Njerez

Shqipëria në mesin e renditjes botërore në Indeksin e zhvillimit njerëzor

Nga Gazeta 'SI' - Shqipëria, cilësohet një ndër vendet me zhvillim të lartë në indeksin e Zhvillimit Njerëzor dhe është i pari i renditur në këtë kategori, por në vendin e 68-të në total, nga 191 vende.

Indeksi i Zhvillimit Human, HDI, është një matje e OKB-së, për arritjet mesatare të një njeriu gjatë jetës së tij, nga jetesa e shëndetshme, edukimi dhe standardi i të jetuarit. HDI është mesatarja e të tre treguesve.

Pikëzimi i Shqipërisë, nis me Indeksin në vetvete, që vlerësohet 0.796 për vitin 2021. Nga 2020-a, ky vlerësim është rritur me 0.002 pikë. Por nga viti 2019, ajo ka rënë me 0.005 pikë, dhe ishte 0.801. Sipas The Economist, 90% e shteteve kanë pësuar rënie të HDI-së krahasuar me 2019-n dhe është rënia më e madhe ndonjëherë që nga viti 1990, kur nisi Indeksi.

Për Shqipërinë jetëgjatësia mesatare raportohet 76.5 vite. Vitet e nevojshme të edukimit janë 14.4, por mesatarisht shkojnë në 11.3 vite. Të ardhurat bruto për frymë, raportohen 14.131 dollarë, duke u renditur në vendin e 85-të.

Nga rajoni, HDI-ja më e lartë i përket Malit të Zi, me 0.832 duke u renditur në vendin e 52-të. Ndërsa, Maqedonia e Veriut, me një HDI prej 0.770 dhe renditje 79, mban vlerësimin më të ulët për zhvillim në rajon.

Në të gjithë botën, vendin e parë për zhvillim më të lartë shoqëror e ka Norvegjia me 0.961 pikë. Në vend të fundit është Sudani i Jugut me 0.385 pikë në HDI, cilësuar me zhvillim më të ulët, kategori e populluar nga vendet afrikane dhe Pakistani.  

HDI, sipas Kombeve të Bashkuara, mund të përdoret për të vënë në dyshim politikat kombëtare, duke pyetur se si dy vende me të njëjtin nivel të të ardhurave për frymë mund të përfundojnë me rezultate të ndryshme të zhvillimit njerëzor. Këto kontraste mund të nxisin debatin rreth prioriteteve të politikave qeverisëse.

HDI thjeshton dhe kap vetëm një pjesë të asaj që përfshin zhvillimi njerëzor. Ai nuk reflekton mbi pabarazitë, varfërinë, sigurinë njerëzore, fuqizimin, etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë