Arsim

Miratohet vendimi, shkollat artistike me status të veçantë, ato speciale kthehen në qendra burimore

Nga Gazeta Si- Ministria e Arsimit, Ogerta Manastirliu, në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së qeverisë, deklaroi se shkollave artistike do t’u jepet statusi i veçantë. Ministrja theksoi se këto shkolla do të kenë edhe mbështetje të dedikuar për të rritur performancën dhe interesin.

“Shkollat artistike dhe sportive do t’u jepet status i veçantë. Fëmijët në shkollat artistike do të kenë kurrikul të posaçme që do të adaptohet sipas kërkesave dhe organizim specifik të këtyre qendrave dhe shkollave të fokusuar jo vetëm në mbështetjen e stafeve të këtyre shkollave por edhe nivel autonomie për burimet financiare, kapacitetet dhe të gjithë atyre mësuesve të fushave të ndryshme që i përkasin orientimit artistik dhe sportiv”, tha Manastirliu.

Në këto shkolla përfitojnë mbi 2700 nxënës. Këto shkolla do të mbështeten nëpërmjet formave të reja të menaxhimit, duke iu përshtatur kritereve që duhet të plotësojnë. Shkollat, si liceu artistik apo shkolla e baletit do të kenë mundësinë që të riorganizohen duke përfituar statusin e veçantë dhe do të kenë mbështetje të dedikuar buxhetore për të rritur performancën e tyre.

Vendimi tjetër ka të bëjë me transformimin e shkollave speciale për personat me aftësi të kufizuar në qendra burimore, struktura që ofrojnë jo vetëm shërbime arsimi por rehabilituese. Do të ofrohen trajnime dhe edukim në vazhdim për personelin mësimor, për të mundësuar që personeli të kenë kurrikula të dedikuara, plane të personalizuara për fëmijët me aftësi ndryshe në bazë të specifikave.

“Do të shtojmë numrin e mësuesve të dedikuar por edhe figura të reja brenda këtyre shkollave”, tha Manastirliu.

Në Shqipëri janë 7 shkolla speciale dhe dy institute, instituti i nxënësve që nuk dëgjojnë dhe i nxënësve që nuk shikojnë.

Më herët, kur ish-ministrja e Arsimit Evis Kushi prezantoi ndryshimet në ligjin e arsimit parauniversitar tha se kanë një bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë për të ofruar përkujdesje sociale dhe shëndetësore.

“Do ketë punonjës që nuk janë me patjetër vetëm mësues. Qendrat burimore do të funksionojnë me një strukturë të re, kurrikul të re dhe mënyrë funksionimi të re”, tha Kushi asokohe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë