Interviste

‘Shqipëria mund të prodhojë armatim për Ukrainën’- Ish Kreu i Forcave Speciale tregon kushtet e realizimit

Një nga ekspertët me të mirë ushtarakë shqiptarë, Dritan Demiraj, beson se Shqipëria ka mundësi shumë të mira të rrisë kapacitetet e saj ushtarake si pjesë e NATO-s dhe të shndërrohet në një prodhuese armatimesh, fillimisht, për të ndihmuar Ukrainën. Në një intervistë për Gazeta Si, ish drejtuesi i Forcave Speciale dhe Komando të Shqipërisë, shpjegoi rëndësinë e kthimit të bazës ajrore të Kuçovës në një bazë të NATO-s

Që nga mbështetja e operacioneve në Ukrainë deri tek trajnimi i pilotëve të NATO-s, Dritan Demiraj liston të paktën 7 funksione të bazës së Kuçovës që mund të përdoren menjëherë ose të shihen si mundësi nga Shqipëria për rritjen e rëndësisë së saj strategjike-ushtarake në rajon.

Në këtë kontekst, koloneli (R) Dritan Demiraj beson se vendi mund t’ia dalë të ndihmojë edhe Ukrainën me prodhimin e armatimeve dhe municioneve, por gjithnjë në bashkëpunim me NATO-n. 

Gazeta Si: Inaugurimi i bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë çfarë do të thotë për Shqipërinë, e cila është një vend i pajisur dobët ushtarakisht?

Dritan Demiraj: Inagurimi i bazës së Koçovës është një lajm i mirë pasi, përfundimisht, edhe vendi ynë ka një bazë operacionale taktike ajrore të aftë të facilitojë, ekzekutojë dhe të mbështesë operacione të ndryshme të aleancës, të cilat kanë lidhje me përfshirjen e forcave ajrore të saj, qofshin këto avionë transporti, zbulimi, luftarakë ose helikopterë me misione të ndryshme. Gjithashtu, baza e Kuçovës fut, përfundimisht, vendin tonë në listën e vendeve që mund të ofrojnë një set misionesh më shumë për Aleancën Euro-Atlantike. Shqipëria, pavarësisht faktit se është një vend me fuqi të vogël ushtarake, në rast se, në bashkëpunim dhe me asistencën e NATO-s vazhdon me ristrukturimin edhe të bazave të tjera detare, si në rastin e bazës detare të Pashalimanit, Porto Romanos dhe bazën ajrore të Gjadrit, duke marrë parasysh edhe rritjen e konsiderueshme të buxhetit për modernizimin dhe reformimin e forcave të saj të armatosura, mund të ndryshojë ndjeshëm pozicionin dhe kapacitetet e saj operacionale në raport me vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor.

Gazeta Si: Me fjalë të thjeshta, çfarë do të thotë që NATO do ta përdorë Kuçovën si bazë taktike? 

Dritan Demiraj: Disa nga misionet kryesore për të cilat NATO mund ta përdorë bazën e Kuçovës janë:

  1. Facilitimi, magazinimi dhe shpërndarja e ndihmave ushtarake, logjistike, municioneve, pajisjeve të tjera për mbështetjen e infrastrukturës ushtarake dhe civile në mbështetje të operacioneve luftararake në Ukrainë kundër Federatës Ruse.
  2. Përdorimi i saj për furnizimin e mjeteve të ndryshme ajrore të NATO-s ‘en route’ me armatim, logjistikë ose në raste emergjencash ajrore për riparime të ndryshme.
  3. Përgatitja dhe stërvitja e pilotëve të njësive të ndryshme ajrore të vendeve aleate për fluturimin e avionëve të luftimit ose të helikopterëve të NATO-s.
  4. Strehimin dhe përgatitjen e kontigjenteve të ndryshme ushtarake për konfliktet e armatosura në rastet kur këto njësi mund të bashkëpunojnë me mjetet ajrore të përdorura nga aleanca.
  5. Pritjen, përgatitjen dhe mbështetjen e njësive elitë të cilat mund të jenë pjesë e misioneve sensitive të aleancës.
  6. Baza krijon kushtet që edhe Forcat e Armatosura të vendit tonë të mendojnë seriozisht që në bashkëpunim me SHBA-të ose Turqinë, të krijojnë kushtet për stërvitjen dhe vendosjen në gadishmëri të një skuadroni avionësh luftarakë F-16, me qëllim kontrollin dhe mbrojtjen e hapësirës ajrore të vendit tonë.
  7. Rritjen e kapaciteteve të forcave ajrore të vendit tonë në të gjitha misionet.

Gazeta Si: Ne kemi marrë dronë Bajraktar dhe 2 helikopterë Black Haëk, por çfarë duhet për të patur një flotë ajrore cilësore në raport me fuqinë e vendit?

Dritan Demiraj: Pavarësisht faktit se pyetja juaj është e kushtëzuar, mendoj se vlen të theksohet fakti se bazuar në mësimet e nxjerra nga konflikti i Ukrainës, nga kërkesat e vazhdueshme të NATO-s dhe SHBA-ve për të rritur kapacitetet ushtarake në ushtrinë Shqiptare, Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm, prej më shumë se një viti, ka marrë disa vendime të rëndësishme në lidhje me rritjen e kapaciteteve të komandave në vartësi të tij. Këtu vlejnë të përmenden jo vetëm Dronët Bayraktar TB-2 dhe disa dronë të tjerë të cilët do të vijnë më vonë, dy helikopterët Black Haëk, por edhe një sërë reformash gjithëpërfshirëse të cilat fillojnë që nga modernizimi i armëve të këmbësorisë në të gjitha nivelet, blerja e sistemeve të artilerisë moderne, mortajave 120 mm, armëve moderne kundër-tanke “Javelin” , raketave anti-ajrore “Stinger”, bateritë e kalibrit 155 mm dhe 120 mm, prokurimi i shumë mjeteve të blinduara, prokurimi i mjeteve të shikimit natën, pajisjeve speciale të zbulimit, ngritja për herë të parë e qëndrës kombëtare të luftës kibernetike, etj krijimi i regjimentit të mbështetjes me luftim, krijimi i regjimenteve të veriut dhe të jugut, krijimi dhe shtimi i forcave rezerviste në strukturën e Forcave të Armatosura, por edhe shumë reforma të tjera të cilat janë në implementim e sipër, tregojnë një vëmendje të shtuar në këtë drejtim. Për ta përmbyllur pyetjen tuaj, në shtesë të dronëve dhe helikopterëve, Forcat e Armatosura kanë nevojë të shtojnë kapacitetet e tyre me helikopterë sulmi, me kapacitet më të madh transporti dhe krijimi i një skuadroni avionësh luftarakë F-16 në të ardhmen.  

Gazeta Si: Ka edhe një propozim tjetër ambicioz për Shqipërinë. Të prodhojë armatime, municione, eksplozivë për Ukrainën. Është e mundur që ky propozim i Presidentit Zelenski të realizohet?

Dritan Demiraj: Ky propozim i presidentit Zelenski është i mundur, në rast se aleanca ka marrë vendim që të ofrojë asistencë financiare ose të lejojë kompanitë private të industrisë ushtarake që, në bashkëpunim me Ministrinë shqiptare të Mbrojtjes; të përdorin uzinat e Gramshit, Poliçanit, etj dhe të investojnë në pajisjet dhe makineri të cilat mund të prodhojnë armë të lehta dhe municione artilerie.  

Gazeta Si: Ia vlen që Shqipëria të rinovojë industrinë e mbrojtjes dhe të kthehet në një prodhuese armatimesh? 

Dritan Demiraj: Serbia, Kroacia dhe më pak Bosnja kanë aftësi në rajonin tonë që të prodhojnë shumë lloje armësh dhe municionesh. Personalisht, mendoj se është shumë e rëndësishme që Shqipëria dhe Kosova së bashku të planifikojnë investimin e një sasie të caktuar të burimeve financiare të Ministrive të Mbrojtjes në këtë drejtim. Lufta e Ukrainës, por jo vetëm, tregoi se është vendimtare për një vend aftësia e tij për të mbështetur forcat e armatosura me armë kërmbësorie dhe municione. Thënë kjo, nuk mendoj se ne kemi mundësi financiare dhe kapacitete të ndërtojmë industri të fuqishme mbrojtje, por fillimisht duhet të arrijmë në nivelin e Kroacisë, e cila është kthyer tashmë në një vend serioz që eksporton çdo vit qindra mijëra armë të lehta, madje edhe në SHBA.  

Gazeta Si: Një ndërmarrje e prodhimit të armëve duhet të jetë private apo të vazhdojë shtetërore siç është aktualisht?

Dritan Demiraj: Në botën perëndimore kompanitë e prodhimit të armëve janë private. Në këtë këndvështrim, edhe në vendin tonë kompanitë duhet të jenë private. Personalisht duke punuar në këtë fushë në SHBA, kam parë shumë interes dhe gatishmëri nga shumë kompani të fuqishme amerikane, të cilat janë të gatshme të investojnë në këtë drejtim në vendin tonë.  


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë