Ekonomi

Shqipëria e dobët në mbrojtjen e personelit mjekësor nga pandemia

Shqiptarë paguajnë më shumë në rajon nga xhepi për kujdesin shëndetësor. Të rriten shpenzimet për shëndetësinë

Shqipëria ka reflektuar dobësi në qëndrueshmërinë dhe kapacitetin e sistemit shëndetësor për të trajtuar të sëmurët dhe për të mbrojtur personelin shëndetësor në përiudhën e pandemisë.

Ky është konkluzion i Bankës Botërore në një raport mbii ndikimin e Covid-19 në sistemet shëndetësore në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë raport Banka Botërore vlerëson se “Megjithëse pesë vendet, sipas indeksit GHSI 2019, janë të gjitha në një të dytën më të mirë, qëndrueshmëria dhe kapaciteti i sistemit shëndetësor për të trajtuar të sëmurët dhe për të mbrojtur personelin shëndetësor janë identifikuar si fusha të dobëta për të pestë.”

GHSI mat parandalimin, zbulimin, ndërhyrjen e shpejtë, përputhshmërinë me normat ndërkombëtare, mjedisin e risqeve,  kapacitetet e sistemit shëndetësor.

Për Shqipërinë vlerësohet se zbulimi është identifikuar si veçanërisht i fortë dhe ka kontribuar në renditjen më të lartë të rajonit, në vendin 39 nga 195 vende gjithsej.

Në vitin 2016, Vlerësimi i Jashtëm i Përbashkët (JEE) për Shqipërinë i bënte jehonë këtij vlerësimi, duke vërejtur rrjetin laboratorik kombëtar me disa nivele, udhëzuesit klinikë, protokollet dhe diagnostikimin laboratorik si fusha të forta. JEE dhe GHSI e kanë identifikuar Serbinë me kontroll të fortë të infeksioneve dhe aftësi të fortë për të siguruar pajisje të mbrojtjes personale (PMP).

Për të pestë vendet, vlerësimet më të ulëta në GHSI kanë qenë për kapacitetin e sistemit shëndetësor, ku merren në konsideratë faktorë të tillë si: kapaciteti njerëzor në klinika, spitale dhe qendrat e kujdesit në komunitete; kundërmasat mjekësore dhe mobilizimi i personelit; mundësia për të marrë kujdes shëndetësor; komunikimet midis personelit të kujdesit shëndetësor në një situatë të jashtëzakonshme të shëndetit publik; dhe praktikat dhe pajisjet e gatshme për mbajtjen në kontroll të infeksioneve. Për shembull, Maqedonia e Veriut kishte vlerësimin më të ulët për gatishmërinë e sistemit shëndetësor:  Rezultate theksojnë  kufizimet e sistemeve shëndetësore të Ballkanit Perëndimor.

Covid-19 thelloi problematikat e sistemit shëndetësor

Për Bankën Botërore pandemia në Ballkanin Perëndimor ka thelluar problematikat e vjetra.

Raporti vë në dukje se sigurimi i fondeve të mjaftueshme për shëndetësinë dhe modernizimi i realizimit të shërbimeve për ta ofruar me efikasitet dhe efektivitet kujdesin janë sfida me të cilat është përballur prej kohësh i gjithë rajoni.

Shpenzimet kombëtare për frymë për shëndetësinë në Ballkanin Perëndimor; në mbarë rajonin, është ndjeshëm më e ulët se mesatarja e Bashkimit Europian (BE) prej 3.127 $. Në mbarë rajonin, mungesën e fondeve për sistemet shëndetësore shpesh e vuajnë familjet, shpenzimet e drejtpërdrejta (nga xhepi) të të cilave janë të larta. Për rajonin në tërësi kjo shkon nga 37 për qind në Serbi dhe në Malin e Zi, deri në 50 për qind në Shqipëri, në krahasim me 14,9 për qind në BE.

Sipas BB, problematike janë modelet jo efikase të realizimit të shërbimeve, të cilat i kalojnë më së shumti rastet në sistemin spitalor, i cili është i kushtueshëm dhe nuk është i përputhur me profilin e sëmundshmërisë, në të cilin dominojnë sëmundjet jo ngjitëse. Jo vetëm që kjo sjell akumulim të detyrimeve të prapambetura dhe të borxheve, por do të thotë edhe se ka investim të pamjaftueshëm në kujdesin shëndetësor parësor, profilaksi dhe shëndet publik, çka i bën sistemet shëndetësore më të cenueshme nga pandemitë, ndërkohë që ky kujdes ofron mënyra efikase të sigurimit të shëndetit dhe mirëqenies në kushte normale.

Një problem tjetër që evidenton raporti është emigrimi i mjekëve të kualifikuar. Shqipëria renditet e para në vendet e Ballkanit Perëndimor e cila ka numrin më të vogël të mjekëve për 100 mijë banorë dhe është larg mesatares së BE-së.

Prej disa dekadash, emigrimi i personelit mjekësor ka qenë një sfidë e cila kurrë nuk është larguar. Mesatarisht, çdo vit, Dhoma Mjekësore Serbe lëshon mbi 700 vërtetime të cilat u japin mundësi mjekëve serbë të punojnë jashtë vendit. Në vitin 2016, Shoqata Kombëtare e Personelit Mjekësor e Bosnjës dhe Hercegovinës (BH) raportonte se qenë larguar nga vendi rreth 3009 mjekë tejet të kualifikuar, një tregues i cili ilustron një problem që prek të gjithë rajonin: largimi i trurit (personelit të kualifikuar) drejt sistemeve shëndetësore perëndimore, ku ofrohen më shumë mundësi për zhvillim profesional, si edhe të ardhura më të larta.

Në vitin 2013, Shqipëria kishte 128 mjekë për 100.000 banorë; në vitin 2014, Mali i Zi kishte 234 mjekë për 100.000 banorë dhe Maqedonia e Veriut 280. Mesatarja e Bashkimit Europian për vitin 2014 ishte 369 mjekë për 100.000 banorë. Ndërkohë që sistemet shëndetësore përpiqen të bëjnë një zbulim efektiv të rasteve dhe të trajtojnë pacientët me COVID-19, mungesat afatgjata në personel mjekësor janë një problem serioz.

Financimi i sistemit shëndetësor

Përtej ndikimit të menjëhershëm për çmimet e pajisjeve dhe kërkesën për to, Banka Botërore vëren se po dalin edhe sfida afatmesme sa i takon financimit të shëndetësisë duke qenë se të ardhurat spitalore po bien dhe burimet e financimit për sistemet shëndetësore me fonde publike po tkurren. Spitaleve në mbarë rajonin u është dashur të pezullojnë ose të kufizojnë procedurat që mund të presin, të cilat janë një burim i rëndësishëm të ardhurash. Ende nuk ka dalë një analizë e hollësishme e ndikimit në rajon, por ka të ngjarë që kjo humbje e të ardhurave do t’i rëndojë problemet me detyrimet e prapambetura dhe me borxhin për shumë ofrues të kujdesit shëndetësor. Për më tepër, duke pasur parasysh tkurrjen ekonomike dhe rritjen e papunësisë, burimet e financimit janë ngushtuar dhe do të ngushtohen nga zvogëlimi i bazës tatimore dhe rënia e kontributeve nga punëdhënësit dhe punëmarrësit. Kjo vlen për Ballkanin Perëndimor, duke pasur parasysh mbështetjen te shpenzimet e drejtpërdrejta nga xhepi.

 Banka parashikon që rënia ekonomike në rajon dhe kudo në Europë do t’i pakësojë të ardhurat nga paga dhe nga dërgesat private, duke cënuar rëndë aftësinë e familjeve për të financuar shpenzimet shëndetësore me pagesa të drejtpërdrejta, çka ngre problemin e barazisë dhe të marrjes së shërbimit për popullatat të cilat kanë nevojë për shërbime shëndetësore.

Mungesat afatshkurtra dhe afatmesme në pajisje përkthehen në kërkesa shtesë dhe risk për mjekët dhe personelin tjetër shëndetësor, të cilët ndodhen në një risk më të lartë të kthehen në pacientë me Covid-19. Për personelin shëndetësor me mundësi të pamjaftueshme përdorimi të pajisjeve mbrojtëse.

Banka sugjeron që të investohet në gatishmërinë për pandemitë dhe në sistemet e shëndetit publik për ta ndaluar transmetimin.

Me rëndësi kritike do të jetë vendimmarrja se si dhe ku të investohet. “Megjithëse secili vend duhet të marrë në konsideratë sukseset dhe vështirësitë e veta, vlerësimet në JEE dhe në GHSI përbëjnë një pikënisje të dobishme për vendosjen e përparësive në shpenzime”- thotë Banka.

Po ashtu thotë Banka, është me rëndësi, ngritja dhe përforcimi i mekanizmave të komunikimit dhe informimit brendapërbrenda dhe midis institucioneve shtetërore dhe me publikun.

Banka konsideron si prioritet të lartë: pajisen e personelit shëndetësor me pajisje të mbrojtjes personale dhe të formohen për trajtimin e pacientëve të infektuar e, për rrjedhojë, infektues.

Nxitimi për të blerë pajisje të ndërlikuara si ventilatorë duhet të shoqërohet me formim dhe mbështetje në mënyrë që personeli shëndetësor t’i përdorë siç duhet këto pajisje për të trajtuar pacientët.

Banka e vë theksin veçanërisht tek njohja dhe menaxhimi i ndikimit që kanë recesionet e thella te buxhetet dhe hapësira buxhetore për shëndetësinë.

Prandaj, sipas saj, duhet të bëhen përgatitje dhe planifikime për pasojat ekonomike të masave të mbylljes dhe të pandemisë së Covid-19 dhe për trysninë e fortë të ushtruar mbi qeverinë në momentin kur fondet për sistemet shëndetësore janë thelbësore; rëndësi kritike do të ketë financimi i duhur i shërbimeve shëndetësore.

Përparësi të lartë ka që qeveritë të ruajnë dhe rritin shpenzimet për kujdesin shëndetësor parësor, shëndetin publik dhe shërbimin e urgjencës.

Për Bankën, një veprim i matur mund të ishte shqyrtimi i dërgesave ndërqeveritare për të siguruar që rajonet me pabarazi të ndjeshme shëndetësore apo shoqërore të kenë mundësi të mjaftueshme për të marrë kujdes për të shmangur shpërthime të epidemisë apo dobësi shëndetësore në të ardhmen.

Po të kemi parasysh detyrimet e prapambetura dhe akumulimin e borxhit, citon Banka, qeverive do t’u duhen strategji të dedikuara për të trajtuar problemet e qëndrueshmërisë financiare që lindin nga COVID-19.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë