Art dhe Kulture

Shtatoret në Prizren – Kur estetika dhe ndjenjat e publikut të kthehen kundër

Debati mbi dy shtatoret e përuruara me rastin e festave kombëtare, në Prizren ndërmendi kritikat që lindën në Tiranë dy vjet më parë pas vendosjes së monumentit që nderonte Pjetër Arbnorin, para selisë së Kuvendit.

Ndonëse debati nuk mori përmasat e këtij të fundit, skulptori Fahredin Spahija e pa të udhës të shpjegonte përmbajtjen për ata që nuk e kuptuan, megjithëse kjo nuk qe detyrë e artistit dhe vetë arti me maksimën e tij se “bukuria qëndron tek syri i kundruesit” apo edhe me vetë natyrën subjektive me të cilën përshkruhet, i bën kritikat – veçanërisht ato jashtë ekspertëve të fushës, të debatueshme.

Mbi monumentin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti dhe atij të heroit më të vonë të Luftës për çlirimin e Kosovës nga mizoritë serbe Adem Jashari, zërat e pakënaqësisë erdhën nga i madh e i vogël, nga artistë e të zakonshëm.

Jo vetëm raportet anatomike, punimi pa hollësitë që dallojnë një statujë nga një vepër e mirë, por debati e kaloi fushën tredimensionale të skulpturës për të hyrë tek ai i fushës morale, ku dy figurat, sipas perceptimit që publiku ka për ta, ishin përçudnuar.

Marrëzi artistike dhe kolektive, e cilësonte artisti shqiptar Ardian Isufi, duke thënë se ishte punuar nga një berber e jo skulptor shtatoren e Adem Jasharit.

Analisti  Edison Ypi e cilëson horror estetik, duke shkuar më tej se është aq e devijuar artistikisht dhe logjikisht sa thyen çdo rekord”, shkruan Ypi, ndërsa rendit disa nga ato që i cilëson tmerre skulpturore, të periudhës së Realizmit Socialist, por edhe ato të përuruara në sheshe qytetesh gjatë viteve të tranzicionit.

Ndërsa ajo e Bacës Adem, nuk i rezistoi fort kritikave dhe u hoq pas tri ditësh për t’u ripunuar nga autori, Alban Buxhovi, ende nuk është marrë një vendim për atë të Gjergj Kastrioti Skënderbeut.

Vetë autori, Sinan Aliaj, duke u shprehur se qe i kënaqur me punën e tij do ta çonte debatin në një tjetër pikë të nxehtë, kur deklaroi se nuk ishte bazuar në përfytyrimet e Barletit, Nolit, Naimit apo Kadaresë mbi heroin, duke nënkuptuar kështu edhe mitizimin që historianë dhe njerëz të letrave i kanë bërë strategut dhe luftëtarit më të madh të historisë së kombit.

Ai do të argumentonte se ishte bazuar tek kronikanët e kohës së Perandorisë Osmane,

“Sulltani e ka dashur më shumë se fëmijët e tij. Jam bazuar tek perandoria otomane, ku edhe u rrit dhe u shkollua”, do të shprehej autori në një dalje televizive. Këndvështrimi i autorit ndoshta ka bazë në një qytet ku turqishtja dëgjohet rëndom, ndoshta me të njëjtën shpeshtësi me gjuhën shqipe. Nga të dhënat e CIA Factbook, popullsia turke në Kosovë llogaritet me 1.1 përqind, të përfaqësuar edhe në një prej gjashtë yjeve, që i përkasin gjashtë etnive kryesore, në flamurin e Kosovës.

Por megjithatë deri më tani debatet janë të fokusuar tek estetika e dobët, ku disa e kanë cilësuar si “shëmti” apo “tallje” me figurat e kombit.

Ndoshta nga të gjitha format e artit, skulpturat janë trashëgimia e njerëzimit. Pa autorë, ato të Egjiptit të Lashtë, Lindjes së Mesme, Greqisë së Antikitetit, Perandorisë Romake tregojnë madhështinë e derdhur në gur e mermer, terakotë a argjilë për të kaluar tek ato më bashkëkohoret me autorësi, të derdhura në metal...të gjitha kanë qëllimin për të lënë mbresë.

Përsosmëri shqisore e shihte bukurinë filozofi  gjerman Johann Gottfried Herder, i  cili i hodhi mendimet e tij në esenë mbi Skulpturën, një nga veprat më të rëndësishme të Estetikës në shekullin e 18-të.

 Si shumë bashkëkohës të tij, Herder mbronte qëndrimin se estetika ka të bëjë me përfaqësimin e ndjeshëm apo përvojën mbi objektin. Janë cilësitë e ndjeshme të objekteve që janë estetikisht të kënaqshme, çmuarja estetike angazhon aftësitë tona të ndjeshme–shqisat po aq sa edhe imagjinatën.

“Syri që mbledh mbresa nuk është më syri që sheh një pikturë në sipërfaqe; bëhet dorë, rrezja e dritës bëhet gisht dhe imagjinata bëhet një formë e prekjes së menjëhershme”.

Megjithatë Herder refuzon  përpjekjen për të vendosur “një standard të shijes”. Për të kuptuar domethënien e “bukurisë” së përkufizuar si  të tillë, Herder pretendon se duhet të gjurmojmë përkufizimin tek përvoja e shqisave,  mbi të cilat është themeluar dhe të cilën pretendon të përshkruajë. Si empiristët klasikë, Herder beson se të gjithë konceptet janë të formësuar nga përvoja  e shqisave. “Bukuria e një forme, e një trupi,  shkruan Herder “nuk është vizuale, por një koncept taktil.

Një nga skulptorët e shquar të shekullit 20, Henry Moore, shkruante se një skulptor “duhet të orvatet në mënyrë të vazhdueshme të mendojë për dhe ta përdorë formën në të gjithë plotmërinë e saj hapësinore. Ai kupton formën solide, si të shihte, brenda kokës së tij, ai mendon për të, cilado qoftë përmasa, si të ishte duke e mbajtur krejt të mbështjellë në pëllëmbën e dorës. Ai vizualizon mendërisht një formë komplekse rreth vetes, ai e di ndërsa sheh në njërën anë sesi do të duket ana tjetër, ai identifikon veten me qendrën e saj të gravitetit, masën, peshën, ai kupton vëllimin e saj, si hapësirë që forma zë në ajër”.

Filozofi gjerman, Herder besonte se skulptura, si përfaqësuese e një qenieje njerëzore, e një trupi me shpirt, mbërthen dhe depërton qenien e kundruesit. “...ka fuqinë për të zhvendosur virtualisht shpirtin tonë,  në të njëjtën situatë dhembshurie. Lakimet e gjoksit dhe gjurit, mënyra sesi trupi pushon qetë, duke buluar shpirtin, e gjithë kjo kalon heshtur dhe në mënyrë të parrokshme mbi ne.  E  gjejmë veten, të trupëzuar në natyrën përpara nesh, ose vetë natyra në fjalë gjallërohet nga  shpirti ynë.  Asgjë nuk duhet të jetë thjesht e vëzhguar dhe e trajtuar si të ishte një sipërfaqe; duhet prekur nga gishtërinjtë e lehtë të shqisës sonë të brendshme dhe nga ndjenja jonë harmonike e dhembshurisë, si të kishte ardhur nga duart e Krijuesit”, shkruante Herder, në pikëpamjet e tij mbi estetikën e Skulpturës.

Filozofi gjerman argumentonte se tek një skulpturë nuk lexojmë thjesht gjurmën pamore, një  vetull e mbledhur do të thotë trishtim apo zemërim, sipas konvencioneve të përfaqësimit, por ndiejmë “mënyrën tonë” në pozën dhe shprehinë e trupit të përfaqësuar dhe në këtë mënyrë ndiejmë forcën, trishtimin apo zemërimin e një trupi të gjallë, në atë pozë.

Siç filozofi gjerman u frymëzua nga vizita e tij në Paris për të shkruar përsiatjet estetike mbi Skulpturën, edhe skulptori e piktori Maks Velo një vizitë në kryeqytetin francez e ngacmoi të botonte librin “Skulptura e Realizmit Socialist në Shqipëri dhe skulptura në Europë”, duke vënë ballë për ballë monumentet e ushqyera nga ideologjia e Njeriut të Ri, që sillte punëtorë e luftëtarë në përmasa gjigante, duke ruajtur kujdesshëm udhëzimet e partisë me skulpturën në shprehinë e saj më të lirë e elegante të skulptorëve modernë europiane. Monumentet gjigante, sipas Velos, i  ndarë nga jeta në maj të 2020-s, janë përdhunime të peizazheve.

Të tilla, kishte dokumentuar plot në qytete të ndryshme të vendit, ndërsa thoshte se e njëjta shkollë skulpture e kishte kapërcyer regjimin dhe vijonte të krijonte vepra publike edhe gjatë tranzicionit.

Maninë për të mitizuar apo glorifikuar personazhe, duke rrezikuar për t’i bërë ato qesharake, e vërente edhe skulptori tjetër i ndjerë Arben Bajo, i cili vetë ka realizuar një sërë shtatoresh publike në qytete të ndryshme të vendit. Ai sillte shembull shtatoren e Winston Churchill, që vinte në përmasa dhe tipare të zakonshme njerëzore, pa hiperbolizuar në mënyrë të panevojshme.

Dy vjet më parë, skulptori Fahredin Spahija shpjegonte sesi ishte përpjekur ta sillte Pjetër Arbnorin, jo vetëm si kryetarin e parë të Kuvendit pluralist por edhe si intelektualin e përndjekur dhe dënuar nga regjimi diktatoral, duke e sjellë figurën e tij të ngucët, e të anuar fort tek librat...

Por as kjo nuk i ndaloi njerëzit ta cilëonin të shëmtuar, edhe pa e kundruar nga pranë.Ashtu kishte ndodhur, rrëfente Spahija, edhe me skulptorin e famshëm francez Auguste Rodin. Herën e parë me Heronjtë e Calais, vepër që fyeu ndjenjat e banorëve të qytezës . Vetëm pasi u ekspozua në muzetë më të rëndësishëm të botës, u duartrokit nga intelektualët dhe pas vdekjes së Rodin-it, banorët e Calais-së, në një letër të hapur ndjese kërkuan të vendosej ai memorial ashtu siç e kishte dashur skulptori. E njëjta i kishte ndodhur edhe me shtatoren e Balzakut. Kritika e masakroi Rodin-in duke e cilësuar veprën literalisht  “Është një thes m*ti”.  Kryetari i Shoqatës së Arteve dhe Letrave Frënge, e detyroi skulptorin të kthente mbrapsht paratë e marra kur u pajtua për të realizuar këtë vepër. Sot mbahet si krenaria e skulpturës botërore.

Ndoshta, ashtu si Hegel pas tij, duke ndjekur përshkrimet entuziaste që historiani i artit Johann Winkelmann i bëri statujave greke,  Herder siguron një diskutim të zgjeruar të kuptimeve të tipareve të fytyrës dhe sjelljeve të trupit në skulpturë.

Lartësimi dhe bukuria e trupit të njeriut, çfarëdo forme të marrin, është gjithnjë shprehje e shëndetit, jetës, forcës dhe mirëqenies në çdo gjymtyrë të kësaj krijese artistike,  caktonte si parim themelor Herder. Ndërsa gjithçka e shëmtuar është gjithmonë e rrëgjuar, një shtypje e shpirtit, një papërsosje e formës në lidhje me qëllimin e saj.

Qenia njerëzore në përpjesëtim të drejtë të përmasave, nuk është një abstraksion që rrjedh nga retë,  i kompozuar nga rregullat e mësuara apo konvencionet arbitrare. Është diçka që mund të mbërthehet dhe ndihet nga të gjithë që janë në gjendje të njohin tek vetja ose tek të tjerët formën e jetës, shprehjen e forcës në enën njerëzore.

Por deri më tani, dy shtatoret e vendosura në Prizren, mesa duket, veç autorëve, nuk kanë mundur ta ngërthejnë kundruesin, për ta prekur me imagjinatë skulpturën dhe siç thotë filozofi gjerman, as ia kanë dalë ta transportojnë syrin dhe shpirtin e publikut brenda veprës së artit...Nëse shijet janë sa subjektive dhe të diskutueshme dhe artet shpesh i kapërcejnë apo thyejnë konvencionet, përtej vizionit vetjak, autorët e monumenteve publike, duhet të kenë parasysh se pas përfaqësimit dhe nderimit të një figure, duhet të mbahet parasysh pëlqimi i publikut, syri i të cilit do ta çmojë apo kritikojë objektin që ka përballë... S.B


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë