Analize

Sfidat e 36-vjeçarit Dritan Abazoviç, kryeministrit të parë shqiptar në Malin e Zi

Mali i Zi ka tanimë qeverinë e pakicës që drejtohet nga kryeministri 36-vjeçar, Dritan Abazoviç. Por jo shumë malazezë e mbështesin modelin e një qeverie të pakicës.

Mali i Zi, vendi më i vogël ballkanik kërkon të orientohet nga BE. Ky vend ka tanimë qeverinë e pakicës që në të ardhmen do të drejtohet nga kryeministri 36-vjeçar, Dritan Abazoviç. 

45 nga 48 deputetë të pranishëm në parlament votuan të enjten në mbrëmje për krijimin e një qeverie pro-perëndimore, ndërsa 36 deputetë nuk morën pjesë në votim.

Koaliconi i përzierë me Të Gjelbrit, socialdemokratët, partitë etnike të shqiptarëve dhe boshnjakëve dhe një partie pro-serbe është i varur nga presidenti i vendit nga partia, DPS, Milo Gjukanoviç.

Sfida të mëdha

“Shteti ligjor dhe zhvillimi ekonomik do të jenë shtyllat kryesore të qeverisë së re”, tha Abazoviç gjatë prezantimit të programit të tij para votimit.

Kabineti i tij do të veprojë kundër korrupsionit dhe “zhbllokimit të institucioneve” dhe do të çojë përpara negociatat për anëtarësimin në BE.

Qeveria e mëparshme e përbërë kryesisht nga parti pro-serbe dhe pro-ruse u shpërbë pas grindjeve të brendshme pas një viti e gjysmë. Reformat e kërkuara nga Brukseli këto kohë kanë ngecur.

Seanca parlamentare ishte vendosur të zhvillohej në kryeqytetin historic, Cetinje. Deputetët e partive të tjera pro-serbe e bojkotuan atë.

Marko Pejoviç, analist i institutit politik, Cedem në Podgoricë është shprehur, se koalicioni i ri nuk do të ketë jetëgjatësi.

“Nëse një qeveria është e varur nga mbështetja e 30 nga 46 deputetët dhe këta 30 janë pjesë e një partie që vetë nuk është pjesë e qeverisë dhe kundër të cilëve, Abazoviç ka bërë politikë kundërshtare këto vite, atëherë mund ta përfytyrosh, se sa e stabilizuar do të jetë kjo qeveri”, është shprehur Pejoviç për portalin “euronews.rs”.

Me shumë gjasa kjo qeveri do të shërbejë për përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme në të njëjtën kohë me zgjedhjet presidenciale në vitin 2023. 

Sipas një sondazhi të fundit vetëm 14% e qytetarëve e mbështesin një qeveri të tillë të pakicës, 51% janë për zgjedhje të parakohshme.

Kush është Dritan Abazoviç?

Ai lindi më 25.12.1985 në Ulqin. U rrit në qytetin e lindjes, ku e përfundoi shkollën fillore dhe gjimnazin. Gjatë shkollës së mesme themeloi grupin rinor të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, i cili për fokus të veprimtarisë kishte pajtimin e të rinjve në zonat post-konfliktuoze të ish-Jugosllavisë.

Në vitin 2004, Abazoviç ndoqi studimet ne Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës.

Titullin politolog i diplomuar e fitoi tre vjet më vonë, duke përfunduar fakultetin katërvjeçar në afat rekord për vetëm dy vjet e shtatë muaj.

Ishte studenti më i mirë i gjeneratës, si dhe fitues i Medaljes së Artë dhe Mirënjohjes së Artë të Universitetit të Sarajevës.

Studimet e magjistraturës i regjistroi në vitin 2007 në Universitetin e Malit të Zi, në degën e marrëdhënieve ndërkombëtare në Fakultetin e Shkencave Politike.

Disertacionin e doktoratës në degën e teorisë politike, me temë “Politika globale – aspektet etike të globalizimit” e mbrojti në vitin 2019 në Fakultetin e Shkencave Politike në Sarajevë.

Funksionet që ka mbajtur

Nënkryetar i Qeverisë së Malit të Zi 2020 -  Kryetar i Këshillit për Luftë Kundër Korrupsionit në Nivel të Lartë 2021, Kryetar i Këshillit për të Drejtat e Fëmijës 2021,   Shef i Byrosë për Koordinim Operativ 2021,   Kryetar i Komisionit për Sistem Politik 2021, Deputet në Kuvendin e Malit të Zi 2012 – 2020

Karriera politike e Abazoviç

Dritan Abazoviç u përfshi mjaft herët në jetën politike të Malit të Zi. Ishte themelues i partisë politike qytetare Mali i Zi Pozitiv në maj të vitit 2012. Në zgjedhjet parlamentare të të njëjtin vit, Mali i Zi Pozitiv fitoi shtatë mandate në Kuvendin e Malit të Zi.

Abazoviç ishte deputeti më i ri në Parlamentin malazez, e pas kësaj edhe njëri ndër deputetët më aktivë në Kuvend. Mirëpo, në vitin 2014 erdhi deri te largimi i qëndrimeve në mes Abazoviçit dhe udhëheqjes së partisë dhe ai së bashku me shumicën e anëtarëve lëshoi Malin e Zi Pozitiv dhe në Kuvendin e Malit të Zi veproi si deputet i pavarur.

Në fillim të vitit 2015 themeloi URA-n, lëvizjen qytetare integraliste politike. Në zgjedhjet parlamentare, të cilat në Mal të Zi u mbajtën në vitin 2016, URA ishte pjesë e “Koalicionit të Madh – Çelësi”.

Abazoviç u rizgjodh deputet në Kuvendin e Malit të Zi. Mbahen mend grindjet e tij të hapura me deputetët dhe liderin e partisë në pushtet, Partisë Demokratike të Socialistëve, kur për shkak të aferave të shumta kërkoi dorëheqjen e Kryeministrit të atëhershëm të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.

Në Kongresin e lëvizjes URA, i cili u mbajt në prill të vitit 2017, Abazoviç u zgjodh kryetar, post të cilin e mban edhe sot.

Është përfaqësuesi i parë i një populli pakicë, i cili u zgjodh në krye të një partie qytetare në historinë e jetës parlamentare të Malit të Zi.

E afirmoi konsiderueshëm partinë në planin ndërkombëtar dhe rajonal, ndërsa vlen të përmendet se një nga sukseset më të rëndësishme në karrierën e tij politike është fakti që në korrik të vitit 2020, në Kongresin e të Gjelbërve të Evropës, URA është bërë partia e parë opozitare në Malin e Zi të pavarur, e cila u bë pjesë e ndonjërës nga familjet e partive europiane.

Në mesin e korrikut të vitit 2020, URA i prezantoi opinionit platformën “E zeza në të bardhë”, e cila tuboi njerëzit mendimlirë dhe subjektet si CIVIS, Forumi i Bokës dhe Partia e Drejtësisë dhe Pajtimit.

Ky program nënkuptoi disa pika kyçe për përmirësimin e standardit jetësor të të gjithë qytetarëve të Malit të Zi.

Disa nga këto pika janë: krijimi i shtetit të së drejtës dhe beteja pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reforma e sistemit ekonomik, sistemin e arsimit dhe sistemin shëndetësor, si dhe mbrojtja e mjedisit jetësor dhe zhvillimi i qëndrueshëm.

Abazoviç u zgjodh bartës i listës “E zeza në të bardhë”, e cila morri pjesë në zgjedhjet parlamentare të cilat u mbajtën në fund të gushtit të vitit 2020.

Gjatë fushatës parazgjedhore, foli shpesh për idetë që avokojnë, si dhe për strategjitë të cilat dëshirojnë t’i zbatojnë nëse fitojnë besimin e qytetarëve.

Synimi i politikës së përfaqësuar nga Abazoviçi është Mali i Zi qytetar, evropian dhe ekologjik.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë