Politike

Mesazhi i ambasadorit Wendt për shqiptarët: Do përqendrohem në 3 prioritete kyçe

Ambasadori amerikan në Shqipëri Eric Wendt ka shpalosur prioritetet e bashkëpunimit SHBA-Shqipëri gjatë mandatit të tij në Tiranë që sapo ka filluar.

Ambasadori Wendt tha se tre prioritetet e tij gjatë kohës si ambasador do të jenë fusha e mbrojtjes, rritja e tregtisë e investimeve me përfitime të ndërsjella mes dy vendeve, si dhe lufta ndërkombëtare kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Gjatë shërbimit tim të mëparshëm ushtarak, së bashku me Forcat Speciale Shqiptare, si dhe gjatë udhëtimeve të mia nëpër Shqipëri, ku kam takuar qytetarë të zakonshëm shqiptarë, kam përjetuar personalisht faktin se shqiptarët janë një popull jashtëzakonisht mikpritës, punëtor dhe krenar”, thotë Wendt, duke shtuar se gjatë muajve të ardhshëm, nën drejtimin e tij si ambasador, Ambasada e Shteteve të Bashkuara do të zhvillojë një vlerësim, i cili do të ndihmojë në përcaktimin e rrugës.

“Në kuadër të këtij vlerësimi, mezi pres të udhëtoj drejt disa qyteteve dhe zonave të Shqipërisë, siç është praktikë e zakonshme diplomatike. Do të marr pjesë në takime të shumta me liderët e ndryshëm politikë që ju keni zgjedhur, si dhe me përfaqësues të qeverisë, drejtues ushtarakë, drejtues të biznesit, përfaqësues të sistemit të drejtësisë dhe drejtues të tjerë. Gjithashtu, mezi pres të takohem me qytetarë të zakonshëm amerikanë dhe shqiptarë”.

Ai thotë se së bashku do të diskutohen mënyrat tradicionale, por edhe ide të reja dhe krijuese, për të bashkëpunuar në mënyrë sa më efektive në të ardhmen, duke u përqendruar në tri fusha kyçe me përfitim të ndërsjellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërinë.

“E para është të bëhemi më të fortë. Ne bëhemi më të fortë duke ndërtuar kapacitete reale mbrojtëse dhe duke përmbushur pjesën tonë të drejtë të përgjegjësive si aleatë.

E dyta është të bëhemi më të begatë. Do të gjejmë mënyra për të rritur tregtinë, investimet dhe mundësitë, me përfitime të ndërsjella për amerikanët dhe shqiptarët.

E treta është të bëhemi më të sigurt. Do të bashkëpunojmë në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe për mbrojtjen e interesave tona të përbashkëta”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë