Ne rrjet

Si ndryshoi jeta në Izrael me fillimin e luftës

Qytetet pranë Rripit të Gazës janë thuajse të pabanuara, universitetet janë në ngërç, ka shumë pasiguri dhe shitja e armëve është rritur

Gazeta Si - Kanë kaluar pak më shumë se një muaj nga sulmet e Hamasit në Izrael, por trauma e asaj që ndodhi, e paprecedentë në historinë izraelite, vazhdon të japë pasoja të rëndësishme.

Një nga më të raportuarat nga gazetat lokale është një ndjenjë e përhapur pasigurie për shkak të mungesës së besimit, si ndaj qeverisë së Benjamin Netanjahut, tashmë shumë e kontestuar përpara sulmeve, ashtu dhe ndaj inteligjencës dhe ushtrisë, të akuzuar se ishin kapur plotësisht në befasi dhe se nuk kishin pasur asnjë paralajmërim për sulmin.

Lufta e vazhdueshme ka gjithashtu efekte të drejtpërdrejta në jetën e përditshme të shumë izraelitëve, e përforcuar nga pasiguria rreth rezultatit dhe kohëzgjatjes së konfliktit.

Në javët e para pas sulmit të Hamasit, shkollat, restorantet, qendrat tregtare dhe klubet u mbyllën në Izrael. Punonjësit e kompanive dhe zyrave punonin në distancë kur ishte e mundur, u shënua një rritje e shitjeve në supermarkete, veçanërisht e ushqimeve, ndërsa qytetet mbetën kryesisht të shkreta, si në kohët e pandemisë.

Sot, Izraeli po përpiqet t'i rikthehet normalitetit, me disa komplikime, duke përfshirë faktin se rreth 5 për qind e popullsisë ka braktisur studimet dhe punën për t'iu përgjigjur thirrjes së ushtrisë (sidomos personat nga mosha 21 deri në 40 vjeç).

Mbishkrime në Tel Aviv që kërkojnë lirimin e pengjeve

Që nga fundi i tetorit, shkollat ​​kanë rifilluar punën: ato u rihapën me kushtin që afër të kishte një strehë kundër raketave.

Disa, nga ato shkolla pa strehimore, po vazhdojnë mësimin në distancë, ndërsa në zonat pranë Rripit të Gazës dhe Libanit, kanë mbetur të mbyllura.

Thirrjet e rezervistëve kanë reduktuar edhe stafin pedagogjik, me probleme të ndryshme organizative dhe ulje të orëve për disa studentë.

Megjithatë, universitetet mbetën kryesisht pa studentë: pothuajse të gjithë izraelitët në atë grupmoshë që nuk ishin të përkatësisë arabe, u thirrën nga ushtria nën armë.

Mësimet nuk kanë filluar përsëri as për 20 për qind të arabëve izraelitë: fillimi i vitit akademik, tani për tani është shtyrë për në 3 dhjetor, me idenë për ta zgjatur atë në verë.

Shumica e restoranteve dhe klubeve janë rihapur, veçanërisht në Tel Aviv. Edhe në Shuk, tregun e madh të Jeruzalemit, jeta e natës po kthehet gradualisht në normalitet.

Një rrugë në Tel Aviv, me një arush pelushi, një instalacion për të kujtuar pengjet e rrëmbyera nga Hamasi

Pas disa javësh mbylljeje, disa ambiente po rihapen, megjithëse muzika normalisht e lartë për momentin mbahet në sfond, për të “krijuar një atmosferë”.

Ndërtimi po përballet me shumë vështirësi për shkak të mbylljes së kufijve me Gazën dhe Bregun Perëndimor, duke qenë se një pjesë e mirë e 150 mijë lejeve të punës të dhëna për qytetarët palestinezë kishin të bënin me këtë sektor.

Mungesa e shumë emigrantëve aziatikë, të cilët u kthyen në vendet e tyre në ditët pas sulmeve, u ndje veçanërisht në fshat, ku forcat e shumta të munguara të punës u zëvendësuan nga vullnetarë nga qytetet.

Në vendet më turistike efektet e luftës ishin veçanërisht të dukshme. Një muaj pas sulmeve, qyteti i vjetër i Jeruzalemit, normalisht i mbushur me vizitorë nga e gjithë bota, është ende pothuajse krejtësisht bosh. Udhëtimet, fluturimet dhe turnetë me guidë janë anuluar, shumica e dyqaneve të lidhura me turizmin janë ende të mbyllura dhe rrugët janë pothuajse të shkreta. Pas sulmeve, mbi 200 mijë izraelitë u evakuuan nga zonat afër kufirit me Rripin e Gazës dhe Libanin.

Një banor i Kibbutz Be'eri, i cili u zhvendos në një hotel në Detin e Kuq

Qyteti i Sderotit (i cili kishte 35 mijë banorë) dhe komunitetet e vogla pranë Ashkelonit, janë sot pothuajse totalisht të pabanuara, ndërsa qytetet e tjera kanë problemin e kundërt: në Eliat, në Detin e Kuq, kanë mbërritur mbi 60 mijë refugjatë, hotelet në zona janë plot dhe shkollat ​​duhej të organizonin dy turne për të akomoduar të gjithë fëmijët.

Rreth 25 mijë njerëz kanë mbërritur në Jeruzalem, nga të cilët 7 mijë nga kufiri me Libanin: qyteti ka vendosur një sërë masash ndihme për familjet e zhvendosura, duke përfshirë një bazë të dhënash të kujdestarëve vullnetarë.

Edhe ata që kanë mbetur në shtëpi, kanë ndryshuar shpesh përditshmërinë e tyre: gazetat izraelite tregojnë shumë histori të qytetarëve të traumatizuar që kanë probleme të largohen nga shtëpitë e tyre ose që flenë në dhoma të sigurta.

Efekti më i dukshëm, megjithatë, është një përhapje e shtuar e armëve të zjarrit, të cilat gjithnjë e më shumë izraelitë i mbajnë me vete si mjet mbrojtës.

Një i ri izraelit me një pushkë sulmi në qafë në bregdetin e Tel Avivit

Pistoletat janë të përhapura, por shihen edhe pushkë gjysmë automatike. Sipas të dhënave nga Ministria izraelite e Sigurisë Kombëtare, 120,000 licenca armësh janë kërkuar që nga 7 tetori: aq sa ishin kërkuar në dy vitet e mëparshme.

Poligonet e qitjes janë veçanërisht të mbushura me njerëz dhe në qytete të ndryshme grupe fqinjësh janë organizuar në ekipe të armatosura të reagimit emergjent në rast të një sulmi terrorist.

Ndjenja e pasigurisë e ka bërë më komplekse edhe bashkëjetesën me pakicat arabe brenda vendit.

Historiani dhe shkrimtari izraelit, Gideon Avital-Eppstein, i tha gazetës spanjolle “El Pais”: "Shumica e izraelitëve sot përjetojnë një disonancë njohëse: deri vonë ata ishin të bindur se kishte diçka të ngjashme me paqen dhe se ajo po funksiononte".

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë