Ngjarje

Shqipëria mendon shitjen e pasaportës, biznesi kontravers 25 mld dollarësh

Shqipëria po mendon që t’i bashkohet një klubi të vogël vendesh pjesëmarrëse në biznesin kontravers e 25 miliardë dollarësh të shitjes së pasaportave. Këtij qëllimi duket se i ka shërbyer edhe vizita e fundit jozyrtare e Kryeministrit Edi Rama në Londër.

Në kryeqytetin britanik zhvilloi punimet nga data 11 deri më 13 nëntor konferenca vjetore e kompanisë “Henley & Partners”, një kompani që në faqen e saj zyrtare në internet e përshkruan veten si kompani lider në fushën e ndërmjetësimit në shitjen e pasaportave.

Në këtë konferencë përfaqësohej gjithashtu edhe Mali i Zi, me Kryeministrin Dushko Markoviç dhe Malta me Kryeministrin Josef Muskat. Gjatë pjesëmarrjes në këtë takim, Kryeministri Edi Rama ka qenë në listën e folësve që u janë adresuar të ftuarve.

Kryeministri Edi Rama në listën e folësve në këtë konferencë. Gazeta Si, 16 nëntor 2019

As nga kompania dhe as nga Qeveria shqiptare nuk ka një njoftim, apo sinjalizim në lidhje me përmbajtjen e fjalimit të Kryeministrit Edi Rama në këtë konferencë, por në media po qarkullojnë disa artikuj, sipas të cilëve kreu i Qeverisë shqiptare është shprehur para miliarderëve pjesëmarrës se po merr në konsideratë bashkëpunimin e Qeverisë shqiptare me “Henley & Partners”, pavarësisht se kjo mund të përkthehet në kritika nga Bashkimi Europian.

Në fakt, Bashkimi Europian qorton në përgjithësi praktikën e shitjes së pasaportave, ndërsa në veçanti, përmes një rezolute të miratuar më 28 mars të këtij viti në Parlamentin Europian i kërkohet Maltës që të ndërpresë bashkëpunimin me kompaninë “Henley & Partners”.

Rezoluta ngre shqetësime në lidhje me personat që kanë përfituar pasaportën e një vendi anëtar të BE-së, pas regjistrimit të të paktën pesë rasteve, ku përfituesit ishin njerëz të kërkuar, ose dënuar për mashtrim, evazion fiskal, e deri tek shkelje të sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë.

Kompanitë që operojnë në këtë treg i mbajnë të dhënat e tyre sekrete, por në një raport të 2018 të MoneyVal, që është organizmi i BE-së kundër pastrimit të parave të pista theksohet se aplikimet më të shumta për shtetësi në këtë formë mbërrijnë nga Rusia, Irani dhe Lindja e Mesme, si Arabia Saudite, apo Iraku.

Vendet pjesëmarrëse

Në vetvete biznesi i shitjes së pasaportave, pavarësisht kritikave nga pjesa më e madhe e vendeve të Bashkimit Europian po konsiderohet gjithnjë e më shumë si një mundësi për të tërhequr kapital të huaj në vend. Aktualisht vetëm tre vende anëtare të BE-së bashkëpunojnë me “Henley & Partners” për shitjen e pasaportave, Austria, Qipro dhe Malta.

Austria ka një mekanizëm filtrimi të emrave që aplikojnë që funksionon dhe deri më tani asnjë prej personave përfitues nuk ka rezultuar person në kërkim, apo i akuzuar në veprimtari të dyshimtë kriminale. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë në Qipro dhe Maltë. Për të dyja këto vende, Parlamenti Europian kërkon në rezolutën e miratuar më 28 mars që ose të përforcojnë rregullat, të luftojnë korrupsionin në këtë sektor, ose të heqin dorë nga kjo skemë.

Rezoluta thekson se vetëm në Qipro ky biznes ka qarkulluar rreth 6 miliardë euro që prej 2013 kur prezantoi këtë skemë. Burimi i të paktën 4 miliadë eurove, sipas një raporti të MoneyVal është i dyshimtë. E njëjta gjë theksohet edhe për Maltën, ku nuk kanë munguar akuzat se në skema korruptive që u kanë dhënë shtetësinë personave të dyshuar, apo kërkuar për krime të ndryshme në fushën financiare është përfshirë deri edhe Ministri i Drejtësisë.

Nisur nga këto shqetësime të Bashkimit Europian, rruga që duhet të ndjekë Shqipëria, si vend që gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Shengen duhet të jetë ajo e Austrisë. Por, a janë në gjendje strukturat shtetërore shqiptare që të “sfidojnë” nivelet e korrupsionit dhe të garantojnë se asnjë person i dyshimtë nuk do të përfitojë pasaportën shqiptare?

Kjo pyetje vështirë se mund të marrë një “Po”, ndërkohë që me “Jo”-në është në lojë jo vetëm integrimi i vendit në Bashkimin Europian, por edhe lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë për në vendet e Bashkimit Europian.

Dy rrugët dhe miliardat që qarkullohen

Kompania “Henley & Partners” jep dy oferta për klientët e saj. Oferta e parë është ajo e personit rezident. Për këtë program pagesat janë më të ulta dhe bashkë me to edhe përfitimet për klientët. Kartat e rezidentit u mundësojnë blerësve qëndrimin në vendin ku e blejnë këtë kartë, por lëvizshmëri të kufizuar fizike dhe të kapitalit në vendet e tjera.

Në këtë program, vetë “Henley & Partners” pranon se ka më shumë shtete që bashkëpunojnë me të, përfshirë këtu edhe Greqinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Programi i dytë është blerja e pasaportës. Këtu numri i vendeve që bashkëpunojnë me këtë kompani është më i kufizuar. Greqia dhe SHBA nuk janë. Ky program u mundëson klientëve të kompanisë pajisjen me pasaportën e vendit që ata dëshirojnë. Pagesat janë në varësi të marrëveshjeve individuale që “Henley & Partners” ka nënshkruar me shtetet përkatëse. Si shembull, në Maltë duhet të paguhet 1.2 mln euro dhe të ketë një plan investimi prej 2 mln eurosh të tjera në këmbim të marrjes së pasaportës, ndërsa në Qipro shifra është më e ulët, e po ashtu edhe detyrimi për të investuar.

Nuk dihet se në cilin program do të përfshihet Shqipëria, gjithnjë nëse kjo do të ndodhë. Nuk dihet gjithashtu as shuma se sa do të shitet pasaporta shqiptare dhe as mënyra, apo kontrata që po mendon qeveria shqiptare. Por, sërish në media qarkullon një variant sipas të cilit shteti shqiptar do t’i ofrojë një formë PPP-je 50 me 50 “Henley & Partners”. Pra, për të shpjeguar më thjeshtë, nëse shteti shqiptar vendos që nesër të shesë një pasaportë për 1 mln euro, atëherë 500 mijë euro do të shkojnë në arkën e shtetit dhe 500 mijë euro të tjera në xhepat e kompanisë në fjalë.

Në pamje të parë duket joshëse, por rastet kur skema të tilla janë miratuar dhe më pas anuluar për shkak të abuzimeve dhe korrupsionit nuk mungojnë. Rasti më i freskët është Moldavia, që u detyrua të heqë dorë për shkak të veprimtarisë së dyshimtë të personave që përfituan shtetësinë moldave dhe dyshimeve se pas kompanive që vepronin si seksere në ofrimin e këtij shërbimi për klientë të majmë qëndronte Rusia.

 

Më Shumë