Mendim

Samitit të BE-së sot i mungoi diçka

Nga Gazeta "Si"-A do të ishte rikthyer buzëqeshja sot në samitin e BE-së në Tiranë, aq shpejt, pas atij frustrimi të tre muajve më parë në Bruksel nëse Rusia nuk do ta kishte sulmuar Ukrainën?!

Charles Michel, Presidenti i Këshillit Europian dhe Ursula Von der Leyen , Presidente e Komisionit Europian, thanë sot se agresioni  “skandaloz “ i Rusisë ndaj Ukrainës ishte një moment vendimtar që ndryshoi rrjedhën e zakonshme” të marrëdhënieve të Unionit me vendet e Ballkanit Perendimor që ishin futur në tunel, pa dritë në fund të tij

Rreth tre muaj më parë  të zhytur në zymtësinë e reve të zeza që frynin nga Moska dhe një frustrimi ballkanik për shkak të ngecjeve së negociatave të anëtarësimit, Unioni u gjet mes dy zjarresh: nga miqtë dhe armiqtë e tij, dhe një kotësi vendimesh.

Përshpejtimi i agresionit, vrasjet dhe dëshmorët e Ukrainës, kriza e fortë e energjisë dhe ushqimeve  e detyruan BE-së të ripozicionohej edhe një njëherë tek vlerat e saj përbashkuese të cilat i ndriçuan një tjetër rrugë për t’iu afruar Ballkanit.

“Faktet janë fakte, lufta ishte ngjarje vendimtare por perdja u hap dhe ja ku jemi”- tha sot i gëzuar në Tiranë presidenti Michel që përkufizoi këtë samit, të parin jashtë kufijve të Unionit si konfirmim i një fryme të re bashkëpunimi.

Ai dhe Von der Leyen dhe për gjithçka ata përfaqësojnë megjithëse  kishin mundësi t’ju kursenin kohën,  nervat dhe zhgënjimet e ballkanasve nuk mund të bënin më shumë se çfarë të ofron  historia.

Ata e kishin të vështirë të besonin e të parashihnin përtej disa kornizave tradicionale.

Edhe nën ndikimin e liderëve ballkanik, sot BE-ja ka modifikuar paska procesin nën sloganin “nuk kemi pse të presim integrimin kur disa përfitime apo  procese brenda procesit të madh mund të bëhen më aktive”. P.sh të tilla ishin projekti për Roaming me tarifa zero, projekti për universitetet digjitale me akses të pakufizuar, paketa financiare prej 500 mln euro etj.

Megjithëse këto projekte janë të vogla për të  cekur dimensionet e vërteta e të mëdha të integrimit mjaftuan për t’i ç’tensionuar marrëdhëniet dhe për të rikthyer besimin dhe buzëqeshjen.

Me inatet e veta të justifikuara që shpesh tingëllonin primitive shtetet e Ballkanit Perëndimor patën ndikim e tyre. Por forca që shkundi BE-në për një qasje më dashamirëse, më mirëkuptuese dhe përfituese ishte Ukraina.

BE e pa se çfarë mund t’i ngjasë një vendi nëse lihet i vetëm në ëndrrën dhe vendimet  e pavarura për t’ju bashkuar familjes europiane.  Ukraina po e paguan me gjak dhe shumë dhimbje.

 Nëse Ballkani do të mbetej vetëm ndoshta do të jetonte me  fate të ngjashme dhe kjo ishte ëndrra më e keqe që i zgjoi nga tmerri europianët.

Gjithë ky proces reflektimi i vonuar e ka një kosto të cilët ballkanasit  ishin mësuar ta skedulonin duke ja faturuar si borxh BE-së por janë ukrainasit ata që vunë gjakun si kolateral.

Janë ata që po paguajnë shumë shtrenjtë me jetët e tyre ndaj  Samiti i  Tiranës duhet të ishte sot jo vetëm një moment pajtimi por dhe një moment reflektimi i thellë dhe mirnjohjeje përulëse për Ukrainë.  

Rusia na dha pa dashje avantazhe në tryezën e negociatave për integrimin por  Ukraina i dha nderin Ballkanit i cili deri pari luftës kishte arritur në pikën e mëshirës.

...Kur ishte në foton e grupit Rama tha se po dëgjonte shumë prej tyre “dielli, dielli, i mrekullueshëm pas 10 ditësh mot Brukseli”,

“Kështu që çfarë mund të bëjmë më shumë ne”. Ishte deklarata më realiste dhe e sinqertë e Edi Ramës. Ndoshta e vetmja në atë Samit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë