të themi se jemi në fundin e pandemisë. Ndaj, interesi është shumë i madh të dihet se sa përqind e popullatës e ka kaluar apo jo virusin Covid-19 dhe kjo bëhet përmes testeve serologjike”, shprehet Dasho.
Duke iu referuar publikimeve imazherike të disa mjekëve të QSUT-së, të cilët shpreheshin se Covid-19 ka pasur raste pozitive që në 10-15 janar, epidemiologu u shpreh se ka një interes të trefishtë të dihet me saktësi se kur ka nisur infektimi në popullatën shqiptare. Sipas tij, interesi i parë është shkencor, duhet njohur dhe duhet analizuar edhe nga ana shkencore dhe jo vetëm nga ana praktike. “Përtej interesit shkencor dhe dokumentimit historik të infektimit Covid-19, ka një interes praktik. Nëse infeksioni ka filluar që në janar, kuptohet që numri i personave që janë ekspozuar dhe që e kanë kaluar atë, është më i madh dhe kjo ndihmon, sepse ne e dimë tashmë se nëse nuk ka një vaksinë dhe nuk ka mjekime, e vetmja mënyrë për të ndihmuar popullatën njerëzore, është imunitet të popullatës. Dhe nëse virusi ka hyrë më herët tregon që kemi një numër më të madh njerëzish të cilët mund të jenë imunizuar”, shpjegoi Dasho.

Masat kufizuese në pikëpyetje
Por sipas tij, fakti nëse virusi ka filluar që në janar dhe sistemi ynë shëndetësor e ka përballuar si një grip atipik, atëherë vë në pikëpyetje domosdoshmërinë e masave kufizuese. Dasho tregon se deri më tani jemi në stadin e hipotezave dhe hipotezat duhen testuar sipas mjekut. “Imazhet radiologjike nuk janë të mjaftueshme për të vendosur diagnozën nga Covid-19, pavarësisht sa të qarta janë imazhet. Ajo që e vendos vulën janë testet serologjike, madje edhe ato deri në një farë mënyre, sepse personi që mund të ketë pasur atë imazh radiologjik në janar, mund të ketë marrë infeksionin në mars dhe testi nuk e bën dallimin. Por kjo është dytësore pasi duke marrë parasysh që në mars në Shqipëri u morën masa shumë të ashpra dhe u kufizua përhapja e infeksionit, unë do të thosha, në qoftë se një numër i madh i atyre personave për të cilët kolegët në QSUT dyshojnë se kanë qenë të prekur që në janar do të rezultonin pozitivë në testin e antitrupave, kjo do të ishte një provë pothuajse e sigurtë që virusi ka qarkulluar që në atë kohë”, shpjegon Dasho.
Epidemiologu Dasho shpjegoi se një provë totalisht e sigurt për të vërtetuar prezencën e Covid-19 tek pacientët janë disa analiza gjenetike të cilat shikojnë edhe mutacionet që ka kryer virusi gjatë ecurisë së vet. “Testimet ne i kemi edhe falsë negativë dhe falsë pozitivë, pra që do të thotë që personi vjen, testohet dhe rezulton që ka antitrupa dhe ky mund të jetë një gabim, sepse teste 100% të saktë asnjëherë nuk ka. Një test që të pranohet për përdorim publik, duhet të kalohet mbi 95%”, shtoi mjeku Dasho.
Duke i mëshuar faktit se duhet të kryhen testime në popullatë, epidemiologu vlerëson edhe përdorimin e testit të tamponit, por sipas tij, ky test duhet të decentralizohet. Ai shpjegon se nëse duhet të kontrollojmë përhapjen e virusit, duhet të testojmë sa më shumë persona. Sipas tij, testimi nuk mund të kryhet vetëm në Institutin e Shëndetit publik apo në QSUT, pasi ne kemi 12 laboratorë rajonalë dhe një koncesion që i kemi dhënë të drejtën të kryejë testime në të gjithë vendin. “Për mendimin tim duhet lëvizur drejt testimit të decentralizuar, kostoja e testeve e favorizon këtë gjë. Mendimi im është që duhet të testojmë masivisht, sidomos kur çmimi i testeve është ulur, gjithashtu mund të testojë edhe sektori privat,” shpjegon Dasho.

Në verë do të kemi rënie të fuqisë transmetimit
Por si do të jetë ecuria e afërt e Covid-19? “Mendimi im është se në verë do të kemi një rënie të fuqisë së transmetimit sepse virusi shkatërrohet nga dielli, nga ajri dhe nga lagështira, ndërkohë që edhe imuniteti i çdo personi forcohet gjatë verës. Pra ulet transmetimi, rritet imuniteti dhe kemi një përhapje më të kontrolluar të virusit. Gjatë verës duhet të relaksohen masat në minimum me qëllim që të lejohet përhapja e virusit duke mbrojtur 3 kategori të rëndësishme: personelin shëndetësor, personat mbi 65 vjeç dhe personat me sëmundje kronike. Pra, duke i bindur këto kategori që të kenë kujdes të shtuar. Tashmë nuk mund ta marrë shteti përgjegjësinë që të mbrojë 500 mijë të moshuar që ka Shqipëria, është e pamundur. Duhet të binden dhe ky është një proces që duhet të kishte nisur prej kohësh. Duhet të edukohet popullata dhe këtë që po thotë sot Ministria e Shëndetësisë, duhet ta kishte thënë më parë: Që përgjegjësia është individuale”, shton Dasho.

“Avantazhet e mia për të thënë të vërtetën”
Mjeku epidemiolog ndërkohë nuk u është shmangur pyetjeve lidhur me debatet në distancë të ditëve të fundit me mjekë të tjerë të shëndetit publik në Shqipëri. Sipas tij, ai i ka të gjitha avantazhet për të folur hapur rreth disa të vërtetave mbi Covid-19 në Shqipëri. “Unë kam një avantazh, sepse prej 20 vitesh nuk punoj në sektorin shqiptar të shëndetësisë dhe në një farë mënyre jam i zhveshur nga këto konfliktet e interesit. Shumë specialistë në Institutin e Shëndetit Publik Shqiptar apo që punojnë në sektorë të tjerë të shëndetit në shtet, edhe kur duan të flasin dhe i dinë ca gjëra - sepse këto nuk janë eskluzivitet i imi edhe kolegët e mi i kanë njohuritë e duhura – vihen përballë faktit se shteti ka rregullat e veta. Dikush nuk flet dot sepse nuk e lë drejtori, dikush nuk mund të flasë sepse nuk lejohet sipas kodit të komunikimit që ka vendosur tani shteti shqiptar. Unë e ndjej si përgjegjësi morale ndaj kolegëve dhe qytetarëve që ato që gjëra që di, t'i them ashtu si i mendoj. Nuk pretendoj se unë jam i vetmi që kam të drejtë dhe këto që them unë duhet patjetër të dëgjohen nga të gjithë, por unë jap mendimin tim të paktën të pacenuar nga këto ngjyrimet politike siç u munduan të më përfshijnë në debatin e fundit disa kolegë", tha mjeku Erion Dasho duke iu referuar në këtë rast akuzave ndaj tij të shefes së Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino.
Kjo e fundit u bë pjesë e debatit në rrjetet sociale, duke ironizuar imazhet e radiologut Renato Osmani. Debati mes ekspertëve shqiptarë, në fakt u nxeh vërtet pasi mjeku Gëzim Xhepa, publikoi në profilin e tij në Facebook, imazhet radiologjike të pacientëve të shtruar në Spitalin Infektiv.

https://www.facebook.com/gezim.xhepa/posts/1312668118927518

“Sot, falë mikut dhe kolegut tim të nderuar Dr. Renato Osmenaj, imazheristit që ishte i pari, që që javën e parë pas zbulimit të të ashtuquajturit rast 0, identifikoi fizionominë dhe identitetin imazherik pulmonar të Covid-19 dhe potencën e ekzaminimit CT ndër ekzaminimet e skemës bazë për diagnostikim dhe përcaktim prognoze, mu ofruan imazhe të pakundërshtueshme të prezencës së Covid-19 në datat 15-20 janar, në disa raste në Infektiv!!! Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe, kur duam s’duam ne, për komunikimet e ngushta dhe lëvizjet e shumta njerëzore me Italinë e Veriut, Shqipëria mund të konsiderohet lagje e Milanos!!! Tani i takon Komitetit të Teknik të marrë serizisht këto fakte, për përcaktimin e një strategjie të qartë dhe të shpejtë zhbllokuese, për kalimin nga izolimi në distancim, duke kthyer në normalitet brenda një edukate distancimi jetën sociale, ekonomike dhe shëndetësore në vend!!!”, shkruante doktor Gëzim Xhepa.
Por Bino i qëndron argumentit se “në kurbën që ka nxjerrë është e qartë që ka qarkullim gripi”. Bino thoshte se duhet parë sipas saj konteksti i kurbave dhe kolonave të gripit për 10 vite. Ajo replikoi edhe me mjekun Dasho, të cilit i kujtoi ngjyrat e teserave partiake. Më poshtë po ju sjellim disa prej mesazheve në debatin mes mjekëve:

Pjesë e këtij debati janë bërë edhe mjekë të tjerë që punojnë jashtë vendit, si Alketa Ibranji alergologe imunologe, apo mjekja tjetër Elona Kodra.

Në një komunikim telefonik në mes të muajit prill, mjekja epidemiologe Silva Bino mohoi kategorikisht për Gazetën “Si” që në vendin tonë të kishte pasur raste të infeksionit Covid-19 që në muajin janar. Ndërsa pak ditë më pas, në një intervistë në dt.16 prill për ABC News, ajo deklaroi: “Sigurisht që patëm, kemi pasur raste sporadike në fund të shkurtit. Më 28 shkurt janë shfaqur shenjat e para klinike. Ka filluar qarkullimi i sëmundjes, por jo intensiv. Që në fund të janarit ne kemi filluar gjurmimin epidemiologjik të gjitha formave të rënda. Pavarësisht se gripi është një virus i paparashikueshëm. Nuk kishim gjasa që ta masnim, pasi në 7 janar Kina ndau sekuencën dhe ju dha mundësia botës për të përgatitur testet dhe në fund të janarit kemi pasur testet”.
Në dritën e zhvillimeve të reja të publikuara edhe në Gazetën “Si”, patëm një përpjekje të dytë për të komunikuar me mjeken Bino apo epidemiologë të tjerë në ISHP, por nuk morëm asnjë përgjigje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë