Politike

Shitja e pasaportës, KE sërish thirrje Shqipërisë: Rrezikon procesin e anëtarësimit

Komisioni Europian ka paralajmëruar sërish Shqipërinë që të mos ecë përpara me skemën e shitjes së pasaportave, pasi sipas Komisionit, ajo bie ndesh me legjislacionin e Bashkimit Europian dhe përbën rrezik për anëtarësimin e Shqipërisë në bllok.

Qeveria shqiptare zyrtarisht nuk ka komentuar nismën, por jozyrtarisht me një vendim të marrë në muajin korrik i ka hapur rrugën skemës duke e përfshirë në fushat e koncesioneve dhe PPP-ve, pas propozimit të Ministrisë së Brendshme.

Programe të ngjashme aplikohen nga disa vende europiane, megjithatë, autoritetet në vendet e BE-së shpesh e kanë kritikuar një skemë të tillë pasi është shfrytëzuar për pastrimin e parave dhe korrupsionin.

Qeveria shqiptare nuk ka komentuar drejtpërdrejt kritikat e autoriteteve të BE-së për një skemë të tillë, por garanton se ajo nuk do të ketë mundësi korrupsioni, ndërsa qëllimi kryesor i saj është tërheqja investitorëve të pasur.

Brukseli ka një mendim tjetër. Sipas raportit të fundit të progresit të Shqipërisë, të prezantuar vitin e kaluar, vendosja e një skeme të tillë përbën rrezik ndër të tjera për sigurinë e vendit.

“Për të drejtat e nënshtetësisë, një dispozitë e Ligjit për Shtetësinë, e miratuar në korrik 2020, ende mund të çojë në krijimin e një skeme të Pasaportës së Artë të investitorëve. Programe të tilla paraqesin rreziqe në lidhje me sigurinë, pastrimin e parave, evazionin fiskal, financimin e terrorizmit, korrupsionin dhe infiltrimin nga krimi i organizuar dhe janë të papajtueshme me acquis të BE-së. Prandaj, si vend kandidat, Shqipëria duhet të përmbahet nga zhvillimi i një skeme të tillë”, theksohet në raport.

Dy rrugët dhe miliardat që qarkullohen

Qeveria shqiptare ka kontaktuar me kompania “Henley & Partners”, një prej kompanive më të mëdha në botë që ofron këtë shërbim për mijëra klientë të saj. Kompania jep dy oferta për klientët e saj. Oferta e parë është ajo e personit rezident. Për këtë program pagesat janë më të ulta dhe bashkë me to edhe përfitimet për klientët. Kartat e rezidentit u mundësojnë blerësve qëndrimin në vendin ku e blejnë këtë kartë, por lëvizshmëri të kufizuar fizike dhe të kapitalit në vendet e tjera.

Në këtë program, vetë “Henley & Partners” pranon se ka më shumë shtete që bashkëpunojnë me të, përfshirë këtu edhe Greqinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Programi i dytë është blerja e pasaportës. Këtu numri i vendeve që bashkëpunojnë me këtë kompani është më i kufizuar. Greqia dhe SHBA nuk janë. Ky program u mundëson klientëve të kompanisë pajisjen me pasaportën e vendit që ata dëshirojnë. Pagesat janë në varësi të marrëveshjeve individuale që “Henley & Partners” ka nënshkruar me shtetet përkatëse. Si shembull, në Maltë duhet të paguhet 1.2 mln euro dhe të ketë një plan investimi prej 2 mln eurosh të tjera në këmbim të marrjes së pasaportës, ndërsa në Qipro shifra është më e ulët, e po ashtu edhe detyrimi për të investuar.

Nuk dihet se në cilin program do të përfshihet Shqipëria, gjithnjë nëse kjo do të ndodhë. Nuk dihet gjithashtu as shuma se sa do të shitet pasaporta shqiptare dhe as mënyra, apo kontrata që po mendon qeveria shqiptare. Por, sërish në media qarkullon një variant sipas të cilit shteti shqiptar do t’i ofrojë një formë PPP-je 50 me 50 “Henley & Partners”. Pra, për të shpjeguar më thjeshtë, nëse shteti shqiptar vendos që nesër të shesë një pasaportë për 1 mln euro, atëherë 500 mijë euro do të shkojnë në arkën e shtetit dhe 500 mijë euro të tjera në xhepat e kompanisë në fjalë.

Në pamje të parë duket joshëse, por rastet kur skema të tilla janë miratuar dhe më pas anuluar për shkak të abuzimeve dhe korrupsionit nuk mungojnë. Rasti më i freskët është Moldavia, që u detyrua të heqë dorë për shkak të veprimtarisë së dyshimtë të personave që përfituan shtetësinë moldave dhe dyshimeve se pas kompanive që vepronin si sekserë në ofrimin e këtij shërbimi për klientë të majmë qëndronte Rusia.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë