Lajme

“Babalja”: I qëndroj deri në vdekje vërtetësisë së atij audiopërgjimi

Politika shqiptare muajt e fundit është trazuar nga Albert Veliu, apo i njohur tashmë si Babalja, me dorëzimin e një audiopërgjimi, ku implikohej Agron Xhafaj, vëllai i Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafajt, në histori trafikimi droge.

Babalja tashmë ndodhet në kampin e azilantëve në Prishtinë, ku gjykatat kosovare refuzuan kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta ekstraduar dhe pret që të fitojë statusin e azilantit politik në Kosovë.

Në një intervistë për emisionin “Open” në Top Channel, Albert Veliu tregoi se audiopërgjimin ia kishte dorëzuar Jetmir Olldashit, por që nuk ishte në dijeni se ai ishte gazetar.

“Për transmetimin e audiopërgjimit, mësova pas një telefonate të djalit tim. Unë ia kisha dorëzuar materialin njërit që punonte në SHIK, (tashmë SHISH), Jetmir Olldashit. Nuk e dija që ai ishte gazetar”, deklaroi Babalja për “Open”.

Albert Veliu shtoi gjithashtu se transmetimi i audiopërgjimit ishte bërë nga gazetari Olldashi dhe PD-ja, pa lejen e tij.

Pak ditë më parë, analizat e një laboratori britanik sugjeruan se audiopërgjimi i Albert Veliut me Agron Xhafajn është i montuar, duke bërë që prokuroria të lëshojë një sërë urdhër-arrestesh, përfshi edhe për Babalen.

Vetë Albert Veliu, në rrëfimin e tij për “Open” këmbëngul se në audiopërgjim është zëri i tij dhe ai i Agron Xhafajt, vëllait të ministrit të Brendshëm.

Babalja shton gjithashtu se i janë bërë shumë oferta, por edhe presione që të dalë e të thotë se audioregjistrimi ishte i manipuluar, por ai i ka refuzuar.

“Unë i qëndroj deri në vdekje, vërtetësisë së atij audiopërgjimi. Le të presim që të dalë nga burgu ai personi tjetër (Agron Xhafaj), dhe të bëjmë ballafaqimin. Të na merret zëri të dyve dhe më pas do provohet që unë kam të drejtë. Unë i qëndroj të vërtetës time dhe nuk kam frikë për veten, por vetëm për familjen time”, deklaroi Albert Veliu.

Ai gjithashtu tregon se si policia i ishte ofruar për mbrojtje, ndonëse emri i tij nuk ishte publikuar ende, pas transmetimit të audiopërgjimit me Agron Xhafajn.

“Shkon shefi i krimeve të Vlorës dhe i kërkon djalit tim, numrin tim të telefonit. Më telefonoi dhe më tha se kishin urdhër të më merrnin në mbrojtje, ndërkohë që emri im nuk kishte dalë ende, pasi në audiopërgjim përdorej emri “Dëshmitari X”. Pra, pa dalë emri im asgjëkundi, shteti më dërgon policinë të më mbrojë. Unë e refuzova dhe u thashë se nuk kam nevojë për mbrojtje, pasi nuk kam bërë asnjë gjë”, deklaroi Babalja.

Albert Veliu deklaroi se është i bindur se do të fitojë azilin politik në Kosovë, pasi kërkesa e tij është në përputhje me të gjitha konventat europiane dhe mbi të gjitha, te shteti kosovar.

Në audiopërgjimet e Fredi Alizotit, përmendet edhe një emër, “Taulanti nga Librazhdi”, për të cilin Prokuroria nuk ka ende dijeni se kush mund të jetë.

I pyetur se cili është “Taulanti nga Librazhdi”, në audiopërgjimin e Fredi Alizotit, Albert Veliu, për emisionin “Open”, dha referenca për kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Ballës.

“Taulanti është ai djali i shkathët, që ka lidhje me të gjithë “kingat” e Shqipërisë. Është ai që del e thotë ‘Babale 1’ e ‘Babale 2’, e me radhë. E di e gjithë Shqipëria, cili është ky Taulanti. Ne babale jemi, e babale do vdesim, por nuk jemi si Taulanti”, deklaroi Albert Veliu.  

Ndaj Babales nuk kanë munguar edhe kërcënimet. Ai tregoi një rast në Kukës teksa po drekonte me disa miq të tij.

“Kam pasur kërcënime kur më arrestuan në Kukës. Isha nisur për të bërë shpenzimet e mia diku. Do bëja pazaret e mia do dilja për qejfin tim se unë isha shtetas i lirë, nuk isha në kërkim. Do vete ku të dua. Do ikja në Kukës, në Shkodër me miqtë e mi, do veja të haja një drekë. Në datën 18 do veja të haja një drekë do ikja ku të doja se jam shtetas i lirë. Nuk isha në kërkim, isha një dëshmitar. Më kanë dalë 6 maska. Isha në një restorant në Kukës më kanë ardhur në kokë, pa uniformë policie. Targa angleze, gjermane, asnjë targë shqiptare. Makina si të grabitura. Më kanë mbajtur 3 orë peng në Laç, në një rrugicë”, është shprehur Veliu.


Copyright © Gazeta “Si”




Më Shumë