Treg

Punësimet elektorale dhe tabloja e papunësisë në vend

Mentor Kasa & Sabina Veizaj -Një prej pikave kryesore të të ashtuquajturit “Pakt për Universitetin”, që Edi Rama e prezantoi pas protestës së studentëve, ishte punësimi i të rinjve të diplomuar me rezultate të larta në administratën publike.

Për këtë u hap edhe një platformë, ku të rinjtë që kishin përfunduar studimet që prej 2017-ës e në vijim dhe me mesatare të larta mund të aplikonin për një vend pune në administratën publike, duke shmangur kështu konkurrimet.

Në bazë të këtij vendimi të Këshillit të Ministrave, që u siguron ekselentëve një vend pune në administratën shtetërore duke shmangur konkurrimet, Drejtoria e Administratës Publike hoqi nga faqja e saj në internet shpalljet për vendet e lira, që deri në atë kohë ishin shpalosur si ofertë për këdo që plotësonte kriteret që të merrte pjesë në testim.

Transparenca për vendet e lira të punës në administratë, por sidomos garantimi i konkurrimit janë dy prej kritereve kryesore të frymës së ligjit për administratën dhe të ligjit “Për nëpunësin civil”. Por, në thirrjen e hapur përmes platformës punëtëmbarë.al më 11 janar të këtij viti, mes 803 vendeve vakante të njoftuara, 601 ishin të shërbimit civil, që bien automatikisht nën regjimin e ligjit për nëpunësin civil, përkatësisht të neneve 23 dhe 24 të tij.

Përmes platformës së punësimit të ekselentëve, Qeveria nuk përjashton konkurrimin, por se ai zhvillohet mes studentëve me mesatare të larta, duke e kushtëzuar testimin në një grup të vogël personash.

Përveç kësaj ka disa sinjalizime se në të vërtetë në fushatën e nisur nga Qeveria nuk po punësohen vetëm të diplomuarit pas 2017-ës me mesatare të lartë, por edhe persona të tjerë me kontrata të përkohshme, 6-mujore deri në 1-vjeçare në funksion të fushatës elektorale.
Instituti i Studimeve Politike theksoi në një raport të publikuar së fundmi se praktika të tilla punësimi janë vërejtur jo vetëm nga Partia Socialiste, por edhe në ato bashki që aktualisht drejtohen nga partitë e opozitës, megjithëse këto të fundit kanë paralajmëruar mospjesëmarrjen në zgjedhje.

Për mënyrën sesi organizohen konkurrimet për vendet e punës në administratën shtetërore, disa javë më parë Zëri i Amerikës publikoi përgjimet e Prokurorisë për Krimet e Rënda.
Hetimet për Arben Çuko, ish-drejtor i Burgjeve ekspozojnë farsën e konkurseve publike dhe ndërhyrjet për punësime nga zyrtarë lokalë, deputetë të Partisë Socialiste dhe në një rast, edhe nga kabineti i kryeministrit Edi Rama.

Më 30 prill 2018, drejtori i Përgjithshëm në atë kohë i Burgjeve, Arben Çuko mori një telefonatë nga kabineti i kryeministrit Edi Rama. Biseda bëhej me porosi të drejtoreshës së kabinetit, Vali Bizhga dhe kishte në fokus punësimin e një vajze. Çuko, i cili ndodhej nën përgjim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pohon në bisedë se e kishte firmosur punësimin më herët atë ditë.

“Fola me zonjën Bizhga para gjysmë ore dhe i thashë se u fut Vitjona në punë”, citohet të pohojë ai në transkriptin e zbardhur.Të dhënat e siguruara nga Zëri i Amerikës përmes një dyzine përgjimesh dhe mesazhesh të shkëmbyera tregojnë se telefonata të ngjashme mbi punësimet apo transferimet e punonjësve në sistemin e burgjeve ishin pjesë e rutinës së përditshme të punës së ish-drejtorit Arben Çuko.

Zyrtarë lokalë, deputetë të Partisë Socialiste dhe të zgjedhur vendorë janë përgjuar ndërsa shkëmbenin trafik influence dhe kërkonin favore për punësime, apo transferime nisur nga lidhjet partiake, apo personale dhe jo mbi bazën e meritës.

Përgjimet ekspozojnë gjithashtu se si një konkurs për rekrutime masive në policinë e Burgjeve u kthye në një fushatë punësimi për militantët socialistë, apo njerëzit e lidhur me pushtetin, një fenomen ky i përhapur në administratën publike në Shqipëri.
Pas këtyre publikimeve të Zërit të Amerikës, Kryeministri Edi Rama reagoi përmes rrjeteve sociale, duke e cilësuar edhe këtë media një “kazan”.

“Erdhi dita që Zëri i Amerikës të flasë nga kazani i Tiranës, duke përgojuar dynjanë mbi bazë llogjesh telefonike. Për herë të parë në Albania organizohet konkurs publik për punësimet në burgje dhe kazani gjëmon deri në Amerikë e jehon në katundin tonë mediatik. Çfarë katandie”, deklaronte ai në atë kohë.

Rama vetë e ka pranuar disa herë publikisht fenomenin e punësimeve të militantëve në administratë dhe në disa takime, të paktën publikisht, u ka kërkuar vartësve të tij që të refuzojnë këto praktika.

Jo më larg se një ditë më parë edhe ministri i Jashtëm në detyrë foli për punësime në diplomacinë shqiptare përmes krushqive apo lidhjeve politike, duke goditur paraardhësin socialist, Ditmir Bushati, i cili qëndroi më shumë se 5 vjet në krye të diplomacisë shqiptare dhe emërimet mbajnë firmën e tij. “Shqipëria nuk është e miqve, kushërinjve politikë apo dhe klaneve e krushqive të kujtdo qoftë, por është e të gjithëve dhe meriton të përfaqësohet nga më të dalluarit që punojnë me mendje dhe veprojnë me shpirt dhe shërbejnë me pasion, me kapacitetin e plotë profesional dhe moral. Kjo përpjekje nuk fillon nga hiçi, e kjo është në vazhdën logjike të ndërmarrjes sonë që ka filluar tashmë dhe nuk mund të lihet në gjysmë asesi”, theksoi Gent Cakaj, që njoftoi largimin e mbi 20 diplomatëve nga detyra, edhe pse publikisht nuk bëri të njohur asnjë emër.

Papunësia, të rinjtë vuajnë më shumë

Megjithë punësimet elektorale me fokus të rinjtë ekselentë, kategoria e të rinjve dhe kryesisht femrat janë ata që vuajnë më shumë barrën e papunësisë në vend.
Të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave tregojnë një rritje të lehtë të papunësisë për tremujorin e katërt të vitit 2018-të.

Krahasuar me tremujorin paraardhës, shkalla zyrtare e papunësisë u rrit me 0,1 pikë përqindje.

INSTAT konfirmon që të rinjtë janë ata që pësojnë peshën më të madhe të papunësisë me një shkallë zyrtare 22,3 %. Në terma vjetorë shkalla e papunësisë së të rinjve shfaq tendencë në rënie, megjithatë mbetet e lartë. Krahasuar me tremujorin e tretë 2018, shkalla e papunësisë për të rinjtë ka pësuar një rënie prej 0,9 pikë përqindje.

Shkalla zyrtare e papunësisë për meshkujt është më e ulët se për femrat. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2017, shkalla e papunësisë për meshkujt ka rënë më shumë se për femrat.

Shkalla e papunësisë për grup-moshën 30-64 vjeç është 9,2 %. Krahasuar me tremujorin paraardhës për këtë grup-moshë shkalla e papunësisë u rrit me 0,3 pikë përqindje.
Papunësia ndër të rinj mbështetet edhe nga emigrimi i kësaj kategorie, që sipas të dhënave gjatë dekadës së fundit raportohet se nga vendi janë larguar rreth 500 mijë vetë, pjesa më e madhe në moshe të re.

Banka Botërore në të dy raportet e fundit të saj për vendet e Ballkanit Perëndimor (në tetor dhe atë të para pak ditëve) sugjeron vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor që të ndjekin rrugën e rritjes së punësimit formal për të rritur të ardhurat nga puna dhe për të krijuar mirëqenie të qëndrueshme.

Banka Botërore vëren se, po të shihen indikatorët e forcës së punës në Shqipëri ka ndasi mes femrave dhe meshkujve, të rinjve dhe më të rriturve. Kjo diferencë, thotë Banka Botërore është konsistente. Është më mirë në rajon, por duke u krahasuar me vendet europiane dhe me ekonomitë e ngjashme paraqet probleme strukturore, kulturore, etj që duhen gjetur dhe analizuar.

Meqenëse punësimi nuk ka ndjekur vazhdimisht rritjen ekonomike, Ballkani Perëndimor duhet të adresojë ngurtësitë strukturore që ndikojnë në tregun e punës. Në dekadën e fundit në disa vende, elasticiteti i rritjes së punësimit ndaj rritjes së PBB-së ka qenë minimal.
Në vitin 2017, norma mesatare e varfërisë për Shqipërinë, ra rreth 1 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë duke regjistruar një normë 23.1 për qind. “Por inflacioni në rritje, veçanërisht për çmimet e ushqimeve dhe energjisë, ndikon tek familjet me të ardhura më të ulëta ku buxheti i familjeve shkon veçanërisht për ushqim”-citon raporti.

Banka Botërore sugjeron se për të mbështetur dhe nxitur përmirësimet aktuale në lidhje me mirëqenien e qëndrueshme, vendet në të gjithë rajonin do të duhet të vazhdojnë të krijojnë vende pune.

Gjithashtu BB ka vërejtur në raportin e fundit të disa ditëve më parë se, punësimi informal është një nga sfidat më të mëdha të tregut të punës në Ballkanit Perëndimor dhe është ende në rritje në Shqipëri.

BB thekson se performanca e tregut të punës ka një trend ngadalësues që nxjerr në pah një sërë shqetësimesh.

“Ne ende kemi nevojë për një sektor privat më të fuqishëm që gjeneron vende pune dhe politika publike të përshtatshme që përmirësojnë punësimin e fuqisë punëtore për të mbështetur performancën dhe ecurinë e tregut të punës në të ardhmen”- ka cituar Banka Botërore në raportin e saj.

Ndërsa të dhënat e INSTAT raportuan për mbylljen e 1% të ndërmarrjeve në 2017-ën.
Bujqësia, industria dhe shërbimet kanë regjistruar më pak punësime të reja, sipas të dhënave.

Banka Botërore gjykon se performanca e tregut të punës në Ballkanin Perëndimor ka vazhduar të përmirësohet, megjithëse me një ritëm më të ngadaltë se sa një vit më parë dhe pavarësisht rritjes më të fortë ekonomike në rajon. Sipas raportit, numri i vendeve të reja të punës të hapura midis tremujorit të dytë të vitit 2017 dhe tremujorit të dytë të vitit 2018 është rreth 68,000, krahasuar me 231,000 prej tyre një vit më parë, 163 mijë vende pune më pak. Nga ana tjetër, rritja e PBB-së në rajon u regjistrua nga 2.5 përqind në vitin 2017, në 3.9 përqind në vitin 2018.

Raporti vëren se gratë vazhdojnë të jenë të diskriminuara në tregjet e punës në Ballkanin Perëndimor.

Edhe pse në rënie, citon raporti përqindja e të rinjve (15-24 vjeç) të cilët nuk janë të përfshirë në punësim, arsim dhe as në trajnime mbeti e lartë në nivelin 22.3 për qind.
Pagat dhe kostot e krahut të punës ishin dukshëm më të ulëta në Ballkanin Perëndimor, krahasuar me BE-në.

Raporti konstaton se tatimi mbi të ardhurat e krahut të punës në Ballkanin Perëndimor është relativisht i lartë për punonjësit me pagë të ulët dhe për punëtorët me përgjegjësi familjare/ që kanë persona të tjerë në varësi, duke pasur parasysh progresivitetin e ulët të rajonit dhe përdorimin e rrallë të ndihmës familjare në regjimet e tatimit mbi të ardhurat. Punonjësit me pagë të ulët janë në një situatë edhe më të pafavorshme në tregun formal të punës sa i takon pagës së tyre neto dhe kostos relativisht të lartë të punësimit të tyre krahasuar me personat me të ardhura të mesme ose të larta.

Në fakt papunësia është frika më e madhe ndër shqiptarë, të cilët e konsiderojnë mungesën e sigurisë së jetesës në vend si një gangrenë dhe ankth të përhershëm.

Këtë e kanë pohuar edhe në anketimin që iu është bërë nga Barometri i Ballkanit 2018-të.
Indeksi i vrojtimit të mendimit të publikut në Ballkan 2018, (korrik) tregoi se gjendja e tregut të punës në ekonomitë e Europës Juglindore vazhdon të influencojë në masë mendimin dhe pritshmëritë e njerëzve.

Shumica dërrmuese e të anketuarve në rajonin e EJL-së (83%) do të përshkruanin hendekun mes të pasurve dhe të varfërve, si në zgjerim e sipër.

Krijimi i vendeve të punës gjerësisht ka ndodhur me paga të vogla dhe në sektor me produktivitet të vogël .

Shqipëria do të rezultonte sërish në krye të tabelës ashtu si vitin paraardhës me 15% të të anketuarve që kanë humbur punën e tyre gjatë 3 viteve të fundit. Për këtë, në Shqipëri, të anketuarit do të prononcoheshin në një masë më të madhe se pjesa tjetër e rajonit (28%) se kanë prioritet sektorin privat të punës për arsye të sigurisë së punës.
Në Shqipëri ka një përqindje më të lartë të atyre që e vlerësojnë statusin e tyre nën mesataren (33%). Rreth një e treta e të anketuarve e përshkruajnë veten të kërcënuar nga varfëria.

Këtë tablo me domosdo nuk e përmirësojnë punësimet elektorale apo punësimet e ekselentëve me anë VKM-sh duke marrë parasysh precedencat që çdo qeveri që vjen kryen punësimet e veta.
Ajo që do ta përmirësonte këtë tablo të zymtë do të ishin çeljet e vendeve të reja të punës formale nën një regjim të standardizuar pagash për të krijuar siguri dhe qëndrueshmëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë