Ngjarje

Profile e faqe të rreme propagande, Facebook mbyll mbi 300 llogari të muxhahedinëve në Shqipëri

300 llogari personale, faqe dhe grupe që operoheshin nga përdorues me bazë Shqipërinë janë fshirë nga Facebook dhe Instagram për shkelje të politikave dhe kushteve të përdorimit të dy platformave sociale më të mëdha në botë.

Shifra është dhënë në buletinin mujor të aktiviteteve të dyshimta, që Facebook bëri publike për muajin mars.

“Hoqëm nga rrjetet mbi 300 llogari, faqe dhe grupe nga Facebook dhe Instagram, të cilat drejtoheshin nga ajo që dukej si një “fermë karremi” propagande të muxhahedinëve iranianë në Shqipëri”, thotë Facebook.

Shënjestër e aktivitetit të këtyre faqeve, llogarive dhe grupeve ka qenë kryesisht publiku iranian dhe ai ndërkombëtar duke propaganduar agjendën e muxhahedinëve, që njihen ndërkombëtarisht si opozita e regjimit të ajatollahëve në Iran.

Në total, numri i këtyre llogarive, faqeve dhe grupeve që funksiononin të ndërlidhura me njëra-tjetrën kishte një numër ndjekësish që shkonte deri në 150 mijë vetë. Por çfarë zbuloi Facebook? Kompania thotë se ra në gjurmët e këtij aktiviteti pasi zbuloi në tre raste të ndryshme aktivitete të dyshimta nga profile të rreme që operoheshin nga muxhahedinët nga Shqipëria.

Nga hetimi i thelluar, inxhinierët dhe ekspertët e sigurisë së Facebook dhe Instagram kanë zbuluar se ky rrjet kishte kulmin e aktivitetit të tij propagandistik në vitin 2017 dhe në gjysmën e dytë të 2020-ës.

Njerëzit që qëndronin pas këtij rrjeti në aktivitetin e tyre ndërthurnin përdorimin e llogarive origjinale me llogari të rreme për të komentuar në postimet e lidhura me MEK-un dhe në postimet e organizatave mediatike ndërkombëtare, si Radio Liria, BBC dhe Zëri i Amerikës.

“Kjo do të thotë se një person operonte llogari të shumëfishta përmes kompjuterave dhe telefonave. Këto janë shtyllat e asaj që quhet fermë karremi, ku në të njëjtin vend një grup operatorësh menaxhojnë bashkërisht profile e llogari të rreme në përpjekje për të rritur ndikimin për kauzën e tyre”, thuhet në raportin e Facebook.

Facebook thotë se shumica e llogarive të rreme përdorinin si foto, ose video imazhe të këngëtarëve e aktorëve iranianë, apo të disidentëve të vdekur, por nuk mungonin foto të marra nga interneti të fëmijëve, ndërsa shumë prej tyre kanë pësuar ndryshim të shpeshtë të emrit.

Facebook citon në raportin e vet faktin se muxhahedinët janë të strehuar në kampin e ngritur pranë Manzës në Shqipëri dhe raportimet e disa mediave për aktivitetin e tyre, duke u ndalur te dëshmitë publike të disa ish-anëtarëve të MEK, që thonë se ata përdornin para në dorë për të blerë kompjuterat me qëllim propagandën në rrjet.

“Na thonin se pajisjet që blinin për organizatën ishin armët dhe postimet në rrjetet sociale ishin plumbat me të cilët godisnim armikun”, thuhet në një prej këtyre dëshmive.

Sipas Facebook, pjesa më e madhe e llogarive të rreme janë krijuar nga 2014 deri në 2016-ën, periudhë kur u përmbyll zhvendosja e të gjithë anëtarëve të MEK nga Iraku në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë