Drejtësia

Atentati në Shkozet në 2019, deputeti Arjan Ndoj në GJKKO: Sulmi zgjati 20 sekonda

Gazeta Si – Ish-prokurori i Durrësit, Arjan Ndoj ka dhënë shpjegime në GJKKO mbi atentatin e 1 nëntorit 2019, duke treguar lëvizjet e tij para të ngjarjes, ku mbeti i plagosur edhe shoferi i tij, Andi Maloku, i cili humbi jetën më pas në spital

Ndoj ka deklaruar se ditën e ngjarjes ka qenë në punë dhe më pas është takuar me disa persona në një lokal në zonën e Shkëmbit të Kavajës, përfshirë edhe Aleksandër Lahon. Sipas tij, gjatë udhëtimit drejt urës së Shkozetit, automjeti është qëlluar me armë zjarri.

Ai ka rrëfyer se fillimisht nuk e ka kuptuar se bëhej fjalë për të shtëna, ndërsa më pas makina ka dalë nga rruga pas humbjes së kontrollit.

Ndoj ka deklaruar se pas ngjarjes nuk ka identifikuar autorët dhe se nuk ka pasur informacion të drejtpërdrejtë për motivet e atentatit.

Gjatë dëshmisë së tij, Ndoj, i cili tashmë nuk është më pjesë e sistemit të drejtësisë, por deputet në Parlamentin e Shqipërisë, rrëfeu rrethanat e ditës së atentatit, duke theksuar se në atë periudhë nuk kishte pasur probleme të tjera përveç sulmeve politike ndaj tij.

“Në vitin 2019 kam qenë prokuror në Durrës, përveç anatemimit që më kanë bërë figura të larta politike nuk kam pasur asnjë lloj problematike tjetër”, tha ai.

Ndoj u shpreh se sot është këtu ku është sepse “nuk i kam borxh askujt. Përpara ngjarjes unë s’kam parë asgjë të dyshimtë. Për shkak të sulmeve politike unë kam pasur dyshimet mos më kanë vënë shërbime të posaçme të policisë, për shkak të vettingut të famshëm, që shumica prej jush e kanë kaluar me sukeses”.

Sipas dëshmisë, pasdite, teksa po lëviznin me automjet në drejtim të urës së Dajlanit, janë qëlluar me armë zjarri. Ndoj deklaroi se fillimisht nuk e kuptoi se bëhej fjalë për të shtëna, ndërsa shtoi se sulmi zgjati rreth 20 sekonda.

“Kur kemi kaluar te gomisteria që nis kilometri i parë i autostradës deri tek Ura e Shkozetit, kanë nisur krismat, automjeti im ishte në karrexhatën ngjitur me trafikndarësen. Në momentet e para nuk e kam kuptuar se ishin të shtënat me armë zjarri. Krismat nuk kanë qenë me breshëri, kanë qenë të ndara. Kanë qenë dy armë pasi bënin zhurma të ndryshme dhe nga intervali i kohës së gjuatjes. Që kur kanë filluar krismat deri kur automjeti ka dalë nga rruga ka zgjatur rreth 20 sekonda. Kur u plagos i ndjeri Andi Maloku, ai i dha gaz makinës dhe kemi goditur një nga barrierat e rrugës dhe kemi përfunduar jashtë rruge. Kur kemi dalë nga rruga dhe ka ndalu se ka ngecur makina në kanal, vetëm Andi Maloku ishte me i vetëdijshëm dhe ai ka marrë babin në telefon dhe i ka thënë ‘babë na kanë gjujt’. Kur kam tentuar të dal nga makina kam humbur ndjenjat dhe nuk më kujtohet më. Ndërsa Andi Maloku u rrëzua kur hapi derën sepse mesa duket plumbin e kishte në shtyllë kurrizore”, tregoi deputeti demokrat.

Ai tha se nuk ka dijeni për autorët e atentatit dhe se as pas ngjarjes nuk është kontaktuar nga persona që të kenë dhënë shpjegime mbi motivet.

SPAK arriti të zbardhë këtë ngjarje pas mbërritjes nga Franca të komunikimeve në aplikacionin “SkyECC” dhe pas finalizimit të hetimeve çoi në gjyq si të pandehur 9 persona.

Ata akuzohen si anëtarë të një grupi të kriminal që ndër vite ka planifikuar të paktën 3 herë vrasjen e Arjan Ndojës, i cili mbante asokohe postin e prokurorit në Prokurorinë e Durrësit.

Për ngjarjen e ndodhur në 1 nëntor 2019 te mbikalimi i Shkozetit, Redjan Rraja u dënua në prill 2024 me vendim të Gjykatës së Posaçme të Apelit me burgim të përjetshëm si një nga atentatorët.

Fajtor u shpall edhe bashkëpunëtori i tij, Aril Halilaj, i dënuar me 35 vjet burg. Ndërsa Plaurent Dervishaj akuzohet si porositësi i atentatit së bashku me Ramazan Rrajan, nipin e ish-deputetit socialist Rrahman Rraja.

Si Plaurent Dervishaj, ashtu edhe Julian Meçe, i shpëtuan një tentati me armë zjarri në Durrës në 20 qershor 2019 teksa udhëtonin me makinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Një përgjigje te “Atentati në Shkozet në 2019, deputeti Arjan Ndoj në GJKKO: Sulmi zgjati 20 sekonda”

  1. Zeynep Arslan thotë:

    Harika bir yazı olmuş, elinize sağlık! ytasoft.com.tr

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë