Lajme

BSh: Kriza e Covid duhet përballur nga qeveria

Duke e konsideruar situatën të jashtëzakonshme dhe të paprecedentë në terma ekonomikë dhe monetarë, guvernatori Gent Sejko është shprehur se borxhi është e vetmja alternativë për të patur likuiditet dhe për tu ruajtur ekulibrat ekonomikë dhe financiarë për të përballuar situatën dhe për të rimëkëmbur ekonominë.

Gjatë prezantimit të raportit vjetor të Bankës së Shqipërisë përmes internetit, guvernatori ka thënë se “politika fiskale duhet të vijojë të luajë një rol primar për përballimin e situatës.  Garantimi i fondeve të nevojshme për sistemin shëndetësor, ndihma financiare për punonjësit e prekur, si dhe masat për përmirësimin e likuiditetit të biznesit, nënkuptojnë rritje të borxhit publik por janë dhe mbeten të pazëvendësueshme.  Në rrethanat që ndodhemi, rritja e borxhit është një kosto e pranueshme për të garantuar ruajtjen e ekuilibrave ekonomikë dhe financiare.”

Banka e Shqipërisë, u shpreh guvernatori, do të vazhdojë të ndjekë një politikë monetare stimuluese, të kombinuar me një mbikëqyrje dhe rregullim të kujdesshëm të sektorit bankar. Nga njëra anë, stimuli monetar – i lëvruar në kohën e duhur dhe i bazuar në instrumentet që mundëson kuadri ligjor i Bankës së Shqipërisë dhe nevojat e tregut shqiptar – do të krijojë premisa për nxitjen e kërkesës dhe për reduktimin e kostove financiare. Nga ana tjetër, mbikëqyrja dhe rregullimi i kujdesshëm i sektorit bankar, sipas tij, do të orientohen drejt ruajtjes së treguesve të shëndetit të tij dhe drejt ruajtjes së kursimeve të familjeve shqiptare.

Po ashtu, sektori privat duhet të jetë i gatshëm për të rishikuar modelin e biznesit, për të adoptuar forma novatore dhe eficiente prodhimi dhe duhet të kujdeset për menaxhimin optimal të likuiditetit dhe për një shpërndarje sa më efektive të kostove të goditjes në zinxhirët e prodhimit, për të mundësuar riaktivizimin sa më të shpejtë të tyre me përfundimin e pandemisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë