Taksa

Si do të taksohen nënkontraktorët e naftës. Shell e kundërshton

Projektligji që ka kaluar sot (të hënën) në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese detyron që nënkontraktorët e kompanive që kryejnë operacione hidrokarbure, të përfshihen në regjimin tatimor më të lartë prej 50% të fitimit nga operacionet hidrokarbure, deri tek regjimi më i ulët 15%.

Projektligji “Për regjimin fiskal në sistemin hidrokarbur” është propozuar nga Ministria e Financave.

Ky projektligji synon, të reduktojë shmangien e taksave nga regjimi fiskal me normë tatimfitimi më të lartë se (50%) tek regjimi i zakonshëm më i ulët se (15%), nëpërmjet përfshirjes në këtë ligj të nënkontraktorëve, sipas rregullave që do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Drafti ka për qëllim gjithashtu të llogarisë fitimin e tatueshëm të një personi nga një operacion i veçantë hidrokarbur për një periudhë tatimore, duke zbritur nga të ardhurat shpenzimet e zbritshëm dhe humbjet e lejuara, por me kusht që zbritja të mos kalojë 85% të të ardhurave të operacionit për periudhën.

Në diskutimet nen për nen, kompania Shell prezente në mbledhje, kundërshtoi zbatimin e regjimit të ri fiskal. Përfaqësuesja e kompanisë Shell, Xheni Karakiqi tha se duhet të zbatohen disa kritere për kompanitë që kryejnë operacioni hidrokarbure, para se të përdoret ligji i veçantë për regjimin e tyre fiskal.

“Nëse do të zbatohet taksa 50% do të rriten kostot e kompanive dhe çmimet për nënkontraktorët, sidomos ata vendas. Regjimi i veçantë fiskal nuk duhet të jetë i përgjithshëm për të gjitha kompanitë, por të zbatohet nëse verifikohet që ka shmangie të tatim-fitimit”, tha ajo.

Drejtori i Përgjithshëm i Politikave Fiskale, Niko Lera bëri me dije se për projektligjin në fjalë është punuar për 2 vjet dhe është diskutuar paraprakisht me kompanitë e naftës. Ai tha se drafti i hartuar rregullon marrëdhëniet me nënkontraktorët e kërkimeve të naftës, që prej 20 vitesh kanë shmangur detyrimet.

“Për taksimin e operacioneve hidrokarbure, janë marrë në konsideratë të gjitha modelet më të mira, për të gjitha kemi pasur mbështetjen e FMN-s, edhe të kompanisë Shell prej 3 vitesh. E para, nënkontraktorët e operacioneve hidrakarbure do të taksohen me 50% tatimfitim deri në 15%. I gjithë sektori operonte me një Dekret të miratuar në vitin 1994, që kishte 3-4 nene dhe shteti shqiptar nuk ka marrë asnjë lekë, pasi problemi ka qenë nga nënkontraktorët. Pra ligji zgjidh një problem 20 vjeçar të këtij sektori.”- sqaroi ai duke vijuar mandej se “Po ju sjell këtu rastin e një kompanie që deklaronte 37 miliardë lekë humbje, ndërsa nënkontraktorët e tij deklaronin fitim 31 miliardë lekë. Ndaj ne kërkuam që të mbyllim transferimin e brendshëm të fitimit. Varianti i projektligjit i dakortësuar synon që të gjithë të paguajnë çfarë i takon dhe të rregullojë marrëdhëniet edhe në këtë drejtim. Vetëm për kompanitë Shell dhe Bankers Petroleum janë dërguar 27 faqe përgjigje për pyetje, kërkesa dhe riformulime që janë reflektuara në draft”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë