Gazeta Si - Shtyhet për të 4-ën herë në Gjykatën e Apelit seanca ndaj deputetit Ervin Saljani, i akuzuar për çështjen “Babale”.
Shkak i shtyrjes së seancës është bërë mungesa e avokatit Indrit Sefa, i cili mbron gazetarin Jetmir Olldashi, i bashkë-pandehur në këtë proces.
Për shkak të mungesës së Sefës, gjykata vendosi avokat kryesisht ndaj gazetarit Olldashi. Seanca e radhës u la me 19 dhjetor, ora 13:00.
Në dhjetor të vitit 2019 Gjykata e Shkallës së Parë e shpalli fajtor dhe e dënoi deputetin me 1 vit burg për akuzën e kallëzimit të rremë.
Gjithashtu fajtor u shpall edhe i pandehuri tjetër Albert Veliu, i cili u dënuar me 3.5 vite burg, ndërsa Fredi Alizoti u dënua 2 vite heqje lirie.
Gjykata dënoi me 6 muaj burgim dhe gazetarin Jetmir Olldashi, dënim të cilin ka konvertoi në shërbim prove, duke kryer 100 ore pune në shërbim publik.
Ky vendim është ankimuar nga të pandehurit dhe avokatët e tyre dhe do të shyrtohet në shkallën e dytë të gjyqësorit.
Nëse Apeli do të konfirmojë vendimin e Shkallës së Parë atëherë deputeti Salianji, rrezikon burgun.
Çështja "Babale" nisi në vitin 2018 pas një video-përgjimi të publikuar nga selia e PD-së.
Në këtë audiopërgjim shtetasi Albert Veliu, i njohur ndryshe edhe si Babale, pretendonte se fliste me vëllanë e ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, për çështje që lidheshin me trafikun e drogës në qytetin e Vlorës.
Opozita pretendonte se ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj kishte mbrojtur vëllanë e tij, Agron Xhafaj, të dënuar me 7 vjet e 4 muaj burg në Itali.
Pasi u publikua audio-përgjimi, Agron Xhafaj u dorëzua tek autoritetet italiane dhe është në qeli, ndërsa Prokuroria nisi paralelisht një hetim. Ndërkohë, “Babalja”, pritet të ekstradohet nga Kosova në Shqipëri, pasi u largua menjëherë pas publikimit të audio-përgjimit në maj 2018.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.