Arsim

Senati i UT: Të pavlefshme vendimet e Mynyr Konit. Reagon Rektori

Senati i Universitetit të Tiranës i ka konsideruar të pavlefshme shkarkimet e anëtarëve të KIZ. Po ashtu edhe shkarkimi i kryetares së Komisionit Insitucional të Zgjedhjeve është i pavlefshëm.

Në një letër të hapur Mynur Koni ka reaguar për vendimin e fundit të Senatit të Universitetit të Tiranës.

Koni thote se është vërtetuar dhe një herë se cilët janë autorët dhe bashkautorët, që kanë mbështeur këtë situatë. Sipas tij procesi i zgjedhjeve pa studentët është  një proces i paligjshëm dhe autoritetet drejtuese të fakulteteve të Universitetit të Tiranës, janë informuar për këtë shkelje flagrante, ata kanë vazhduar t’i mbështesin.

“Kjo nuk tregon gjë tjetër veçse pasigurinë dhe frikën e tyre, për të marrë pjesë në një garë të ndershme, sipas ligjit dhe rregullave të përcaktuara në Rregulloren e Zgjedhjeve të UT.  Janë pikërisht këta persona që me porositë apo urdhrat e tyre, mësuan, drejtuan apo detyruan edhe këta 5 (pesë) ish personel akademik të UT, kontratat e punës të të cilëve, i janë ndërprerë në mënyrë të menjëhershme, për arsye të justifikuar, nga Rektori i UT, si autoriteti drejtues më i lartë akademik në institucion, që ligji i arsimit të lartë 80/2015, në nenin 39, pika 5 të tij, i ka dhënë kompetencën e nënshkrimit të kontratave të punës me personelin akademik, dhe jo vetëm,” shkruan Koni.

Më tej Koni i është drejtuar me një thirrje studentëve që të konsultohen me Rregulloren e Zgjedhjeve ne UT për t ë kuptuar më mirë procesin zgjedhor.

“Do të kërkoja të vlerësonit maksimalisht procesin zgjedhor që do të zhvillohet në UT, si një proces kaq të rëndësishëm për institucionin; të jeni aktiv në këtë proces, edhe duke aplikuar për autoritete drejtuese dhe anëtarë të Senatit Akademik të UT, edhe duke marrë pjesë gjerësisht në procesin e votimit, për të sjellë në këtë mënyrë, frymë dhe mendësi të re në institucion.  Ju siguroj se, në cilësinë e Rektorit të UT, do të bëj të gjitha përpjekjet ligjore dhe institucionale, me qëllim që në Universitetin e Tiranës, të zhvillohet një proces zgjedhor i ligjshëm, transparent dhe gjithëpërfshirës,” përfundon letrën rektori.

Rektori Koni bazohej në tre vendime.
Së pari tek neni 39 pika 5 e ligjit për arsimin e lartë, që thotë tekstualisht që “Rektori nënshkruan kontratat e punës të personelit akademik dhe ndihmës akademik në institucionet e arsimit të lartë”.
Pika e dytë është neni 34 pika 1/b e statutit të Universitetit të Tiranës, ku përforcohet parashikimi i ligjit për arsimin e lartë.
Pika e fundit që citoi Mynyr Koni ishte rregullorja e brendshme e funksionimit të Universitetit të Tiranës. Në pikën 3 të nenit 30 të kësaj rregulloreje thuhet tekstualisht se “Rektori ka të drejtë të japë të gjitha masat disiplinore, si vërejtje, pezullim dhe deri në largim nga puna”.

Më herët rektori Mynyr Koni kishte shkarkuar nga detyra të gjithë anëtarët e KIZ, për akuzën se kishin kryer shkelje të akteve ligjore. Koni, shkarkoi pedagogët anëtarë dhe kryetarë të Komisionit Institucional të Zgjedhjeve. Të shkarkuarit ishin Majlinda Keta, kryetare e këtij Komisioni dhe anëtarët Bernard Dosti, Ardian Doka, Orjona Muçollari dhe Eglantina Gishti. Koni i akuzoi pedagogët në fjalë se kanë shpërfilluar urdhrat e tij dhe në mënyrë të paligjshme pretendonin që të zhvillonin procese zgjedhore në UT.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë