Politike

Nga grantet për energjinë, tek lufta ndaj migracionit të paligjshëm, çfarë u konfirmua në samitin e BE-së me Ballkanin Perëndimor

Pas katër orësh samit, liderët e BE-së dhe vendet e Ballkanit Perëndimor firmosën një deklaratë të përbashkët prej 32 pikash që më shumë ishte konfirmim i projekteve të filluara me fokus fonde për energjinë, tarifa më të lira celulare mes vendeve te Unionit dhe rajonit, kampuse të reja për të rinjtë, apo edhe fakti që studentët shqiptarë mund të studiojnë nga vendi i tyre në universitete europiane, lufta ndaj migracionit të paligjshëm si dhe forcimi i përpjekjeve për sulmet kibernetike përmes fondesh të posaçme.

Dhe në fund një përshëndetje e liderëve të BE-së për mënyrën se si Tirana organizoi Samitin, një detaj që nuk u anashkalua as në konferencën e përbashkët mes kryeministrit Edi Rama dhe drejtuesve te BE-së, Ursula Von der Leyen dhe Charles Michel.

Foto nga deklarata e perbashket BE-Ballkani Perendimor

Fondet për energjinë

Paketa e re e BE-së e Mbështetjes për Energjinë, me një vlerë prej 1 miliardë euro në grante synon të ndihmojë Ballkanin Perëndimor në zbutjen e ndikimit të krizës energjetike dhe të përshpejtojë tranzicionin energjetik në rajon. Kjo paketë u rikonfirmua edhe gjatë Samitit.  

Ashtu siç e renditi edhe Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen   paketa financohet nëpërmjet IPA-s dhe përmban masa të menjëhershme, afatshkurtra dhe afatmesme për t’u dhënë ndihmë qytetarëve dhe bizneseve në Ballkanin Perëndimor.

Konkretisht 500 milionë euro në formë grantesh do të shkojnë për mbështetjen e menjëhershme të familjeve të cenueshme dhe ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla.  

500 milionë euro të tjera në grante do t’i kushtohen investimeve në mbështetje të tranzicionit energjetik dhe pavarësisë energjetike, për të financuar përmirësimet në infrastrukturën e gazit dhe elektricitetit dhe në interkonektorët ku përfshihen projektet e reja për energjinë e përtëritshme, masat për eficiencën energjetike, përmirësimet në sistemet e transmetimit të energjisë, ngrohjen qendrore urbane dhe skemat për të përmirësuar eficiencën energjetike të apartamenteve në ndërtesat e vjetra.

Zbatimi i vazhdueshëm i Planit Ekonomik dhe të Investimit i Agjendave të Gjelbra dhe Digjitale për Ballkanin Perëndimor ishte një tjetër konfirmim i samitit.

Ky plan parashikon 30 miliardë euro për rajonin, të përbëra nga 9 miliardë euro financim me grante nga IPA III dhe deri në 20 miliardë euro në investime, të mobilizuara nga Instrumenti i ri i Garancisë së Ballkanit Perëndimor.

Ndërkohë, sapo është miratuar një paketë e re me 400 milionë euro në grante nga BE-ja për të financuar 12 projekte investimesh.

Bujqësia

BE-ja do të vijojë gjithashtu mbështetjen e saj për sektorin e bujqësisë.

Për këtë të fundit, në fillim të këtij viti u miratua kontributi i BE-së prej 560 milionë euro për periudhën e ardhshme shtatë vjeçare.

Ukraina dhe Integrimi

Samiti vuri në dukje në deklaratën e përbashkët se, “përshkallëzimi i luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës po vë në rrezik paqen dhe sigurinë evropiane dhe globale dhe nënvizon rëndësinë e partneritetit strategjik midis BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor”.

Për këtë arsye,  BE-ja ripohoi angazhimin e saj ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe bën thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit. Një mesazh ky i përçuar edhe në konferencën e përbashkët mes Edi Ramës, Ursula Von der Leyen dhe Charles Michel.

Por Bashkimi Evropian nënvizoi nevojën për përpjekje të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për rritjen e mbështetjes për qeverisjen e mirë, për të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe për të drejtat e personave që u përkasin pakicave.

BE-ja rikujton rëndësinë e vazhdimit të reformave, në veçanti atyre që lidhen me pavarësinë dhe funksionimin e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Të rinjtë

BE-ja përshëndet gjithashtu angazhimin e Partnerëve për të vazhduar punën e tyre për zbatimin e agjendës së Ballkanit Perëndimor për inovacionin, kërkimin, arsimin, kulturën, rininë dhe sportet.

Në këtë drejtim, kryeministri Edi Rama tha ndër të tjera gjatë konferencës për shtyp:  “ Në një moment kur të jenë përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme, studentët tanë mund të studiojnë prej këtej në universitetet e Evropës në mënyrë digjitale. Kjo ishte diçka që deri më sot ishte e mundur vetëm po të ishe anëtar... Diskutuam dhe morëm mbështetjen plotë të udhëheqësve për të pasur në Tiranë kampusin e Kolegjit të Evropës në Bruzh. Një universitet me reputacion mjaft të lartë. Është koha që këtë kampus ta ngremë në Tiranë”

 Dixhitalizimi

Në fushën digjitale, u ra dakord për uljen e parë të kostove të roaming-ut midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në vitin 2023, me synimin për t’i hequr ato plotësisht më pas.

Kërcenimet kibernetike

Duke qenë se kërcënimet kibernetike nuk njohin kufij, BE- vendet e Ballkanit Perëndimor u angazhuan për të rritur sigurinë kolektive kibernetike.

Korsitë “blu”

BE përshëndet gjithashtu progresin në zbatimin e Korsive të Gjelbra BE-Ballkani Perëndimor dhe u bë thirrje për zbatimin e tyre në të gjithë kufijtë përkatës, duke respektuar ndërkaq acquis-në dhe procedurat e BE-së. Përveç kësaj u përshëndet ngritja e nismës “Korsitë Blu” që do të përmirësojë lidhjet tregtare midis porteve të Adriatikut.

Migracioni

Rrugët e migracionit në Ballkanin Perëndimor kanë parë rritje të ndjeshme që nga fillimi i vitit 2022. Menaxhimi i migracionit mbetet sfidë dhe përgjegjësi e përbashkët, të cilën BE-ja dhe Ballkani Perëndimor do ta trajtojnë së bashku, në partneritet të ngushtë, një synim i përmendur gjatë konferencës për shtyp edhe nga Ursula Von der Leyen

Për këtë qëllim, BE-ja ka rritur ndjeshëm mbështetjen e saj financiare për rajonin me më shumë se 170 milionë euro asistencë dypalëshe dhe rajonale të ofruar tashmë në kuadrin e IPA III.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë