Politike

‘Pasaportat e arta’, media holandeze: Tërheq rusët, kinezët e arabët. Mundësi për pastrimin e parave

Nisma e Qeverisë shqiptare për të shitur pasaportën për të huaj të pasur ka tërhequr vëmendjen edhe në mediat holandeze, që e konsiderojnë atë të rrezikshme ‘për vendin e varfër’.

“Shqipëria kërkon t'u sigurojë investitorëve të mëdhenj një pasaportë shqiptare. Plani është pjesë e legjislacionit të Partneritetit Publik-Privat (PPP) që parashikon që Qeveria t'ua shesë tokën kompanive të huaja të pasura. Me këtë kryeministri Edi Rama po rrezikon shumë probleme me pranimin e vendit të tij në BE. Në Bruksel ka një kundërshtim në rritje ndaj të ashtuquajturave 'pasaporta të arta' të cilat, në veçanti, shtetet më të vogla anëtare si Qiproja dhe Malta kanë aplikuar”, shkruan faqja holandeze Sargasso.nl.

Kjo faqe informative mbledh rreth 30 gazetarëv të pavarur vendas, të cilët publikojnë aty shkrime, artikuj e investigime. Në këtë shkrim, me autor Jos van Dijk ngrihet shqetësimi se skema që po mendon Shqipëria të shfrytëzohet nga oligarkët rusë, pasanikët kinezë dhe sheikët arabë, të akuzuar për korrupsion, terrorizëm, apo shkelje të tjera të të drejtave të njeriut.

"Oligarkët rusë, kinezët e pasur dhe sheikët e naftës kanë përfituar tashmë nga kjo. Tregtia e pasaportave kryhet përmes Byrosë Zvicerane Henley & Partners. Malta ka pezulluar programin e saj për rusët dhe bjellorusët pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Qiproja përpunon vetëm aplikimet në pritje. Parlamenti Europian ka votuar në favor të një ndalimi”, thuhet në artikull.

Sipas artikullit, “Kryeministri Rama duket se prej disa vitesh ka qenë në favor të këtyre ‘pasaportave të arta’ pasi mori pjesë në një konferencë të Henley & Partners në Londër”.

“Çfarë duhet të bëjnë ata me një pasaportë shqiptare që nuk mund ta përdorin për momentin në BE dhe që mund të çojë edhe në vonesë të negociatave të pranimit? Çfarë ka për të ofruar Rama? Përparësi të veçanta vendndodhjeje që nuk i kanë shqiptarët? Përjashtim nga taksat në kurriz të thesarit të shtetit? A duhet të mendojmë për një rrugë pastrimi parash? Ky i fundit ishte një nga kundërshtimet ndaj praktikave të Qipros dhe Maltës”, vijon analiza e van Dijk.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë