Biznes

Sistemi i ri që zëvendëson kasat. Biznesi që humb dhe a ulet evazioni?

Sabina Veizaj- Biznesi ende nuk është njohur në detaj me instalimin dhe funsksionimin praktik të sistemit të ri të inteligjencës artificiale për fiskalizimin, por tutet për barrën e mundshme fiskale që do ti shtohet shpenzimeve të tjera të aktivitetit të tyre.

Gazeta “Si” komunikoi me administratorin e një biznesi të madh në Tiranë, i cili drejton 25 filiale të aktivitetit të tij, që për arsye të klimës së nderë të biznesit në vend nuk dëshiroi të identifikohej. Ai tha se i trembet faturave shtesë të zëvendësimit të sistemit të qarkullimit dhe monitorimit të transaksioneve duke marrë parasysh se sa i ka kushtuar sipërmarrjes së tij, sistemi aktual i deklarimit.

Ai thotë se investim fillestar për kasa fiskale ka qenë 11, 250 euro (duke llogaritur një kasë 450 euro).

Por kasat fiskale variojnë nga 400-600 euro në varësi të specifikës së shërbimit të biznesit dhe cilësisë së tyre.

Sipas tij, shpenzimi më i madh në këto vite ka qenë nga dëmtimi i paisjeve, që shpesh nuk gjeje pjesë këmbimi dhe duhet ta blije kasën të re nga e para.

Administratori shpjegon për Gazeta “Si” se kasat fiskale shfaqin probleme një herë në tre vjet. Po ashtu një herë në gjashtë muaj ato kërkojnë shërbim 7000 lekë për memorien, plus shërbime të tjera.

Ministra e Financave Anila Denaj prezantoi ditën e djeshme projektligjin “Për Faturën dhe Sistemin e Monitorimit të Qarkulllimit”.

Anila Denaj, Ministre e Financave dhe Delina Ibrahimaj Drejtore e Tatimeve

Projekti parashikon që, duke nisur që nga data 1 Janar 2020, të gjitha transaksionet midis bizneseve dhe konsumatorit do të raportohen te Administrata Tatimore në kohë reale, bazuar në sistemin e ri të pajisjeve fiskale, ndërsa nga 1 Janari 2021, të gjithë transaksionet ndërmjet biznesit me njëri- tjetrin dhe ndërmjet biznesit dhe organeve publike do të bëhen në bazë të faturës elektronike.

“Reforma e Fiskalizimit është një angazhim madhor i Qeverisë në përpjekjen e saj për të minimizuar ekonominë informale përmes modernizimit të sistemit të monitorimit të taksave. Ne besojmë se ky sistem i ri do të revolucionizojë mënyrën se si bëhet biznes në Shqipëri, por gjithashtu të ardhurat e tij, se si regjistrohen, fiskalizohen dhe për më tej si do të përdoren për përmirësimin e jetës së çdo qytetari, duke synuar më shumë investime në arsim, shëndetësi, drejtësi, infrastrukturë, por mbi të gjitha duke përmirësuar klimën e mirë të biznesit”, u shpreh ministrja Denaj.

Ajo sqaroi se synimi i kësaj reforme është: minimizimi i nivelit të ekonomisë informale; përmirësimi i mbledhjes së të ardhurave; Identifikimi më i lehtë i evazionit; kryerja e auditimit të taksave më kost-efiçent; ulja e nivelit të korrupsionit në administratë; ofrimi i më shumë shërbimeve publike për qytetarët dhe biznesin; pozicionimi i Shqipërisë më afër standardeve të Bashkimit Europian.

Nisur nga këndvështrimi i biznesit të madh, kjo iniciativë, edhe pse sapo e hedhur në diksutim, është një hap i rëndësishëm pozitiv dhe i duhur për ekonominë e vendit.
Siç argumenton dhe Arben Shkodra nga Dhoma e Prodhuesëve, sistemi i ri do të ndihmojë mbi të gjitha biznesin e ndershëm.

“Biznesi i madh nuk do të ketë barrë fiskale për kalimin nga një sistem në tjetrin. Ata tashmë i disponojnë softueret e menaxhimit financiar. E kanë faturën elektronike që i njihet nga sistemi, pa TVSH (kjo pjesë do të rregullohet)” thotë Shkodra, i cili shpjegon se sistemi i ri do të ndihmojë biznesin e ndershëm që nderi tani ka dalë i humbur nga tregu.

Sipas tij “faturat do të kryqëzohen në dritë të diellit, pra sistemi do të ketë transparencë të plotë. Përderisa e gjithë bota po synon inteligjencën artificial dhe edhe nëse ne nuk shkojmë, do të vijë ajo tek ne, pse të mos e përshpejtojmë”.

Shkodra shpjegon se nga ana e zbatimit teknik, biznesi po e studion projektligjin dhe do të dalë me një analizë dhe propozime pas një jave, por parimisht është dakord.
Sipas tij, problematikat që mund të dalin i përkasin biznesit mikro dhe të vetëpunësuarëve, sidomos atyre që janë në zona të thella dhe pa internet.

“Italia dhe Portugalia kanë nisur ta zbatojnë këtë sistem një vit më parë dhe problematikat e para kanë qenë me mikro bizneset”- shpjegon Shkodra, megjithatë “nuk duhet ti themi jo revolucionit dixhital”.

Projektligji

Projektligji i propozuar ka për synim krijimin e një sistemi të ri faturimi dhe monitorimi të transaksioneve të bizneseve në vend, bazuar në një sistem të ri të pajisjeve fiskale (gjenerata e re e kasave fiskale).

Në relacionin bashkëngjitur projektligjit sqarohet se Reforma e Fiskalizimit është një angazhim madhor i Qeverisë në përpjekjen e saj për të minimizuar ekonominë informale përmes modernizimit të sistemit të monitorimit të taksave.

Në projektligj përcaktohen rregullat e përgjithshme për lëshimin e faturave. Si rregull, faturat duhet të lëshohen për çdo furnizim të mallrave dhe shërbimeve në çdo veprimtari ekonomike, sipas përcaktimeve në ligjin për TVSH-në.

Po ashtu përcaktohen rastet e veçanta për tatimpaguesit e caktuar që duhet lëshuar fatura.
Përcaktohet edhe momenti i lëshimit të faturave dhe e-Faturës. Koha e faturimit është në përputhje me dispozitat aktuale të ligjit për TVSH-se dhe të dhënat e detyrueshme që secila faturë duhet të përmbajë, përveç atyre faturave që lëshohen me procedurë të thjeshtuar.

Shumica prej këtyre të dhënave do të mund të programohen dhe memorizohet në zgjidhjen softuerike, pra të përcaktohen në mënyrë automatikisht sipas rregullave të përcaktuara dhe nuk do të ketë nevojë të futen manualisht nga operatori ose të rishkruhen çdo herë,
Gjithashtu parashikohet përmbajtja e detyrueshme e e-Faturës në transaksionet ndërmjet bizneseve private, duke përfshirë bizneset e vogla dhe të mesme, si dhe për transaksionet me organet publike.

Në të, përcaktohet përjashtimi nga fatura që duhet lëshuar me procedurën e thjeshtë (më me pak të dhëna në faturë), në mënyrë që të ulet barra administrative për tatimpaguesit që i nënshtrohen regjimit të bizneseve të vogla.

Gjithashtu projektligji parashikon disa përjashtime nga detyrimi për të lëshuar faturën, të tillë si prodhuesit bujqësorë, që operojnë sipas skemës së kompensimit të fermerit në përputhje me ligjin për TVSH-në; shitja e biletave dhe kuponave nga shoferi i mjetit të transportit në linjat e transportit urban, në përputhje me vendimet e njësive të vetëqeverisjes vendore; furnizimi i mallrave dhe shërbimeve nga persona fizikë të regjistruar në administratën tatimore si “ambulantë”; individët në rastet kur japin me qira një ambient.

Projektligji parashikon në të njëjtën kohë edhe detyrimin e regjistrimit të subjekteve që lëshojnë fatura. Administrata Tatimore do të mbajë një regjistër të të gjithë tatimpaguesve që lëshojnë fatura, në kuadër të regjistrit të tatimpaguesve, që do të jetë pjesë e sistemit të “self-care”.

Biznesit i lind detyrimi për të regjistruar vendin e ushtrimit të veprimtarisë së biznesit nëpërmjet platformës qendrore të faturave. Vetëm në raste të veçanta, nëse tatimpaguesi ndodhet në një zonë ku nuk ka lidhje interneti, atëherë regjistrimi kryhet në drejtorinë përkatëse të Administratës Tatimore.

Projektligji përcakton dy lloje detyrimesh: 1.detyrimi i prodhuesit dhe/ose mirëmbajtësit të zgjidhjes softuerike për lëshimin dhe fiskalizimin e faturave, i cili duhet të regjistrohet në një regjistër të veçantë të prodhuesve dhe/ose mirëmbajtësve të zgjidhjes softuerike, si dhe të regjistrimin e zgjidhjessë tij softuerike, të cilat do të certifikohen dhe kontrollohen nga AKSHI nëse është në përputhje me specifikimet teknike të këtij ligji dhe 2. detyrimi i çdo subjekti që lëshon fatura për të regjistruar mirëmbajtësin e zgjidhjes softuerike.

Qeveria ka parashikuar që për biznesin e vogël të aplikohet procedura e thjeshtuar . Këshilli i Ministrave do të përcaktojë me vendim kategoritë e bizneseve të vogla të cilët do të aplikojnë procedurën e thjeshtuar.
Pavarësisht se bizneset do të funksionojnë në mënyrë dixhitale, do të kenë detyrimin të printojnë faturën në letër, etj.

Nëntë vjet më parë, çdo biznes në Shqipëri u detyrua në bazë të ligjit të blinte një pajisje elektronike fiskale. Bashkë me vendosjen e kasave fiskale, parlamenti miratoi në atë kohë ndryshime në kodin fiskal të vendit, duke imponuar gjoba të majme për rastet kur bizneset kryejnë shitje, por nuk printojnë faturë. Në total shqiptarëve, kasat fiskale iu kushtuan disa dhjetëra milionë euro.

Megjithë argumentin se kasat fiskale do të ulnin evazionin fiscal dhe do të rrisnin të ardhurat në buxhetin e shtetit, me gjithë fushatat antiinformalitet të qeverisë aktuale nisur nga 2015-ta, nuk pati asnjë rezultat të kënaqshëm, të pritshëm.
Shifrat nga fushatat akute antiinformalitet, nisën të binin më vonë.

Tetë vjet pas instalimit të kasave, 76% e të ardhurave të buxhetit nga tatimi mbi vlerën e shtuar, (tatimi që kasat supozohet se do të ndihmonin të mblidhej saktë), ende mblidhen në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe janë rezultat i mallrave të importuar. Tatimet mbledhin vetëm 24% të TVSH-së.

Restorantet dhe lokalet u ankuan në atë kohë se kasa fiskale nuk mundësonte ndarjen e llogarive sipas kamarierëve apo banakierëve. Gjithashtu nuk i shërbente biznesit për funksione të tjera të rëndësishme, si mbajtja e llogarive apo gjendja e inventarit. Me frikën se kasat ishin të manipulueshme, qeveria urdhëroi moslejimin e mbajtjes krahas kasave fiskale, të printerëve jofiskalë të lidhur me programe kompjuterike në ndihmë të menaxhimit të përditshëm të një biznesi.

Aktualisht mosshtypja e kasës fiskale dënohet me mbyllje të aktivitetit të biznesit për deri 30 ditë, një masë ndëshkuese që rëndoi mbi disa biznese në kulm të sezonit turistik.
Për këtë qeveria ka vendosur dixhitalizimin e plotë të deklarimit.
Por a do ta përmbushë sistemi i ri misionin?

Disa ekspertë mendojnë se evazioni nuk është problem ekskluziv i sistemit teknik, por vullnetit të qeverisë, sepse sipas tyre evazionin e bëjnë kompanitë oligopol nën hundën e qeverisë, të cilave nuk u ka hyrë asgjë më këmbë.

Sipas tyre, evazioni ndodh jo sepse qeveria dhe Tatimet e kanë të pamundur ta evidentojnë atë, por sepse ata që bëjnë evazion jane bashkëpunëtorët më të ngushtë të qeverisë në biznes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë