Komunitet

Shkarkimet e padrejta, shteti nuk zbaton vendimet e gjykatave për rikthim në detyrë


Largimet në administratë shpeshherë ndodhin në momentet e ndërrimit të pushtetit, duke bërë që këto të kenë pasoja në arkën e shtetit, pasi punonjësit e larguar e kanë fituar të drejtën e rikthimit në detyrë me vendim Gjykate.
Përgjatë qeverisjes së PS-së kanë ndodhur largime pas dy palëve zgjedhjeve, një herë në momentin kur ndodhi rokada e pushtetit, në vitin 2013 dhe në vitin 2017. Në mandatin e dytë, PS-ja fitoi e vetme dhe për të realizuar largimet e punonjësve të cilët ishin aleatët e tyre, LSI-së, bëri shkrirjen dhe bashkim të ministrive. Si pjesë e këtij ristrukturimi kjo shkaktoi jo pak kosto, pasi solli largimin e disa nëpunësve nga Shërbimi Civil, të cilët iu drejtuan Gjykatave, duke i cilësuar si vendime të padrejta.

Kjo gjë evidentohet në raportin vjetor të Komisionerit për Shërbim Civil, i prezantuar në Kuvend nga drejtuesja e këtij instituconi Pranvera Strakosha. Raporti e cilëson si shqetësues nivelin e lartë të vendimeve dhe mbi të gjitha Departamenti i Administratës Publike nuk angazhohet për t’i ofruar punë në vende të ngjashme, punonjësve që janë në listë pritje, por që shteti ka detyrimin t’i paguajë.

Pranvera Strakosha, Komisionerja për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil


“Ky qëndrim është mbajtur edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, në përmbledhjen e publikuar me auditime të ushtruara për periudhën janar-shtator 2017, nga ku rezulton se janë konsideruar dëm ekonomik pagesat e kryera për punonjësit të cilët kanë fituar me vendim gjyqësor të formës së prerë, pagesën deri në rikthim në punë, në kushtet kur këta punonjës kanë qenë në marrëdhënie pune me institucione të tjera shtetërore ose private. Këto pagesa janë konsideruar shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e subjektit dhe është rekomanduar marrja e masave disiplinore dhe administrative ndaj nëpunësve përgjegjës”, thuhet në raportin e Komisionerit.


Për të shmangur në këtë mënyrë mundësinë e një përfitimi pa të drejtë në favor të nëpunësve, e në dëm të shtetit, sugjerohet që institucionet duhet të njoftojnë përmbaruesit gjyqësor për punësimin e nëpunësit dhe të kërkojnë prej tyre që në llogaritjen e detyrimit të zbresin pagesat që nëpunësi ka përfituar nga institucioni tjetër. Në rast se përmbaruesi nuk pranon të saktësojë detyrimin që ka institucioni ndaj nëpunësit gjyqfitues, institucioni duhet t’i drejtohet gjykatës.
“Në rast se ky proces do të ishte administruar më mirë, në këtë moment nuk do të ishin 311 vendime gjyqësore të pa ekzekutuara, e për më tepër, vendime të mbartura prej shumë vitesh (duke nisur nga viti 2006). Nëpërmjet monitorimit të situatës, janë evidentuar 311 vendime të formës së prerë, të cilat ende nuk janë ekzekutuar nga subjektet përkatëse, të cilat i përkasin: 12 (ose 4%), institucioneve të pavarura; 209 (ose 67%) administratës shtetërore dhe 90 (ose 29 %), njësive të qeverisjes vendore”, thekson më tej raporti.

Komisioneri e vlerëson këtë situatë problematike, por nga ana tjetër, konstaton një rritje të ndjeshmërisë së institucioneve për zgjidhjen e këtij problemi të krijuar ndër vite, ç`ka evidentohet me reagimin pozitiv nga ana e tyre për të dërguar në kohë të dhënat e kërkuara; me kërkesat për të sqaruar problemet që lindin gjatë zbatimit të vendimeve gjyqësore; si edhe me nisjen e planifikimit të pagesave për shlyerjen e detyrimit financiar, si zë më vete në buxhetet e institucioneve.


Aktualisht, janë ekzekutuar 166 vendime gjyqësore, ose 35% e tyre dhe janë në pritje për ekzekutim, 311 vendime gjyqësore të formës së prerë, ose 65% e tyre. Në kategorinë e vendimeve të pa ekzekutuara: në 209 raste i përkasin administratës shtetërore, ose 67% e tyre; në 90 raste administratës vendore, ose 29% të tyre dhe në 12 raste ose 4% të tyre, i përkasin institucioneve të pavarura.


Në institucionet e administratës shtetërore qendrore dhe ato të varësisë 32%, 100 raste të nëpunësve gjyqfitues, janë rikthyer në pozicione të rregullta të shërbimit civil, ndërsa 68% (209 raste) e tyre janë ende në pritje për t’u rikthyer në pozicione pune në shërbimin civil. Ndërkohë, në institucionet e vetëqeverisjes vendore, në kategorinë e bashkive, në 61 institucione dhe 12 Këshillat e qarqeve janë rikthyer në pozicione të rregullta të shërbimit civil, ose janë dëmshpërblyer 41% (62 raste) e nëpunësve gjyqfitues, ndërsa 59% (90 raste) e tyre janë ende në pritje për ekzekutimin e vendimit. Në kategorinë e institucioneve të pavarura, janë ekzekutuar 4 raste, ose 25% e vendimeve gjyqësore dhe 75% e tyre nuk janë ekzekutuar ende, por në këto institucione evidentohet një numër i ulët i vendimeve të pa ekzekutuara me 12 raste.
Në procesin e ristrukturimit janë përfshirë 1922 pozicione pune, pjesë e shërbimit civil, të organizuara në 16 ministritë e linjës dhe në Kryeministri, ku bëjnë pjesë 1485 pozicionet e plotësuara dhe 437 pozicionet e lira, në kuptim të ligjit, para fillimit të procesit të riorganizimit të institucioneve. Pas ristrukturimit, rezultojnë 1723 pozicione pune pjesë e shërbimit civil, pra janë pakësuar 199 pozicione pune, pjesë e shërbimit civil. Ndërsa theksohet se janë sistemuar në shërbimin civil 1334 nëpunës të nivelit të mesëm dhe të ulët drejtues, të nivelit ekzekutiv, si dhe 54 anëtarë të Trupës së Nivelit të Lartë Drejtues, pra gjithsej 1388 nëpunës civilë.


Sipas raportit, janë liruar nga shërbimi civil 50 punonjës, 47 punonjës janë transferuar pranë AKSHI-t, për të cilët në të gjitha rastet, është aplikuar e drejta e dëmshpërblimit sipas vjetërsisë në shërbimin civil, si dhe e drejta për të konkurruar në procedurat e lëvizjes paralele dhe ngritjes në detyrë, për një periudhë dyvjeçare, si dhe 81 punonjës janë transferuar në institucione në varësi të ministrive të linjës dhe Kryeministrisë. Gjatë procesit rezultoi se në 21 raste, nëpunësit civilë i janë drejtuar me kërkesë padi gjykatës administrative, duke ushtruar të drejtën e tyre të ankimit, pasi nuk kanë qenë dakord me vendimin për lirimin nga shërbimi civil.
Numrin më të madh të ankesave e zënë ato që kanë lidhje me rastin kur, për punonjësit është ruajtur kategoria e shërbimit civil, por për arsye të ndryshme, ndër të cilat edhe ulja e nivelit të njësisë organizative, apo ulja e nivelit të përgjegjësive që mbulon pozicioni, transferimi në pozicionin aktual pas ristrukturimit, është shoqëruar edhe me uljen e kategorisë në nivelin e pagës, kryesisht në kategorinë ekzekutive, për të cilën aplikohen disa nivele page.

Emërimet e parregullta
Në raportin vjetor një vëmendje i kushtohet mënyrës së emërimeve, ku një shifër e konsiderueshme e tyre janë cilësuar si të parregullta. Institucioni ka mbikëqyrur 1592 pozicione pune, nga të cilat janë konstatuar 960 raste të emërimeve në detyrë në përputhje me kërkesat e ligjit; janë evidentuar 357 raste si emërimeve të parregullta, që zënë 22% të pozicioneve të punës pjesë e shërbimit civil, të institucioneve të mbikëqyrura, ku përfshihen emërime të kryera në kundërshtim me procedurat e rekrutimit, si dhe raste të nëpunësve ekzistues, të cilët nuk plotësojnë kriterin e nivelit të diplomës së arsimit të lartë, ose nuk plotësojnë kriteret për pozicionin e punës ku janë të emëruar; si dhe 275 pozicione janë evidentuar të pa plotësuara.
Për të gjitha rastet e emërimeve në kundërshtim me ligjin, sipas raportit bëhet e ditur se janë urdhëruar personat përgjegjës, të rregullojnë pasojat e paligjshmërisë, duke filluar me ndërprerjen e marrëdhënies së punës dhe duke vijuar njëkohësisht me shpalljen e vendeve të lira dhe zhvillimin e rekrutimit, në përputhje me ligjin. Konstatohet një reagim i shpejtë dhe pozitiv nga ana e subjekteve të ngarkuar me detyra konkrete për rregullimin e situatës në vendimin paralajmërues të Komisionerit.

Konstatohet një disproporcion i theksuar midis pagave të nëpunësve civilë në administratën shtetërore dhe të institucioneve të pavarura, në krahasim me institucionet e varësisë dhe administratën vendore, sidomos në bashkitë e nivelit të dytë dhe të tretë, me një numër të kufizuar banorësh.
Në përgjithësi, në administratën vendore, konstatohet tendenca për të shtuar pozicionet e punës, brenda të njëjtit buxhet, duke mos u kujdesur që niveli i pagës t’i përgjigjet përgjegjësisë së pozicionit të punës. Kjo do të thotë që kufiri i pagave është gjithmonë në minimumin e lejuar nëpërmjet aktit nënligjor që rregullon pagat për këto institucione, duke mos i motivuar nëpunësit civilë apo edhe kandidatë që të vijnë nga jashtë këtij sistemi, për të punuar në to. Kjo është edhe arsyeja, përse shpesh herë nuk kandidojnë për plotësimin e pozicioneve të punës, në nivele të larta drejtuese, që kanë nevojë për edukim arsimor të specializuar në fushën e inxhinierisë, jurisprudencës, ekonomisë.
“Në këto kushte, Komisioneri vlerëson se, duhet të rishikohet e gjithë pjesa e legjislacionit që ka të bëjë me shërbimin civil në administratën vendore, për të përcaktuar rregulla të qarta dhe të detyrueshme, për t’u zbatuar, të cilat janë lënë shpeshherë në vullnetin e tyre, me argumentin se janë institucione të pavarura”, theksohet në raport.
Për periudhën 4-vjeçare, në institucionet e mbikëqyrura nga Komisioneri, gjatë viteve 2015-2018, janë liruar nga shërbimi civil 957 punonjës, nga të cilët 371 për arsye ristrukturimi, 457 me dorëheqje dhe 129 për shkak se kanë mbushur moshën për pension pleqërie.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë