Histori

Si e shembi ngrohja globale Perëndorinë e parë të njerëzimit

Komuniteti i historianëve dhe arkeologëve bie dakort se perandoria e parë e njerëzimit është Perandoria Akadiane, e themeluar në vitin 2300 para Erës Sonë, por ndahen në disa rryma e teori mbi faktorët që çuan në rrëzimin e kësaj perandorie.

Perandoria Akadiane u themelua nga Sargon, që arriti të bashkojë ku me dhunë e ku me diplomaci një seri qytet-shtetesh që shtriheshin në luginat e lumenjve Tigër dhe Eufrat, territor që sot ndahet mes Sirisë, Irakut dhe Iranit. Shtrirja gjeografike e perandorisë nënkuptonte se ajo kishte nën kontroll toka me prodhueshmëri të lartë, sidomos në veri të saj, por që vareshin fort nga reshjet e shiut.

Arkeologu i Yale University, Harvey Weiss është i bindur se në shkatërrimin e Perandorisë Akadiane në vitet 2200 para Erës Sonë, ndryshimi i klimës ka luajtur një rol kryesor. Ai nuk ka qenë në gjendje që të sjellë argumente të forta për këtë tezë të tijën, por e mbron atë me faktin që pjesa më e madhe e zbulimeve antike për qytetërimin akadian i takojnë periudhës para vitit 2200 p.e.s.

Weiss dhe grupi i tij i historianëve dhe arkeologëve thonë se në këtë periudhë sinjalizohet një thatësirë disavjeçare që ka prekur zonën veriore të Perandorisë, pikërisht atë që ishte rajoni më prodhimtar i saj. Ky rajon ishte hambari i prodhimit të drithërave dhe ushqimeve të tjera për ushtrinë dhe popullsinë e perandorisë edhe në jug të saj.

Mungesa e reshjeve çoi në mungesë të ushqimeve dhe të ujit, siç dëshmohet në përshkrimin e trazirave sipas tekstit antik “Mallkimi i Akadit”. “Arat me të mbjella nuk prodhuan grurë, lumenjtë nuk kishin më peshq, vreshtat nuk prodhonin më verë, retë nuk lëshonin më shi”, shkruhet në tekstin e dëshifruar nga shkencëtarët.

Mungesa e ujit dhe e prodhimit çoi në eksod masiv të popullsisë, konflikte të përgjakshme mes qytet-shteteve që u rebeluan, e për rrjedhojë shkatërrim të perandorisë.

Mali Damavand ne Iran

Nisur nga këto elemente, studiuesit e Universitetit të Oksfordit përforcojnë teorinë mbi faktorët që çuan në fundin e kësaj perandorie. Arkeologët, të udhëhequr nga paleontologia Stacy Carolin kanë studiuar shpellën Gol-e-Zard, në malin Damavand, në Iran. Shpella nuk ka qenë pjesë e Perandorisë Akadiane, por vendosja e saj përballë rrymave ajrore që vijnë nga shkretëtirat e Sirisë dhe Irakut i jep asaj një rëndësi të veçantë. E vendosur aty prej mijëra vitesh, stalaktidet dhe stalagmidet e kësaj shpelle janë një dëshmitare të kohës dhe bazë e fortë të dhënash që tregojnë e reflektojnë ndryshimet klimatike, jo vetëm përreth saj, por në një hapësirë shumë më të gjerë në jug-perëndim.

Falë teknologjisë së sotme, arkeologët kanë qenë në gjendje që të përcaktojnë me përafërsi rekord moshën e tyre dhe duke analizuar pluhurin që është përplasur në muret e shpellës dalin në përfundimin se nga 5200 deri në vitin 3700 vite më parë regjistrohet aktiviteti më i lartë dhe thuajse 90 për qind e pluhurit është me prejardhje nga shkretëtirat e Sirisë dhe Irakut.

Stalagmite ne shpellen Gol-e-Zard

Por si ishin në gjendje që të dallonin pluhurin e shkretëtirës nga pluhuri i vetë shpellës arkeologët? Ata thonë se pluhuri i shkretëtirës ka një sasi disa herë më të madhe magnezi sesa pluhuri përreth Malit Damavand dhe stalagmidet në shpellën Gol-e-Zard kanë një përqëndrim të fortë magnezi, thuajse në nivelet e shkretëtirës siriano-irakiane.

Ky ishte hapi i parë. Hapi i dytë ishte përcaktimi i moshës së stalagmiteve. Kjo ishte detyrë pak më e lehtë për grupin e studiuesve, pasi stalagmitet kanë si veçori që mund t’u përcaktohet lehtësht data e formimit dhe zhvillimit duke përdorur kronologjinë uranium-thorium. Duke kombinuar këto të dhëna të përfituara, shkencëtarët kanë identifikuar dy periudha të gjata thatësire në rajon.

E para ka nisur në vitin 2510 para Erës Sonë dhe ka zgjatur për një shekull dhe e dyta ka nisur në vitin 2260 p.e.s dhe ka zgjatur rreth 3 shekuj. Kjo e dyta përputhet plotësisht me periudhën e rënies së Perandorisë Akadiane, duke dhënë një argument të fortë se ndryshimi klimatik është një faktor i rëndësishëm që ndihmoi në këto evente.

Rënia e Perandorisë shkaktoi një emigrim masiv nga veriu në jug. Banorët vendas u përpoqën që t’i ndalojnë, çka solli vite me radhë konflikt e beteja të ashpra, dëshmi e të cilave sot janë mbetjet e murit prej 180 km të gjatë mes lumenjve Tigër e Eufrat, i ndërtuar si strategji për të ndalur emigracionin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë