Interviste

‘Jo pazareve për 84 vota’, ekspertja e zgjedhjeve: Ja si zgjidhet kriza e përfaqësimit

Nga Gazeta 'Si' - Gerta Meta, përfaqësuese e Shoqatës për Kulturë Demokratike e ndjek prej më shumë se një dekade punën në Komisionin e Reformës Zgjedhore, si pjesë e shoqërisë civile. Eksperte për çështjet e zgjedhjeve, të cilat i monitoron prej vitit 1992, zonja Meta është dëshmitare nga afër e sjelljes së forcave politike me gjithçka ka të bëjë me reformën zgjedhore. Por këtë herë, sipas saj, gjërat janë vështirësuar shumë, për shkak të konfliktit politik për çështjen e bashkëkryetarit të opozitës.

Në një intervistë për Gazetasi.al, Gerta Meta bën një skaner të vullnetit politik për të kryer një reformë zgjedhore, jep propozime si zgjidhet kriza në komision, si dhe thekson çështjet kyçe për kryerjen e një reforme që rrit standardin e zgjedhjeve.

Kur kanë mbetur edhe 5 javë nga mbarimi i mandatit të komisionit të reformës zgjedhore, ekspertja Gerta Meta, nuk sheh asgjë pozitive në punën kaotike të Komisionit. Megjithatë, me mbarimin e këtij mandati, Gerta Meta sheh edhe një mundësi të re për zgjidhjen e krizës së përfaqësimit të opozitës. 

Prej shumë vitesh ju kontribuoni me idetë tuaja për reformën zgjedhore. Çfarë nuk shkon këtë herë, përveç përplasjes publike të palëve për bashkëkryesimin e komisionit nga një pjesë e opozitës?

"Situata në Komisionin e Reformës Zgjedhore është absurde dhe e paprecedentë. Si shoqëri civile, ne, Shoqata për Kulturë Demokratike, e kemi ndjekur ecurinë e tij që në vitin 2012, ndërsa zgjedhjet i monitorojmë prej vitit 1992. Dhe pas kaq shumë vitesh dëgjojmë të njëjtin refren nga palët politike, që kanë bërë një premtim për qytetarët, finalizimin e një reforme gjithëpërfshirëse, të dakordësuar mes të gjitha palëve, ku të përfshihen të gjithë problematikat e proceseve zgjedhore. Si shoqëri civile, ne e kemi kryer detyrën tonë, duke qenë shumë aktive, por politika nuk e ka bërë. Ajo që ndodhi në një nga mbledhjet e fundit, mund të përshkruhet si një situatë e rëndë, ku deputetët akuzonin njëri-tjetrin për hajdutëri. Mendoj që dëgjesa e thirrur për ne, shoqërinë civile në mbledhjen e fundit, nuk ishte e organizuar mirë. Komisioni i reformës duhet të ishte më serioz dhe më i përgatitur. Ata duhet të kishin një draft të dakordësuar më parë mes tyre, mbi të cilin ne të jepnim opinionet tona. Përsa kohë ka një konflikt të hapur në komision dhe ky komision është peng i ngërçit dhe mungesës së vullnetit politik për ta realizuar këtë reformë zgjedhore, aktorët e shoqërisë civile nuk mund të përdoreshin nga Komisioni i Reformës Zgjedhore për të vetmen arsye, sepse nuk çalon finalizimi i reformës nga ajo çfarë do të ofronte shoqëria civile. Janë partitë politike përgjegjëse për premtimin e pambajtur lidhur me zgjedhjet, në këto 34 vjet". 

Në 2 vjet, komisioni i reformës zgjedhore, edhe kur palët politike nuk kishin problemin e sotëm, nuk u mblodh. A tregon kjo mungesë vullneti për të çuar përpara rekomandinet e OSBE/ODIHR për zgjedhjet?

"Së pari, nuk është normale që sa herë ka zgjedhje, partitë kujtohen të bëjnë reformë zgjedhore. Së dyti, është i vërtetë konstatimi juaj në lidhje me dy vite heshtje të komisionit. Për 2 vjet komisioni ishte me pushime, do të thona unë. Palët kanë humbur kohë të vlefshme dhe nuk kanë përmbushur detyrimin politik që kanë para elektoratit për të zbatuar rekomandimet për zgjedhje demokratike. Ndër shqetësimet kryesore të OSBE/ODIHR-it që kërkojnë zgjidhje janë përdorimi i burimeve shtetërore në zgjedhje, shitblerja e votës, fshehtësia e votës, liria e medias, depolitizimi i administratës zgjedhore. Deri tani, këto rekomandime janë shmangur me vullnetin e palëve politike dhe janë injoruar për shkak të vullnetit të munguar politiik. Ne nuk e dimë akoma cilat janë ato piketa që janë të panegociueshme nga palët politike, a do të ketë apo jo ndryhime kushtetuese. Prandaj, është në të mirën e komisionit, që diskutimi me shoqërinë civile të kishte nisur pasi të ishte dakordësuar një draft mes tyre në lidhje me shtyllat kryesore të ndërhyrjes. Por ka edhe një tregues tjetër për mungesën e vullnetit të partive. Shoqëria civile dhe faktori ndërkombëtar u ka rënë këmbanave që reformat e mëdha duhet të kenë një konsensus politik dhe t’u jepet qytetarëve një vit kohë për këto ndryshime madhore. Ky është një rekomandim i Praktikave të Mira për Zgjedhjet nga Komisionit të Venecias, por që partitë politike e kanë bërë veshin e shurdhët dhe reformën zgjedhore e kanë shtyrë në limitet e kohës. Prandaj ajo nuk ka patur sukses, ka qenë një reformë fasadë, me arnime dhe jo me reflektime serioze për të bërë hapa pozitivë drejt zgjedhjeve të lira e të ndershme".

Ju keni përvojë të pasur me sjelljen e partive gjatë reformës zgjedhore. Keni një sugjerim si kapërcehet ngërçi politik në komision?

"Nga ajo që kuptojmë nga monitorimi i zhvillimeve dhe komunikimet me anëtarët dhe bashkëkryetarët aktualë të komisionit, shikohet që ka një lloj refuzimi në heshtje për të pasur zhvillime pozitive, që do të reflektoheshin në mbledhje normale të komisionit të reformës zgjedhore. Mendoj se grupimet politike duhet të gjejnë gjuhën dhe të bëjnë atë që është më e rëndësishme për votuesit, një reformë sa më të shpejtë dhe sa më efektive për qytetarët. Nuk ka shumë kohë për ta bërë këtë, pasi diku nga java e fundit e marsit skadon dhe mandati i komisionit. Kjo është koha kur, ndoshta, palët politike të mendojnë të rikompozojnë një komision tjetër, por kjo duhet vlerësuar nga palët, nëse konsiderohet si zgjidhje e krizës. Në një zgjidhje më afatgjatë, kam idenë që komisioni zgjedhor të mos jetë më i përbërë nga partitë politike, pasi  nuk kanë pse ato të jenë dhe lojtarë, dhe arbitra. Për më tepër, nuk kanë treguar as vizion, por i kanë qendruar besnik interesave partiake. Ashtu si Kolegji Zgjedhor është i përbërë nga gjyqtarë, mendoj që komisioni i Reformës Zgjedhore të përfaqësohet nga anëtarë që nuk kanë përkatësi partiake".

Cilat janë çështjet kyçe që duhen adresuar sipas jush? Çfarë do të rekomandoni, kur të bëni dëgjesën?

"Si pikë të parë dhe emergjente do të rendisja detyrimin ligjir të Kuvendit dhe premtimin e pambajtur për votën e emigrantëve. Ky është një detyrim i Kodit Zgjedhor, por akoma i pazbatuar. Kuptohet që të dyja palët nuk e duan, pasi nuk e kanë trajtuar në mënyrë serioze. Ata nuk kanë siguri se cilit kamp politik i përket në shumicë vota e emigrantëve, prandaj është mbajtur dhe peng. Kemi një deklarim nga ana e Kryetarit të KQZ, sipas të cilit, nëse ky detyrim ligjor nuk përmbushet deri në mars, rrezikon të mos zbatohet për zgjedhjet 2025. Një pikë tjetër që duhet qartësuar është ndryshimi ose jo i sistemit zgjedhor, prandaj theksova më parë, që komisioni duhet të na paraqiste një draft final të dakordësuar se në ç’pika do të ndërhyjë.

PS nuk ka shprehur ndonjë konsideratë për ndryshimin e sistemit, ndërsa grupimet e tjera kanë sjellë disa oferta. Me cilindo sistem të bien dakord, nëse do të bien, ajo që ne theksojmë është se pesha e votës së qytetarëve duhet maksimalizuar dhe jo të ketë një diferencë shumë të madhe vota nga një qark në tjetrin, siç ndodh tani. Një element që ne mendojmë se mund të pëmirësojë elitën politike është sistemi maxhoritar, ku konkurohet me kandidatë cilësorë. Listat e hapura, një premtim tjetër i pambajtur duhet të realizohet, sepse ka edhe një vendim gjykate për herësin, që fut një mekanizëm të padrejtë mes kandidatëve për të qenë fotues. Kryetarët nuk duhet të përcaktojnë më renditjen e deputetëve, por këtë të lejohen ta bëjnë qytetarët me votë. Kemi dhe dy çështje të tjera që të çojnë tek administrata zgjedhore. A do të kemi depolitizim të administratës dhe a do të ketë përdorim masiv të teknologjisë në zgjedhje për votim dhe numërim elektronik? Deri tani kemi patur vetëm zona pilot. Prandaj politika duhet ta ndajë, nëse do të mbajë komisionerë partiakë që marrrin urdhra politikë, ndryshe nga Kodi, apo që të zëvendësojmë këta me votim dhe numërim elektronik. Në këtë pikë, vlen të theksohet se Shqipëria nuk vuan për ligje, por vuan nga mungesa e zbatimit të ligjit, qe sjell probleme të rënda. Një element i rëndësishëm për ne është rikthimi në Kod i koalicioneve parazgjedhore, që u hoqën në korrik 2020. Financimi i partive politike përbën një tjetër çështje të rëndësishme që duhet zgjdhur nga ligji. Fushata zgjedhore luksoze, ku hidhen shumë lekë dhe nuk ka transparencë, ne i njohim, prandaj duhen mekanizma që hedhin dritë dhe ndalojnë donatorët e fshehur dhe të padeklaruar.

Na duhet të qartësojmë, gjithashtu, nëse mbetet struktura aktuale e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Mendojmë që KQZ të rikthehet në një strukturë monokraike apo kolegjiale dhe jo me tre nivele, siç është aktualisht. Një nga problematikat që kemi hasur dhe kërkon zgjidhje është njoftimi me shkrim i zgjedhësve. Është një detyrim që të gjitha bashkitë e kanë, por që nuk realizohet. Duhet gjetur mekanizmat e duhur për të zbatuar ligjin. Ne mbrojmë edhe idenë e kufizimit të mandateve të të zgjedhurve, në 3-4 mandate, në mënyrë që t’i jepet shans qarkullimit të elitave, si dhe uljen nga 140 në 100 deputetë. Gjithashtu, duhen bërë disa rregullime në lidhje me zhvillimin e fushatës në internet, në rrjete sociale apo media online. Depolitizimi i administratës është një çështje tjetër e rëndësishme. Komisonerët të mos jenë të zgjedhur nga politika, por të zgjedhur rastësisht nga lista e zgjedhësve, siç ndodh në Zvicër, ose të jenë të certifikuar nga KQZ. Këto janë kryesore, por ka edhe ndërhyrje të tjera që duhet të ndodhin në Kodin Zgjedhor për të cilat ekzistojnë dhe rekomandime të OSBE/ODIHR-it".

A mund të zgjidhet me ligj problemi i patronazhimit dhe i përdorimit të burimeve shtetërore? Për këtë të fundit ka patur ndërhyrje në Kod dhe sërish mbetet problem.

"Kjo ësthtë një çështje që ka prekur standardin e zgjedhjeve. Mund të ketë një lig të posaçëm që parandalon fenomene të tillë, përmes të cilave ushtrohet presion dhe intimidohet votuesi shqiptar. Kërcënimi nga këto operacione partiake zgjedhore është përdorimi i të dhënave sensitive. Duhen gjetur disa mekanizma që minimizojnë përdorimin e të dhënave personale të qytetarëve. Në Kodin Zgjedhor mund të propozohet gjetja e mekanizmave që ndalojnë detyrimin e nëpunësve të administratës që të pëlqejnë, të shpëndajnë, të shkarkojnë faqe apo aplikacione partiake apo qeveritare. Këta mekanizma duhen për të siguruar që vota e qytetarëve të mos jetë e intimiduar. Një moment i rëndësishëm është shitblerja e votës, një fenomen për të cilin shoqëria duhet të jetë në alert. Duhet ndërgjegjësim masiv nga institucionet e administrimit zgjedhor, që të kërkojnë nga qytetarët të mos bien pre e kurtheve, por të përdorin votën si m et llogaridhënie për të vënë qeveritarët para drejtësisë. Duhen edhe mekanizma që qytetarët të mund të denoncojnë raste konkrete. Qytetarët të kenë besim për të kryer denoncimin, kështu që insiticionet duhet ta krijojn ëkët besim, ta mbrojnë qytetarin që denoncon. Deri tani këtë e ka bërë vetëm KQZ me një linjë të dedikuar, por njësoj duhet ta kete policia dhe prokuria, që të minimozhen përjeket për te prekur standardin e zgjedhjeve në shqipëri".

Është në rregull për ju që PS në pushtet të bëjë përpjekje për të gjetur 84 vota, por jo konsensus në kuptimin klasik të një marrëveshje?

"Përpjekja e PS për të gjetur 84 vota duhet konsideruar seriozisht. Partitë poltike, kur bëhet fjalë për zgjedhjet, nuk janë aty për të bërë pazare me njëri-tjetrin, që për interesa të ngushta të blejnë e shesin vota brenda parlamentit, por të gjitha premtimet e tyre për një reformë zgjedhore të thelluar e të dakordësuar, gjithëpërfshirëse dhe në kohën e duhur,  të bëhen në rrugë transparente dhe bashkëkohore. Marrëveshje të heshtura dhe që prekin standardin e zgjedhjeve nuk duhen lejuar të ndodhin".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë