Ngjarje

“Shqiptarët nën pushtetin e Mohit”

Suadela Balliu - U desh një statistikë dhe rezultate që tregonin shifra milionëshe, që të ndizej sirena e vëmendjes, njerëzit të shihnin njëri-tjetrin në sy të habitur e shumë syresh të distancoheshin nga ajo masë –sa konkrete në numra aq edhe pa formë për t’u identifikuar –duke shkruar komente në rrjete sociale, duke postuar e madje, edhe duke folur për librat që kishin lexuar së fundi, që edhe kufirin maksimal me deri në 10 libra që përmbante anketa e Institutit të Statistikave, e kishin tejkaluar jo në një vit, por në një ose dy muaj. Shumë madje propozuan se për këtë realitet kaq alarmant duhen marrë masa të menjëhershme, që situata, në mos të shkojë në normalitet, të paktën të përmirësohet.

Por, cila është situata normale kur vjen fjala te raporti i shqiptarëve me librin? Për ata që e panë me skepticizëm metodën e nxjerrjes së këtyre shifrave nga staticienët apo ishin të paqartë nëse bëhej fjalë për një pyetësor mbi librin letër apo vetëm atë artistik e kështu me radhë, pyetja kishte të bënte me objektin libër, pavarësisht gjinisë dhe formës në të cilën paraqitet. As edhe një libër letrar, historik, gjeografik, filozofik a sociologjik, qoftë edhe kulinarie – aq në trend kohëve të fundit, të paktën në terma shitjesh – apo një libër i blerë dhe i lexuar fëmijëve. Të anketuarit ishin një popullsi mbi njëzetepesë vjeç, moshë që të lë të kuptosh se leximi nuk bëhet në kuadër të kurrikulave shkollore e universitare (moshë ku kryesisht i bie të ketë përfunduar formimi universitar, madje edhe ai master), por si zgjedhje e lirë. E kuptueshme – për të mos thënë edhe e arsyetueshme – shifra e lartë në atë pjesë të popullsisë me arsim të ulët e të mesëm, por jo pak vogël është numri i individëve me arsim të lartë, të cilët nuk kishin lexuar kurrë një libër në jetën e tyre. (E çuditshme sesi 11 mijë e 191 individë që mbajnë diploma universitare, ose të paktën kanë ndjekur studimet e larta, të mos kenë lexuar kurrë një libër!)

Gjimnazistë në kuadër  të nismës, "Tirana lexon". 

Përse një pjesë e shoqërisë e pa si gjendje të jashtëzakonshme, si të ishte një hendek i krijuar së fundi mes librit dhe destinatarit të tij e që më parë nuk ishin shfaqur as më të voglat shenja të mosinteresimit gjithnjë e në rritje drejt librit? Duket se panairet me uljet e rastit, shpesh me tridhjetë apo pesëdhjetë përqind nga kostoja reale e një libri të shtypur, nuk e joshin mjaftueshëm atë masë që, në rastin më të mirë shëtit stendave me vështrim të ngutur e në rastin më të keq as nuk ndalet të hyjë në mjediset ku mblidhen shtëpitë botuese, për të ekspozuar më të mirën e titujve. Edhe nismat gjithëpërfshirëse si “Tirana lexon” fushata kombëtare e   festivalet e leximit, që organizojnë ditë e net maratonash me aktivitete kushtuar librit dhe leximit apo nxitja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ku atyre që lexojnë një libër në urban të mos i merret bileta, nuk kanë aq fuqi të fitojnë njëherë e mirë një lexues.

Po përse nuk lexojmë ne, shqiptarët? Për të mos qenë kritikët më të mëdhenj të vendit dhe vendasve, situata globale nuk duket premtuese për librin, që shënon rënie të vazhdueshme në terma shitjesh e leximesh. A na pengon skamja, kushtet ekonomike e sociale jo të favorshme apo në kulturën tonë dhe stilin e jetesës libri qëndron larg? Statistikat ndër vite, që do jepnin një panoramë më të saktë e do të shmangnin spekulimet, mungojnë, por sipas antropologut Nebi Bardhoshi, e vërteta historike është se shqiptarët nuk kanë pasur ndonjë kulturë leximi aq të zgjeruar, edhe më parë. “Këtu mungojnë statistikat, por mendoj se nuk mund të vajtojmë humbjen e një kulture aq popullore të leximit.” –thotë Bardhoshi, përgjegjës i Departamentit të Etnologjisë në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, në Tiranë.

Antropologu vijon në këndvështrimin e tij se arsyet e kulturës së mosleximit apo të leximit të cunguar janë jo vetëm të shumta, por edhe personale. Megjithatë, Bardhoshi thotë se ekziston një lloj kulture sunduese në shoqërinë e sotme shqiptare, të cilën ai e quan “kultura e mohit”. “Kultura e mohit, ka në themel të saj nxënien pritë të një kulture kritike e reflektive. Ethosi i kulturës së mohit është ndërtuar mbi premisën se, nuk ia vlen të thellohesh në mendime.” Pikëpamje kjo, vijon ai, e cila ndihmohet edhe nga relativizimi i kulturës dhe vlerave, si edhe banaliteti i një diskursi emancipues.

Foto nga Panairi i Librit, Tiranë.

Por çfarë ndodh në kohën që jetojmë dhe ç’lidhje ka me leximin?  “Koha që jetojmë, dominuar prej aksit të kulturës së mohit, përkatësisht ajo e kotësimit, ka mbjellë farën e zhvlerësimit të vlerave dhe cilësisë së jetës që vijnë prej leximit. Madje kjo fjali, edhe ky mendim shpejt mund të klasifikohet si një qëndrim patetik, krejt i pavlerë, si një mendim i dikujt që ka humbur sensin e realitetit. Këtë potencial zhvlerësues e mbart kultura e mohit.” –shton Bardhoshi, ndërsa sqaron se kjo lloj kulture është produkt social i një shoqërie që , në sistemin e saj të shkëmbimit –ekonomik, social, simbolik –i ka dhënë përparësi jo thjesht njeriut ekonomik, dhe jo thjesht njeriut të fortë apo ‘të fortëve’, por një kategorie specifike të të fortëve. I ka dhënë përparësi njeriut abuziv, të cilin antropologu –autor i një sërë botimesh mbi strukturimin social dhe praktikat sociale në popullsinë shqiptare dhe atë të Ballkanit –e përshkruan në dy veçori kryesore; njeriu abuziv merr e nuk jep dhe nuk ka asnjë cilësi heroizmi. “Pra nuk dedikohet, nuk jepet e as i shkon mendja të jepet për diçka veç përfitimit abuziv.”Për pasojë, shoqëritë që mbjellin dhe lulëzojnë këtë lloj kulture e zbehin nevojën për reflektim, që ushqehet prej leximit. “E kotësojnë maturimin, vlerën e përkushtimit, etikën e fitimit e përfitimit me meritë.”

“Koha që jetojmë, dominuar prej aksit të kulturës së mohit, përkatësisht ajo e kotësimit, ka mbjellë farën e zhvlerësimit të vlerave dhe cilësisë së jetës që vijnë prej leximit.

Nebi Bardhoshi, antropolog.

Parë antropologjikisht, shqiptari mesatar, a është i prirë nga artet dhe kultura, si formë shprehjeje e mendimeve, ideve apo botës së tij? Por kush e prodhon sot shqiptarin, antropologjikisht? Sipas Nebi Bardhoshit, krijuesi kryesor i kulturës popullore është media dhe arsimimi. “Mes këtyre dominon media. Dhe siç shohim del se media nuk ka dëshirë të merret shumë me njeriun impenjativ. Kjo gjë bëhet me premisën që njerëzit nuk duan apo njerëzit nuk kuptojnë, por në fakt kjo politikë mediatike ka krijuar një strehë të mirë për kulturën e kotësisë, së mohimit.” Mjaft të shohësh vendin e rezervuar kulturës, shton ai, gjithnjë në fund të faqeve të gazetave apo edicioneve informative, por edhe kur flitet për art, në të shumtën i përket, një kulture kitch.

Nisma "Tirana lexon"

Edhe studiuesi i Filozofisë Klementin Mile, pedagog në Universitetin Europian të Tiranës, e sheh largimin e shqiptarëve nga librat, si një prirje drejt burimeve informative dhe jo atyre kuptimore. “Informacioni është përzgjedhje ndërmjet alternativave që përmban realiteti, ndërkohë që kuptimi i ruan të gjitha alternativat. Shqiptarët preferojnë burimet informative, pasi ato ia paraqesin realitetin më të thjeshtë, më të qartë, më të parashikueshëm. Nga ana tjetër, në libra, si burime kuptimore, ruhet kompleksiteti i realitetit.”, thotë Mile, ndërsa shton se në një realitet aktual, ku njerëzit përballen me probleme të përditshme, nga banalet e deri ato madhoret, bën që njerëzit te mos dëshirojnë të mbingarkohen psikikisht me më shumë kompleksitet, sesa mund të mbajnë.

“Duhet kuptuar që leximi ka nevojë për “kushte ekologjike”, prandaj e gjejmë të pranishëm në vende të botës ku jetohet më mirë, pa shumë stres. Në Shqipëri, duke qenë e kundërta e kësaj, kemi preferencë për burimet informative, që nuk na e komplikojnë më tej realitetin.”Por a është dëshira për vetëmbrojtjeje ajo që i largon shqiptarët nga një aktivitet kaq angazhues mendorë ? A nuk shkaktojnë po aq stres ( dhe jo vetëm) informacione me të dhëna deri në hollësi mbi tragjedi njerëzore, krime në familje, dhunë , të cilat media i ushqen me shpejtësi dhe shpeshtësi mbresëlënëse?! Përse një libër, siç mund të ishte një përmbledhje me poezi, do të shkaktonte aq parehati për psiken e njeriut post-modern, i farkëtuar prej epokës së teknologjisë së informacionit?

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, në shtëpinë-muze të shkrimtarit Ismail Kadare, për aktivitetin "Takohemi për një libër". 

Për sociologun Gëzim Tushi, shifra e publikuar nga Instituti i Statistikave me, mbi 1 milionë shqiptarë që nuk kanë lexuar libra vitin e kaluar, është alarm social-kulturor. Një tjetër krizë mes shumë krizave endemike që po kalon shoqëria shqiptare në 26 vjet tranzicion. Sipas Tushit, ka shumë tregues sasiorë dhe sintetikë për ta përllogaritur handikapin, ku një prej tyre është ulja e numrit të librarive, bibliotekave apo sallave të leximit në qytete. Shqetësim ky i ngritur edhe nga Kreu i Shoqatës së Botuesve Shqiptar, Petrit Ymeri. “Por mbi të gjitha këtë e tregon shitja dhe qarkullimi i ngadaltë i librit që shitet nëpër librari për të kuptuar marrëdhëniet problematike e të përkeqësuara të njeriut me librin.”Argumentet që priren të justifikojnë këtë gjendje, sipas sociologut, janë herë të vërteta, por shpesh vishen me ekzagjerim.

Leximi ka nevojë për “kushte ekologjike”, prandaj e gjejmë të pranishëm në vende të botës ku jetohet më mirë, pa shumë stres. Në Shqipëri, duke qenë e kundërta e kësaj, kemi preferencë për burimet informative, që nuk na e komplikojnë më tej realitetin.”

Klementin Mile, studiues i Filozofisë

Interneti dhe dixhitalizimi i informacionit janë argumente në “majë të gjuhës” për të justifikuar rritjen e distancës dhe ekskomunikimit të qytetarëve tanë me librin, ku arsyetohet se informacioni dixhital, i shpejtë në kohë, i gjithanshëm, e ka bërë të “tepërt” përdorimin e librit klasik, leximit “a la page”, faqe për faqe, të librit të shtypur. Të tjerë thonë se dinamizimi, lufta pa kufi për të përballuar kushtet ekzistenciale të jetës e ka reduktuar shumë “kohën pasive” të njeriut, të dhënë pas letrave. Komercializimi i jetës, dëshira për para dhe sukses material i ka “ngrënë kohës” e duhur dhe të drejtën e librit për të qenë bashkudhëtar i njeriut.“Për këto arsye, libri ky mjet besnik që kurrë nuk e ka “tradhtuar” njeriun ka dalë në periferi të interesave individuale dhe disponimeve sociale.” –shton  Tushi, mjeshtër i madh në Sociologji.Ai thotë se kjo situatë duhet vlerësuar me seriozitet. “Braktisja e librit është një “deformim kulturor” me pasoja të mëdha sociale, për të sotmen dhe të ardhmen e shoqërisë sonë.”

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj në kuadër të nisës "Tirana lexon" tha se kush lexon në urban, nuk do të paguajë biletë, 

“Shifrat kanë gjithnjë efekt çudibërës” , thotë Irena Myzeqari, studiuese e Shkencave të Komunikimit dhe pedagoge në Universitetin Europian të Tiranës. “Dëshira për ta konkretizuar fluiditetin e një shoqërie që shpesh na ikën prej duarsh, njeriu i sotshëm, e kërkon shifrën, e gjurmon dhe kur ajo i vjen ballazi, e përqafon atë si të vërtetën përfundimtare. Kështu ndodhi edhe me shifrën 1 milionësh të shqiptarëve që nuk lexojnë.”, vijon aj ndërsa shton se për një kohë të gjatë kemi qenë shpërfillës dhe kemi bërë sikur nuk e kemi vënë re se mungesën e librit; në shtëpi anëtarët e familjes janë të gjithë sy e veshë në ekranet e celularëve,  në kafene pak bëhen biseda mbi librin, në librari nuk bëhet fjalë të ketë radhë për të blerë titullin e sapo botuar apo në ndenjëse urbanësh është shfaqje tejet e rrallë që dikush të shfletojë një libër... “Ama kur në televizion dhe media sociale doli me shifra të mëdha që ne nuk lexonim, aty e vërteta u bë e pashmangshme; duam apo nuk duam duhet të merremi me të, të paktën sa për të “larë” veten në sytë e sociales, e cila na peshon kaq shumë , kur fajtorë jemi të gjithë.”

Aktiviteti "Takohemi për një libër" në kuadër të Fushatës Kombëtare të leximit

Me të gjitha arsyet që mund të parashtrohen në përpjekje për t’i dhënë përgjigje këtij fenomeni, Myzeqari thotë se nuk duhet të bëhemi moralistë. “Në ka diçka që çdo brez nuk i shpëton dot, është fjalia “në kohën tonë ka qenë ndryshe”. Ama nëse do t’u drejtoheshim 1 milion shqiptarëve apo të rinjve se ata para jush kanë lexuar më shumë apo më keq, me këtë lloj gjuhe, do t’i jepnim shqelmin përfundimtar shpresës se ka akoma vend për të kultivuar dashurinë për librin .” Për pedagogen, është me rëndësi shmangia e këtij morali fajësues, që nuk do të bënte gjë tjetër veçse do të thellonte problematikën, mbase në shifra edhe më të mëdha. “ Morali fajësues e vë “të gjykuarin” në pozicion mbrojtës, duke e detyruar të struket brenda strofullës së vet, për të mos dalë kurrë nga aty, sepse bota është gati ta “linçojë”,  se nuk lexon.”

“Braktisja e librit është një “deformim kulturor” me pasoja të mëdha sociale, për të sotmen dhe të ardhmen e shoqërisë sonë.”

Gëzim Tushi, sociolog

Çfarë ndodh nëse një nxënës apo student akuzohet se nuk njeh klasikët, e ka fjalorin e kufizuar dhe nuk ka edukatë leximi? “Jua them unë. E kemi humbur përgjithmonë atë të ri. Të gënjyer se ne zotërojmë dijen e ata jo, ai i ri do ta lërë përgjithmonë leximin sepse do ta quajë të pamundur të arrijë majën që i përcaktojmë.”Si pasojë, Myzeqari parashikon një skenar apokaliptik, ku ai grup “i linçuar” do të krijojë një kulturë të re; kulturën e analfabetëve. “Do të jetë kultura e njeriut të masës, ku dija vendoset në funksion të industrisë, si e vetmja mënyrë për të dalë fitimtar mbi gardianët e librit. Ata që nuk lexojnë do të hakmerren ndaj tyre me armët e parasë, modeleve komerciale dhe fatalja do të ndodhë kur ata të krijojnë kushtet sociale, në temperaturë 451 Fahrenheit,  për të “djegur” një herë e mirë çdo libër e germë dijeje.”

Antropologu, Nebi Bardhoshi,  thotë se universitetet ndihmojnë në promovimin e kulturës së mohit dhe abuzivizmit. “Ende nuk është bërë aq sa duhet për t’i dhënë kreativitetit më shumë vend, sesa përsëritjes. Jo pak profesorë nuk përditësojnë listën e leximeve. Por ajo që është më shqetësuese kur flitet për universitetet tona është gjendja e bibliotekave dhe politikave universitare për leximin.”Sipas Bardhoshit, universiteti ka nevojë të rishikojë pozicionin e tij në shoqëri, si mjedis ku prodhohet njeriu i ditur. “Universiteti në shoqëritë si e jona, e cila ‘gjendjen e jashtëzakonshme’ e ka kthyer ‘ në të zakonshme’ nuk mund të mjaftohet me artikulimin e disa dijeve të huazuara. Apo më keq akoma të dominuara nga plagjiarizma.”Zgjidhjet, për antropologun duhet të buronin nga universitetet dhe qendrat kërkimore, ku të investoheshin fonde dhe të prodhohej dije. “Nëse kjo nuk ndodh, sikurse ka ndodhur deri më tash, kultura e mohit gjen aleancë në kulturën e huazimit hipokrit në dëm të kulturës së bazuar në shoqërinë demokratike që vendos në themel të saj dijen shqyrtuese, dialoguese me tjetrin.”

Në ka diçka që çdo brez nuk i shpëton dot, është fjalia “në kohën tonë ka qenë ndryshe”. Ama nëse do t’u drejtoheshim 1 milion shqiptarëve apo të rinjve se ata para jush kanë lexuar më shumë apo më keq, me këtë lloj gjuhe, do t’i jepnim shqelmin përfundimtar shpresës se ka akoma vend për të kultivuar dashurinë për librin

Irena Myzeqari, pedagoge e Shkencave të Komunikimit.

Foto e bërë virale në  rrjetet sociale

A është dominimi i mentalitetit të njeriut materialist, konsumerist dhe merkantilist, i cili çmon vetëm anën materiale të jetës dhe nihilon librin si mjet universal dhe të pazëvendësueshëm të kulturimit, humanizimit dhe qytetërimit, një situatë kalimtare? Një epidemi e tranzicionit dhe një keqkuptim banal i mënyrës postmoderne të jetës? “Duke e vlerësuar këtë statistikë të frikshme, alarmante me pasoja anti-kulturore, është e udhës që të bëhen shumë gjëra që mund dhe duhet të kenë ndikim pozitiv.” thotë sociologu Tushi, duke rreshtuar mes masave, që mund të merren,  rishikimin e politikave kulturore të shtetit në raport me librin, botimin, shitjen, çmimin dhe shpërndarjen e tij, si edhe zgjerimi i rrjetit të librarive dhe bibliotekave publike, kanaleve të qarkullimit të librit dhe mundësisë së lexuesit që, pa shumë pengesa financiare dhe vështirësi të tjera të jetë sa më pranë me librin politik, artistik, filozofik, sociologjik e profesional.

Sipas Tushit, edhe familja duhet të luajë rolin e saj si themel për edukimin, duke i afruar anëtarët më të rinj drejt dëshirës për lexim, ndërsa shkolla të përdorë mekanizmat didaktikë, që në duart e nxënësve të qarkullojnë sa më shumë libra artistikë, mësimorë dhe enciklopedikë. Por jo më pak përgjegjëse duhet të ishte edhe media, që sociologu propozon të krijojë hapësira  më të gjëra programesh për propagandimin e kulturës së përdorimit të librit.

Një vajze e vogel, duke lexuar në natyre pranë një mini-bibliotek,  ngritur nga Këshilli Rinor i Ambasadës Amerikane, në parkun e Liqenit Artificial në Tiranë.

Për Tushin, largimi i shqiptarëve nga leximi i librave duket se nuk është tipar  historik i ndërtimit kulturor si popull, porse një “plagë e re” e shoqërisë, e cila mund të shërohet nëse merren masa nga të gjitha sferat. Nëse në skenarin më optimist të gjitha këto masa merren dhe shqiptarët do u përgjigjen pozitivisht terapisë së leximit, kur do të mund t’i shohim frytet e parë? A do të ketë lëvizur ndonjë numër, drejt uljes, në publikimin e statistikave të radhës? Nëse çuditë zgjasin tri ditë e jeta do të vijojë e patrazuar në rutinën e saj  ( të paktën e patrazuar nga libri dhe leximet), pritet që sirenat e alarmit të bihen motin që vjen, ku shqetësimi do të ricikliojë veten në të njëjtat biseda...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë