Interviste

‘Program i ri, ekip i ri’, Shpëtim Idrizi i PDIU: Kjo është formula fituese për opozitën

PDIU e drejtuar nga Shpëtim Idrizi po bën këto javë disa votime të ndryshme nga pjesa tjetër e opozitës. Marrëveshja me Italinë për emigrantët, vota e pritshme për amnistinë penale janë 2 prej nismave të qeverisë që mbështeten nga PDIU, deputetët e së cilës janë në parlament me siglën e PD. A do të thonë këto votime që PDIU ka hedhur sytë drejt qeverisë?

Kryetari Shpëtim Idrizi, në një intervistë për Gazeta "Si", shpjegoi qendrimin e partisë së tij, duke pozicioniar veten në opozitë, por pa një vendim ende të prerë për të ardhmen. “Është shumë shpejt”- tha Idrizi, kur u pyet se me cilin koalicion do të përfaqësohet në zgjedhjet 2025. Megjithatë, i orientuar nga qendra e djathtë, Shpëtim Idrizi, e sheh forcimin e opozitës në dy drejtime: program i ri dhe ekip i ri para zgjedhjeve. 

Gazeta Si: Pas votimit për Marrëveshjen me Italinë për emigrantët, ju do të votoni dhe amnistinë penale të prezantuar nga qeveria. Është koha të pyesim, PDIU është parti në opozitë apo po shkoni drejt qeverisë?

Shpëtim Idrizi: Në rastin e marrëveshjes, PS kishte 74 vota dhe nuk kishte nevojë për votat e PDIU, por ne vendosëm të votonim këtë marrëveshje dhe jo ligjet e tjera. Marrëveshja nuk kishte pengesë nga pikëpamja ligjore kushtetuese dhe, kur flitet për politikën e jashtme, ne duhet të jemi të unifikuar, sepse buron nga interesi kombëtar. E kemi bërë këtë votim për të treguar që Italia për ne është një partner strategjik, si dhe për të treguar që për PDIU rruga drejt BE kalon nga Roma, nga Parisi, nga Londra, nga Uashingtoni dhe jo nga Athina dhe Beleri.

Gazeta Si: Pra, po thoni që jeni në opozitë akoma?

Shpëtim Idrizi: Sigurisht qe ne jemi në opozitë. Ajo që përcakton se ku është një parti politike, ka të bëjë me faktin se ku rreshtohet në zgjedhje dhe votimet politike që kanë të bëjnë me buxhetin, me qeverinë

Gazeta Si: Ju e keni marrë vendimin se në cilën anë do të rreshtoheni në zgjedhjet e ardhshme? 

Shpëtim Idrizi: Është shumë shpejt për ta thënë këtë gjë. 

Gazeta Si: Por a keni ju bisedime me qeverinë për të mbështetur dhe për të shkuar drejt maxhorancës?

Shpëtim Idrizi: Jo, absolutisht jo. Edhe për arsyen se ata nuk kanë nevojë për njeri ata se kanë një megapushtet, kanë vota, kanë fuqi. 

Gazeta Si: Ju keni vendosur të votoni edhe amnistinë penale, por do ta votoni kështu siç është, bashkë me amnistinë për të korruptuarit?

Shpëtim Idrizi: Ka disa të dhëna që na kanë çuar në këtë vendimarrje. Shqipëria është vendi me numrin më të madh të të burgosurve për banorë. Kemi 176 të dënuar për 1 mijë banorë. Kemi rreth 2500 qytetarë në paraburgim. Kemi rreth 6 mijë të dënuar dhe kapaciteti i burgjeve është 105%. I tregova këto të dhëna për të thënë që një i burgosur i kushton shoqërisë 1360 euro në muaj. Ne mendojmë se për ata persona me dënime të lehta kjo amnisti duhet bërë dhe duhet të ishte më e thellë.

Gazeta Si: Megjithatë zoti Idrizi, Shqipëria është një nga vendet që vuan më shumë nga korrupsioni. Dhe kjo u kushton më shumë buxhetit dhe shoqërisë sesa disa të burgosur. Jeni gati ta amnistoni korrupsionin, siç parashikohet aktualisht në amnisti për uljen e dënimit të të korruptuarve?

Shpëtim Idrizi: PDIU është kundër nenit për të liruar personat që janë subjekt i SPAK-ut apo GJKKO. Në parim, ne duhet të lirojmë burgjet nga këta që janë për dënime të lehta dhe të hapim vend për këta të tjerët që kanë probleme me drejtësinë, subjekte të SPAK-ut për korrupsion galopant. Pra, nëse flitet për një kusht, po ju konfirmoj se ky është kushti që ne të votojmë amnistinë: të dënuarit për korrupsion të mos kenë asnjë përfitim. 

Gazeta Si: Ju nuk u bëtë pjesë e tryezës së opozitës për krijimin e federatës opozitare dhe thoni se ky është një akt i pamjaftueshëm. Pse mendoni kështu? 

Shpëtim Idrizi: Ne e përshëndetëm bashkimin e dy pjesëve të PD-së, si dhe përpjekjen e krijimit të një fronti opozitar, por mendojmë se duhet bashkuar edhe ajo pjesa e tretë që mungon, sepse debatet e brendshme na pengojnë të diskutojmë dhe të marrim vendime serioze. Nga ana tjetër, ne duhet të jemi të jemi të ndershëm me veten. Ne nuk u mblodhëm kurrë pas zgjedhjeve të 2021 dhe nuk e dimë akoma pse LSI nuk bëri koalicion me PD në zgjedhje, sepse mjaftonte ajo marrëveshje në tavolinë dhe opozita do të ishte në pushtet. Ç’është më e rëndësishmja, ne nuk mund të mjaftohemi me slloganin “të bëhemi bashkë të mundim Edi Ramën”. Problemini qytetarëve është çfarë do të bëhet me shpopullimin e Shqipërisë,  çfarë do të bëhet me pensionet, çfarë do të bëhet me rritjen e çmimeve, çfarë do të bëhet me kthimin e një demokracie funksionale, që do t’i japë vendit një ekonomi tregu ku konkurrenca është ajo që prevalon dhe jo 5 vetë që marrin gjithçka nga një njeri. Pra, ne na duhet t’i japim përgjigje këtyre pyetjeve. Na duhet të kalojmë nga faza e bashkimit, tek faza e programimit. Dhe na duhet një ekip i ri. 

Gazeta Si: Këto probleme i ngre edhe kryetari i PD të Rithemelimit, Sali Berisha, por gjendja e tij e izoluar është pengesë për opozitën të kthehet në pushtet?

Shpëtim Idrizi: Si parti tjetër, unë respektoj vullnetin e PD, por kushdo duhet ta ketë të qartë boshtin tonë nga Roma në Uashington. Unë them që zoti Berisha duhet të kishte ikur jo thjesht për këtë që thoni ju, por ka ardhur koha të ikim dhe ne tani. Pas 33 vitesh, ne duhet t’u themi qytetarëve çfarë do të bëjmë ndryshe nga këta që janë sot. Po flas si një parti që i përket një fronti opozitar, që nuk ka kryetar. Prandaj them që unë nuk e kam kryetar Sali Berishën, as të koalicionit. Vazhdoj të këmbëngul në idenë se ne nuk do të vijmë në pushtet pa u thënë njerëzve çfarë do të bëjmë ndryshe dhe cilin ekip do ta bëjmë. Na duhet një ekip i ri. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë