Ne rrjet

Shkenca e menaxhimit të turmës: Si planifikohen masat për shmangien e tragjedive gjatë aktiviteteve të mëdha

Në nëntorin e vitit 2021, 10 njerëz vdiqën dhe qindra të tjerë u plagosën gjatë shtyrjeve të turmës që ishte krijuar pranë skenës gjatë një koncerti të reperit amerikan Travis Scott në Hjuston, Teksas. Në tetor 2022, në një nga ngjarjet më të rënda në historinë e Koresë së Jugut, 159 njerëz vdiqën në një situatë të ngjashme gjatë festimeve të Halloween në Seul.

Ngjarjet katastrofike të këtij lloji, të cilat mund të ndodhin kur turma të mëdha njerëzish mblidhen në një vend, janë relativisht të rralla, pasi ekzistojnë masa sigurie që kufizojnë gjasat e tyre. Kuptimi dhe parashikimi i dinamikave që ndikojnë në sjelljen e turmës gjatë ngjarjeve publike, është në fokus të një disipline kërkimore shkencore, të njohur si menaxhimi i turmës, objekt i botimeve të llojeve të ndryshme dhe madje edhe i kurseve specifike të studimit.

Menaxhimi i turmës, është normalisht një nga temat më të debatuara përpara ngjarjeve të mëdha me rëndësi ndërkombëtare. Një shembull i kohëve më të fundit, ka të bëjë me diskutimin mbi organizimin e Olimpiadës që do të mbahet këtë vit në Paris midis muajve korrik dhe gusht.

Diskutimet kanë pasur në qendër rreziqet e sigurisë dhe sfidat e jashtëzakonshme logjistike që paraqet kjo ngjarje e madhe. Në fakt, pritet që ceremonia e hapjes, ku supozohet se do të marrin pjesë rreth 600 mijë njerëz, nuk do të mbahet brenda një stadiumi apo strukture tjetër, por përgjatë Senës, lumit që përshkon kryeqytetin francez.

Gjithsesi, axhenda mund të modifikohet në rastin e rritjes së rrezikut nga sulmeve terroriste, në një vend ku sulme dhe incidente të këtij lloji, kanë ndodhur shpesh në të kaluarën. Një nga vështirësitë kryesore në parashikimin e sjelljes së turmave, është se ajo priret të jetë shumë e ndryshme nga sjellja individuale.

Kjo për shkak të një sërë fenomenesh të studiuara mbi psikologjinë e turmës, degë e psikologjisë sociale që merret me mënyrat se si ndryshon dhe ndërvepron sjellja e një turme me atë të individëve që janë pjesë e saj. Ndër faktorët e njohur që ndikojnë në sjelljen e saj, është humbja e përgjegjësisë dhe e ndërgjegjësimit të individit për veprimet e tij.

Ky faktor vetëm sa rritet sa më e madhe të jetë turma. Disa variabla të tjerë të sjelljes janë më të pavarura, dhe kanë të bëjnë për shembull me vendet specifike ku mblidhen njerëzit, arsyet pse ata e bëjnë këtë si dhe kushtet mjedisore. Në fakt, reagimet e turmës mund të ndryshojnë në varësi të faktit nëse njerëzit janë të grumbulluar së bashku në një vendkalim për këmbësorë, në një koncert të Vitit të Ri, apo në një protestë.

Dhe ato ndryshojnë gjithashtu nëse për shembull, dallojnë tym, nuhasin djegien e diçkaje, apo dëgjojnë një mesazh paralajmërues. Për t’i marrë në konsideratë të gjitha këto variabla në studim, dhe për të kryer simulime të besueshme, sot ekspertët përdorin sensorë të lëvizjes dhe softuerë të sofistikuar, që janë të aftë të zgjidhin ekuacione diferenciale të ndërlikuara.

Dikur teknikat ishin shumë të thjeshta. Për të kryer disa nga studimet e para sistematike mbi menaxhimin e turmës, që datojnë që nga vitet 1950, studiuesit kalonin vetë nëpër turma, matnin kohën e lëvizjeve të tyre dhe analizonin të dhënat që merrnin.

Ndërkohë për të studiuar masat dhe protokollet më të përshtatshme të sigurisë bazuar tek rrethanat, personat përgjegjës për menaxhimin e turmës, përdorin sot imazhe të detajuara satelitore dhe harta rrugore të vendeve ku janë planifikuar të mbahen ngjarje publike me një pjesëmarrje masive.

Për shembull para dasmës mbretërore britanike midis Kate Middleton dhe Princit Ëilliam në vitin 2011, menaxherët e sigurisë vlerësuan paraprakisht rreziqet, duke punuar së bashku me grupe studiuesish të menaxhimit të turmës. Kjo tregohet në librin “Njohuri bazike mbi shkencën e turmave” nga Keith Still, profesor anglez i dinamikës së turmës në Universitetin Suffolk.

Studiuesit, parashikuan se si njerëzit mund të shkonin në vendin e ngjarjes, zonën përreth Westminster Abbey, dhe si do të udhëtonin gjatë dhe pas ceremonisë. Ata përdorën imazhe 3D të marra nga Google Maps në të cilat lëviznin njerëzit (të quajtur “agjentë”) në simulimet kompjuterike, për të studiuar sjelljet e ndryshme të mundshme bazuar në një seri simulimesh të paracaktuara.

E njëjta qasje u përdor edhe për organizimin e masave të sigurisë për festimet e Vitit të Ri në Londër midis viteve 2006-2012, dhe për Lojërat Olimpike të Londrës në vitin 2012. Në këtë lloj analize, studiuesit ndajnë rreziqet nga kërcënimet, të cilat kërkojnë masa të ndryshme sigurie.

Me rrezik kuptohet çdo gjë që mund t’i shkaktojë dëm njërit ose më shumë pjesëtarëve të turmës, si pjerrësia e terrenit apo një shkallë e padukshme. Nga ana tjetër kërcënimet janë shqetësime që vijnë nga jashtë, siç janë sulmet terroriste apo sulme të llojeve të tjera.

Duke analizuar mënyrën se si njerëzit kanë qasje në një ngjarje publike dhe qarkullojnë brenda zonës ku zhvillohet ajo, studiuesit janë në gjendje të këshillojnë se cili organizim është më i përshtatshëm. Paniku që mund të përhapet midis njerëzve në turma, është konsideruar prej kohësh shkaku i rrëmujës, që është shkaku kryesor i vdekshmërisë në tubimet masive.

Në vitin 2010, menaxhimi joefikas i turmës dhe një sërë mangësish në organizim, çuan në masakrën e festivalit të muzikës tekno Love Parade në Duisburg të Gjermanisë, ku vdiqën 21 persona dhe u plagosën 652 të tjerë nga turmat në një tunel që të çonte në zonën e koncerteve.

Vendi i ngjarjes ishte projektuar të akomodonte 250.000 njerëz. Në fakt të pranishëm ishin mbi 1 milion, dhe në atë rast nuk kishte mjaftueshëm dalje emergjence. Me kalimin e kohës është kapërcyer ideja e një turme që vepron në panik dhe në mënyrë të paarsyeshme, kaotike dhe të paparashikueshme, gjatë koncerteve, ngjarjeve sportive apo tubimeve fetare.

Pasi ajo konsiderohet si një thjeshtëzim i dukurive më komplekse dhe i sjelljeve heterogjene, dhe pasojat ndryshojnë nga rasti në rast. Qasjet dhe mjetet më të fundit, përfshirë simulimet që marrin parasysh variabla të shumtë të lidhura me reagimet e njerëzve, të ndryshëm në varësi të skenarëve dhe tipave të njerëzve, kanë mundësuar përmirësimin e menaxhimit të turmave dhe projektimin e strukturave dhe vendeve të ngjarjeve.

Në një studim të vitit 2015, një ekip kërkimor nga departamenti i shkencave kompjuterike në Universitetin e Karolinës së Veriut, zhvilloi një model simulimi të sjelljes së turmës,  bazuar pjesërisht në një teori të mirënjohur psikologjike: Sindroma e Përgjithshme e Adaptimit. Ajo përshkruan ndryshimet fiziologjike që ndodhin tek individët që përpiqen të rivendosin një ekuilibër të ri të brendshëm, pasi i nënshtrohen faktorëve të stresit: ndryshime që kanë dukshëm ndikim edhe në sjelljen e turmës ku bëjnë pjesë individët.

Për shembull në rastin e një evakuimi emergjent. Një simulim i paraqitur nga grupi, përshkruante një rrëmujë të mundshme të turmës në rastin e një zjarri që shpërtheu në qendër të një zyre të madhe të mobiluar dhe me shumë ndarje, dhe ku ka njerëz të prirur të reagojnë me një agresivitet më të madh ndaj stimujve.

Në atë simulim, njerëzit nxituan të dilnin me vrap në korridore. Disa ngrinë ose lëvizën më ngadalë të paralizuar nga frika. Të tjerët më në panik, shfaqën sjellje më agresive dhe shkuan drejt daljeve, duke shkelur mbi turmën. Por pavarësisht progresit të madh dekadat e fundit, mbetet një çështje e hapur aftësia për të parashikuar në terma sasiorë dinamikën e saktë kolektive të një grupi që i përgjigjet stimujve të jashtëm.

Simulimet bazohen kryesisht në modele, ku veprimet e secilit individ ndjekin rregullat empirike të sjelljes. Por ka pasur përpjekje efektive për të integruar në këtë qasje edhe modele fizike që përshkruajnë sjelljen e turmës thjesht në terma hidrodinamikë (pjesa e dinamikës së lëngjeve që studion lëvizjen e lëngjeve).

Gjatë një studimi të botuar në Science në vitin 2019, dy studiues nga Laboratoire de Physique ENS në Lyon, zbuluan një ekuacion mbi lëvizjet e rregullta të turmave të përbëra nga dhjetëra mijëra njerëz. Ata analizuan grupet e vrapuesve në fillimin e maratonave, matën shpejtësinë e turmës në çdo moment dhe në fund zbuluan se sjellja e turmës ndryshonte shumë pak nga njëri grup vrapuesish tek tjetri, nga një garë në tjetrën, dhe nga një vend në tjetrin.

Më pas gjetën një model të saktë parashikues të sjelljes së turmës në situata specifike të këtij lloji: flukset e vëzhguara në Maratonën e Çikagos në vitin 2016, i dhanë mundësi atyre të parashikonin saktë fillimin e Maratonës së Parisit të vitit 2017. Natyrisht, midis turmave dhe grimcave ndërvepruese ka dallime të rëndësishme.

“Grimcat nuk kanë asnjë qëllim”, tha për Smithsonian në vitin 2017 fizikanti gjerman Dirk Helbing, studiues në shkencat sociale kompjuterike në Institutin Federal të Teknologjisë në Zyrih. Por disa ligje natyrore zbatohen për të dyja grupet. Ai thotë se çdo individ në një turmë i nënshtrohet dy forcave kryesore.

Njëra është forca lëvizëse, që e shtyn drejt qëllimit të tij, dhe tjetra është forca sociale që e pengon atë të përplaset me njerëzit e tjerë. Kjo e dyta, është paksa si forca refuzuese midis dy elektroneve, dhe dobësohet me rritjen e distancës midis njerëzve. Dhe njerëzit që ecin në të njëjtin drejtim, rregullojnë zakonisht në mënyrë të pandërgjegjshme trajektoren e ecjes së tyre duke e menaxhuar këtë distancë.

Por kur rritet dendësia e turmës, nis të shpërbëhet ky parim organizativ: nëse ka shumë njerëz në kontakt me njëri-tjetrin, në shumë raste ata nuk janë në gjendje të modulojnë shpejtësinë dhe drejtimin e ecjes për të shmangur përplasjet. Pikërisht në këto raste, priren të shfaqen përplasje të veçanta që gradualisht çojnë në tragjedi.

Burimi: Il Post. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë