Ekonomi

Moody’s optimiste për Shqipërinë, ndryshon perspektivën nga ‘e qëndrueshme’ në ‘pozitive’

Nga Gazeta 'SI' - Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit “Moody's” ka ndryshuar perspektivën e Shqipërisë në “pozitive” nga “e qëndrueshme”, në rishikimin e fundit, të publikuar sot.

Kjo do të thotë që pozita fiskale e Shqipërisë pritet të përmirësohet më tej. Moody’s parashikon një rritje të ekonomisë shqiptare me 3.5% gjatë 2024-s, stimuluar nga turizmi.

Moody's pret që autoritetet të respektojnë rregullat fiskale të përcaktuara në Ligjin Organik të Buxhetit, të cilat përfshijnë një bilanc primar jo më të ulët se zero dhe një reduktim të raportit të borxhit publik ndaj PBB-së çdo vit derisa të arrijë 45% të PBB-së.

Agjencia vlerëson se përmirësimi i konsiderueshëm i bilancit të llogarisë korrente kohët e fundit pritet të jetë strukturor, me vetëm deficite të vogla të parashikuara për vitet 2024-2025, të mbështetura nga bumi i turizmit dhe rritja e remitancave.

Agjencia është e opinionit se flukset e qëndrueshme të investimeve të huaja direkte në turizëm dhe energji, përmirësimet në produktivitet, si dhe rritja e pjesëmarrjes në forcat e punës mbështesin një perspektivë pozitive ekonomike afatmesme..

Sipas vlerësimeve të agjencisë sistemi bankar mbetet i fortë dhe me likuiditet të lartë.

Agjencia është e mendimit se profili i kreditit të Shqipërisë do të përfitojë gjithashtu nga zbatimi gradual i reformave të mëtejshme që lidhen me procesin e anëtarësimit në BE. Ritmi i reformave ka të ngjarë të forcohet me përparimin e bisedimeve të anëtarësimit në BE. Integrimi i mëtejshëm ekonomik me BE-në, partnerin më të madh tregtar të Shqipërisë, ka të ngjarë të përmirësojë potencialin e rritjes së ekonomisë të saj në afatmesëm dhe eventualisht të ngushtojë më tej hendekun në nivelet e të ardhurave me vendet anëtare të BE-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë