Para

Shqiptarët me të ardhura mesatare as kursejnë, as marrin hua të re

Sabina Veizaj- Qytetarët dhe familjet shqiptare me të ardhura mesatare e poshtë as mund të kursejnë, as mund të marrin një hua të re për shkak të mungesës së aftësisë së tyre paguese. Familjet që aktualisht kanë një hua, 17 % e tyre janë nga burime informale dhe 5% e huave janë marrë për konsum të përditshëm.

Të dhënat e Raportit të Stabilitetit financiar të Bankës së Shqipërisë prej vrojtimit për gjashtë mujorin e parë të vitit tregojnë se, vlera e pasurisë financiare të individëve rezidentë, në formën e kursimeve/ investimeve në depozita, tituj apo kuota të fondeve, ka shënuar rënie.

Për vrojtimin është marrë një kampion rastësor prej 1,209 familjesh, 56% e të cilave jetojnë në zonat urbane dhe 44% në zonat rurale të vendit.

Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2018, numri i të punësuarve në kampionin e vrojtuar ka shënuar rënie në terma vjetorë, kryesisht nga rënia e punësimit në sektorin shtetëror, ndërsa numri i të punësuarve në sektorin privat dhe i të vetëpunësuarve ka rezultuar në rritje.

Niveli i përgjithshëm i të ardhurave dhe i shpenzimeve të familjeve është rritur gjatë periudhës së vrojtuar, por sipas rezultateve të vrojtimit, si rritja e shpenzimeve dhe e të ardhurave ka qenë më e theksuar tek familjet me të ardhura të larta, duke rezultuar në ngushtim të balancës financiare (të ardhura – shpenzime). Rreth 28% e familjeve deklarojnë se kanë hua për të paguar dhe kjo peshë ka mbetur e njëjtë krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe me një vit më parë. Rreth 83% e huasë është siguruar nga burime formale dhe 17% nga burime joformale.

Pse marrin hua shqiptarët? Rezultatet e vrojtimit tregojnë se 35% e tepricës së huasë është marrë për blerjen/riparimin e një prone, 41% për zhvillimin e një biznesi dhe vetëm 5% për konsum. Rreth 60% e familjeve huamarrëse deklarojnë se “aftësia e tyre paguese” nuk ka ndryshuar, ndërsa pjesa tjetër deklarojnë kryesisht përkeqësim krahasuar me 6-mujorin paraardhës dhe një vit më parë.

Për gjysmën e dytë të vitit 2018, shumica e familjeve huamarrëse (rreth 74%) nuk presin ndryshim të aftësisë së tyre paguese, ndërsa pjesa btjetër  tregon për një përkeqësim të lehtë. Mundësia për të marrë hua gjatë pjesës së dytë të vitit 2018, rezulton në rënie krahasuar me një vit më parë, pikërisht me mungesën e besimit që të ardhurat e tyre mund të rriten.

Nga vrojtimi rezulton që rreth 28% e familjeve shqiptare kanë të paktën një borxh për të paguar. Sipas nivelit të të ardhurave, huamarrja është e përqëndruar tek familjet me të ardhura më të larta. Në këtë kategori, ecuria e të ardhurave dhe shpenzimeve për familjet huamarrëse, konstatohet që indekset e të ardhurave dhe shpenzimeve të tyre kanë ardhur të dyja në rritje, por në periudhën e fundit shpenzimet janë rritur disi më shpejt.

Dhe kërkesa për huamarrje nga ana e tyre paraqitet e moderuar. Sipas vrojtimit, rreth 62% e të përgjigjurve kanë deklaruar se “nuk presin të marrin hua të re në 6 muajt e ardhshëm”.

Indeksi i mundësisë për të rimarrë një hua të re ka rezultuar 0.16, në rënie krahasuar me një vit më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë