Njerez

Shqiptari ‘fut në sherr’ dy shtetet, Britania kërkon ekstradimin e tij, Gjermania nuk pranon

Gjykata në Karlsruhe vendos kundër ekstradimit të një shqiptari ‘duke pasur parasysh gjendjen e sistemit britanik të burgjeve’.

Një gjykatë gjermane ka refuzuar të ekstradojë në Britaninë e Madhe një shtetas shqiptar të akuzuar për trafik droge për shkak të shqetësimeve për kushtet e burgut në Britani, në atë që mendohet të jetë rasti i parë i këtij lloji.

Vendimi është përshkruar si një "qortim i ashpër" për Britaninë.

Rasti ka të bëjë me një shqiptar që jetonte në Britaninë e Madhe. Ai u akuzua për trafikim të rreth 5 kg kokainë dhe për pastrim të rreth 330,000 paundësh.

Gjykata në Westminster lëshoi një urdhër arresti ndërkombëtar, i njohur gjithashtu si njoftim i Interpolit, duke kërkuar që ai të kthehej në Britani. Ai kishte udhëtuar në Gjermani sepse e fejuara e tij ishte e sëmurë rëndë atje.

Gjykata më e lartë rajonale e Karlsruhes në Gjermaninë jugperëndimore mori vendimin në fillim të këtij viti dhe është bërë publik vetëm së fundmi.

Një përkthim i raportit të gjykatës thoshte: “Gjykata vendosi që ekstradimi i shqiptarit në Britani ishte ‘aktualisht i papranueshëm’. Pa garanci britanike, ekstradimi nuk është i mundur duke pasur parasysh gjendjen e sistemit britanik të burgjeve. Nuk ka mjete juridike kundër kësaj.”

Personi u arrestua nga policia gjermane dhe u mbajt në paraburgim ekstradimi.

Avokati i tij mbrojtës, Jan-Carl Janssen kishte studiuar në Glasgoë dhe kishte shkruar një tezë që shqyrtonte kushtet e burgut në Mbretërinë e Bashkuar.

Në gjykatë, Janssen përmendi kërkimin e tij rreth mbipopullimit kronik, mungesës së stafit dhe dhunës midis të burgosurve në burgjet britanike. Marrë shkas nga kjo, gjykata gjermane kërkoi siguri në dy raste nga autoritetet e Britanisë për kushtet e burgut atje.

Gjykata tha se kërkohej garanci nga Mbretëria e Bashkuar për standardet minimale në përputhje me konventën europiane për të drejtat e njeriut. Gjithashtu, gjykata u kërkoi autoriteteve britanike të specifikonin se në cilat burgje do të mbahej shqiptari dhe cilat do të ishin kushtet e paraburgimit të tij në ato burgje.

Një stacion policie në Mançester iu përgjigj kërkesës së parë të gjykatës në ditën e fundit të afatit për një përgjigje, duke thënë se 20,000 vende shtesë burgu po ndërtoheshin për të trajtuar problemin e mbipopullimit. Kërkesa e dytë për siguri në lidhje me kushtet e burgut në Britani nuk mori asnjë përgjigje nga ky vend.

Ndërsa edhe më parë janë shprehur shqetësime për burgjet e disa vendeve europiane, një ngjarje e tillë nuk mendohet të ketë ndodhur kurrë më parë në lidhje me kushtet e burgjeve në Britani.

Meqenëse Britania e Madhe nuk është më anëtare e BE-së, rregullat e urdhër-arrestit europian nuk zbatohen më. Marrëveshja e tregtisë dhe bashkëpunimit e lidhur mes BE-së dhe Britanisë në vitin 2020 thotë se një urdhër arresti mund të jetë subjekt i disa kushteve dhe “nëse ka arsye të arsyeshme për të besuar se ekziston një kërcënim real për mbrojtjen e të drejtave themelore të të kërkuarve, personi, sipas rastit, mund të kërkojë garanci shtesë”.

Jonathan Goldsmith, një anëtar i Shoqërisë Juridike, duke shkruar në Gazetën e Shoqërisë së Drejtësisë për rastin, tha se ky është një tjetër qortim që i bëhet Britaninë në lidhje me administrimin e drejtësisë.

“Ky është një siklet për Britaninë”.

Shqiptari nuk kërkohet për vepra penale të kryera në Gjermani dhe gjykata vendosi se pasi nuk kishte marrë garancitë që kërkoi nga autoritetet britanike, nuk do të ekstradohej. Aktualisht ai është sërish i lirë.

Një zëdhënës i Ministrisë së Drejtësisë Britanike tha se kjo qeveri po bën më shumë se kurrë për të ofruar burgje të sigurta që rehabilitojnë shkelësit dhe mbrojnë publikun.

Burimi: The Guardian. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë