Ngjarje

Shpresë për gjetjen e personave të zhdukur në Kosovë e Ballkan

Në të gjithë Ballkanin Perëndimor gjatë kohës së konflikteve të armatosura në vitet 1998-1999, u zhdukën rreth 35,000 persona dhe sot fati i 10.653 prej tyre në të gjithë rajonin mbetet ende i pasqaruar. 1.666 prej tyre vetëm në Kosovë. Mënyrat e zhdukjes të qytetarëve të Kosovës gjatë luftës kanë qenë të ndryshme. Në shumicën e rasteve janë nxjerrë me forcë nga shtëpitë e tyre dhe nuk janë gjetur më kurrë.
Nga statistikat është treguar se rreth 80% e personave të zhdukur kanë qenë meshkuj të moshës vitale prej 18 deri në 40 vjeç, por në një përqindje më të vogël janë edhe personat e moshës 41 deri në 60 vjeç. Ka pasur raste që janë rrëmbyer dhe janë zhdukur dhunshëm edhe personat më të moshuar se 60 vjeç
Por një deklaratë e fundit nga Kathryne Bomberger, drejtoresha e përgjithshme e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, duket do të shërojë plagët e shumë familjeve që ende kërkojnë të afërmit e tyre.
Sipas saj, teknikat e përmirësuara hetimore dhe të mjekësisë ligjore do të bëjnë të mundur që 12,000 persona që u zhdukën gjatë luftërave, të identifikohen. Gjithashtu ajo shton se bashkëpunimi mes qeverive është thelbësor në mënyrë që familjet të mund të mësojnë më në fund fatin e të afërmve të tyre.
Në 20 vitet e fundit, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë mundur të gjejnë 70 për qind të njerëzve të zhdukur. Kjo përqindje tregon se procesi i gjetjes së personave të zhdukur nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ka funksionuar.
Sipas Bomberger, përpara dy javëve, Instituti i Personave të Zhdukur në Bosnjë, informoi një qytetar për gjetjen e tre të afërmve të tij, vetëm falë teknikës të re revolucionare të njohur si Massively Parallel Sequencing, MPS (Sekuenca Masive Paralele).

“Kjo ishte hera e parë që MPS-ja, e cila është duke u zhvilluar në sistemin laboratorik të ICMP-së në Hagë dhe është aplikuar me sukses për të identifikuar eshtrat njerëzore nga Ballkani Perëndimor. Teknika bën të mundur arritjen e rezultateve në raste shumë sfiduese, ku teknologjitë aktuale kanë dështuar dhe gjithashtu mundëson identifikimin e tyre midis të afërmve më të largët. Kjo ofron shpresë të re për familjet që janë ende në pritje për të mësuar fatin e të dashurve të tyre,” thotë në deklaratën e saj Bomberg.
Por ndërsa pranohen arritjet, ende shumë persona të tjerë mbeten të zhdukur. Deklarata e përbashkët që vendet e Ballkanit nënshkruan në Londër në qershorin e vitit të kaluar, për angazhimin e tyre për të bashkëpunuar në përpjekjet për gjetjen e personave të zhdukur, konsiderohet si një hap tepër i rëndësishëm nga Bomberg.
Nëntorin e kaluar, në selinë e ICMP-së në Hagë, përfaqësuesit e Bosnjës dhe Hercegovinës, Kroacisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Serbisë u bashkuan për të nënshkruar Planin Kuadër dhe zyrtarisht u zotuan të punojnë së bashku si Grupi Rajonal i Personave të Zhdukur. Por një tjetër hap shumë i rëndësishëm që theksohet nga drejtoresha është edhe bashkëpunimi rajonal për të mbështetur një proces të suksesshëm. Sipas deklaratës së saj ky bashkëpunim duhet të mbështetet në tre shtylla kryesore.

  • E para është nevoja operacionale për të shkëmbyer informacione mes vendeve, pasi varret klandestine mund të ndodhen në një vend, familjet e të zhdukurve janë në një vend tjetër dhe të dhënat që lidhen me kërkimin janë në një vend të tretë.
  • E dyta është solidariteti i thellë që ekziston midis familjeve të të zhdukurve në të gjitha shtetet dhe komunitetet, pasi ata që kanë ndarë përvojën tronditëse të humbjes së një njeriu të dashur dhe kështu që kanë një lidhje të përbashkët.
  • E treta është zbatimi i një qasjeje jo diskriminuese që përfshin të gjitha palët e interesuara në proces.
    Ndër të tjera Bomberg shprehet se mund të duket që shanset për gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur zvogëlohen. Por, futja e teknikave të përmirësuara hetuese nënkupton që është e mundur gjetja e varreve klandestine dhe identifikimi i njerëzve të varrosur në to, edhe pasi kanë kaluar më shumë se dy dekada.
    “Mbështetja e të drejtave të familjeve të të zhdukurve nuk është një çështje vetëm për familjet, por ajo ndikon në shoqërinë në tërësi. Kur mbështeten të drejtat e grupeve më të prekshme në shoqëri, mbështeten të drejtat e të gjithë qytetarëve,” shton ajo.

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë