Drejtësia

Kërkoi pafajësinë, Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin për ish-deputetin Jurgis Çyrbja

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme e Apelit ka konfirmuar vendimin e mëparshëm të Shkallës së Parë për ish-deputetin socialist, Jurgis Çyrbja, i cili ishte dënuar me 3 vite burg për një çështje penale të shqyrtuar me gjykim të shkurtuar për akuzat e korrupsionit zgjedhor, nxjerrjes së sekretit hetimor dhe përkrahjes së autorit të krimit.

Për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij është ulur në 2 vite heqje lirie, të cilat sipas vendimit gjyqësor konsiderohen të shlyera.

Në të njëjtin proces, gjykata ka shpallur fajtor edhe Altin Hajrin, duke e dënuar me 3 vite burg, ndërsa i pandehuri tjetër Ahmet Masha është dënuar me 2 vite e 6 muaj heqje lirie.

Vendimi i Apelit vjen pas shqyrtimit të ankimeve dhe lë në fuqi përgjegjësitë penale të përcaktuara më herët nga gjykata e shkallës së parë.

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja, është liruar nga burgu më 21 shkurt të këtij viti. Çyrbja u gjet fajtor në nëntor të 2025 nga Gjykata e Posaçme për akuzat e korrupsionit në zgjedhje, tregimit të sekretit shtetëror dhe përkrahjes së autorit të krimit.

SPAK nisi hetimet pas zbardhjes së komunikimeve në aplikacionin Sky, ku u gjetën biseda të ish-deputetit me persona të tjerë të skeduar nga policia, për të cilët hetuesit thonë se informoheshin nga ai për operacionet policore, e nga ana tjetër, i ofronin mbështetje dhe vota në zgjedhjet parlamentare.

Ish-deputeti mohoi akuzat dhe kërkoi pafajësi në Gjykatën e Posaçme të Apelit, por se pretendimi i tij u rrëzua sot.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë