Treg

“Shuma nga skema kombëtare s’i hyn në punë as dreqit. Qeveria tallet me ne fermerët”

Ndërkohë që skemat mbështetëse për fermerët u mbyllën, vihet re një hendek i thellë  midis skemave kombëtare të Shqipërisë dhe rajonit; Kosovë, Maqedoni dhe Mali i Zi.

Jo vetëm kaq, por "shuma e vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit, nuk i hyn në punë as dreqit", shprehen fermerët, të cilët e kanë pasur edhe shumë të vështirë të aplikojnë on-line.

Skema kombëtare e mbështetjes së fermerëve arrin vlerën e 743 mln lekëve ose 6 milionë euro. Skema subvencionohet nga buxheti i shtetit.

Eskperti Ervin Resuli ngre pyetjen: “Pyetje prej 743,900,000 lekësh të reja. Çfarë fiton AZHBR-ja nga shtimi i aplikimeve kur nuk ka fond ti mbulojë gjithë aplikantët ?”

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural në njoftimin e saj thotë se për skemën e këtij viti kanë aplikuar përmes internetit, si e vetmja mënyrë aplikimi 7653 fermerë duke e konsideruar një nga shifrat më të larta që AZHBR ka administruar gjatë këtyre viteve.

Por që në krye të herës, gjatë periudhës së informimit për aplikim, Ministria e Bujqësisë dhe AZHBR bënë me dije se përfitues të fondit 6 mln euro do të jenë 4 mijë fermerë.

Nga llogaritë rezulton që një fermer do të përfitojë më pak se 200 mijë lekë (të reja), teksa shpenzimet për një fermë kafshësh (dele qumshti, lopësh) janë mbi 500 mijë (të reja) në muaj.

Ndërkohë që fermerët e konsiderojnë këtë një mbështetje qesharake, ky nivel financimi në vendet e tjera të rajonit është shumë shumë herë më i lartë.

Në Malin e Zi buxheti për bujqësinë për vitin 2020 është 61 milionë euro, me rritje 8.3 milionë euro krahasimisht me vitin 2019.

Po ashtu edhe Kosova ka një buxhet shumë më të lartë për fermerët se Shqipëria; 25 mln euro.

Kurse Maqedonia e Veriut vëren - eksperti Resuli - “jo vetëm jep subvencione në rast fatkeqësie si përmbytje etj, por investon edhe në inovacion për fermerët!" "Shkatërrimi i reve potenciale për të lëshuar "breshër", parandalim i pasojave që sjell breshëri në bujqësi!", shkruan Resuli.

Mungesa e mbështetjes së bujqësisë shqiptare reflektohet edhe në braktisjen që i është bërë sektorit nga njerëzit që janë marrë me të dhe në uljen e krerëve që nëse e krahasojmë me numrin e krerëve para viteve '90, është përgjysmuar.

Aktualisht niveli i aplikimeve në skemën kombëtare është vetëm 16.3% e totalit të fermerëve të pajisur me NIPT (45 mijë fermerë të regjistruar në regjistrin e tatimeve), që sipas Resulit nga njëra anë tregon pamundësinë e fermerëve për të aplikuar sepse një pjesë janë në zona të thella ku nuk ka as energji elektrike dhe as internet, një pjesë tjetër nuk kanë besim, dhe të tjerëve nuk iu interesojnë aq pak para krahasimisht me kohën e humbur dhe paratë për dokumente.

Sipas Resulit, qeveria tallet me fermerët dhe bën vetëm propogandë, ndërsa ka shumë potenciale për ta ringritur sektorin.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë