Gazeta Si – Hetimet për zjarrin te pallati 12-katësh, që dogji me dhjetëra apartamente, kanë përfshirë dhe një grup fëmijësh.
Prokuroria e Tiranës ka marrë në pyetje pesë të mitur, pasi nga këqyrja e kamerave të sigurisë ata shfaqen duke hedhur mbeturina në një karrocë, e cila dyshohet si vatra e zjarrit.
Të miturit, banorë të kompleksit “Arlis” ku ndodhi ngjarja, janë pyetur në prani të psikologëve dhe prindërve. Sipas dëshmive të tyre, veprimet nuk kanë qenë të qëllimshme.
Ata kanë deklaruar se pranë një kondicioneri ndodhej një karrocë me mbeturina dhe një objekt i djegshëm, pa qenë të vetëdijshëm për rrezikun që mund të shkaktonin.
Ndërkohë, burime nga hetimi bëjnë me dije se prokurori i çështjes ka urdhëruar vijimin e veprimeve hetimore në vendngjarje, si dhe marrjen në pyetje të personave të tjerë që mund të kenë dijeni për rrethanat e zjarrit.
Sipas burimeve pranë grupit të hetimit, ende nuk ka përfunduar aktekspertimi shkencor mbi shkakun e zjarrit.
Nga ana tjetër, bazuar në referimin e Policisë, janë proceduar katër shtetas: Razie Sula, Agron Cara, Enver Ademi dhe Altin Furtuna, të dyshuar për shkelje të rregullave të mbrojtjes nga zjarri.
Për ta, Gjykata Penale ka caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe përgjegjësitë e zjarrit që shkaktoi dëme të konsiderueshme në ndërtesë.
Ngjarja ndodhi më 14 prill, ku si pasojë e zjarrit që përfshiu pallatin u shkrumbuan 30 apartamente. Një ditë më pas kryeministri Edi Rama me anë të një reagimi në rrjetet sociale tha se apartamentet do të rindërtohen 100% nga vetë kompania.
Dy ditë më parë, Këshilli Bashkiak Tiranë ka miratuar ndihmën financiare për familjet e prekura nga zjarri që përfshiu pallatin 12-katësh pranë QSUT-së javën e kaluar.
Sipas projekt-vendimit, që u paraqit për miratim përpara Këshillit Bashkiak, do të jepet një dëmshpërblim prej 40 mijë lekësh në muaj për familjet e prekura.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje