Ngjarje

“Ashraf 3”, rrugëtimi i muxhahedinëve nga Iraku në Manzë

Muxhahedinët iranianë të MEK e përfunduan ndërtimin e kampit të tyre në Manzë, duke e pagëzuar me emrin “Ashraf 3”. Në përurimin e kësaj "qyteze" ishte edhe drejtuesja e kësaj organizate, të shpallur terroriste nga Irani dhe Iraku, Maryam Rajavi , e cila vetë jeton në Francë.

MEK (shkurtim për Mojaheden e-Khalq që do të thotë Muxhahedinët e Popullit) konsiderohen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si opozita e regjimit iranian dhe vetë strehimi i tyre në Shqipëri u bë përmes një marrëveshjeje me SHBA.

Pjesëtarët e MEK strehoheshin që prej fundit të viteve 1980 në Irak, ku kishin ndërtuar edhe bazën e tyre, një qytet fortesë ushtarake të quajtur Ashraf, me vendndodhje 40 kilometra në veri të Bagdadit. Anëtarët e parë të këtij grupimi mbërritën nga Iraku në Shqipëri në pranverën e vitit 2013, si pjesë e një marrëveshjeje ku Shqipëria zotohej të strehonte një grup prej këtyre luftëtarëve, por jo të gjithë ata që jetonin në Irak.

Plani i ndërkombëtarëve ishte shpërndarja e këtij grupimi në disa vende, për t’i shpëtuar nga sulmet e vazhdueshme që ndërmerrnin ndaj tyre autoritetet irakiane. Por, asnjë vend tjetër nuk pranoi që të strehojë anëtarët e MEK. Në 2014, Shqipëria pranoi që të marrë edhe pjesën tjetër të luftëtarëve të MEK të mbetur në Irak, rreth 2 mijë prej tyre. Në vitin 2016, rreth 3 mijë muxhahedinët ndodheshin në Shqipëri, të shpërndarë në dy qendra strehimi të përkohshme të vendosura në zonën e Kasharit, pranë Tiranës.

Paralelisht me operacionin e zhvendosjes së tyre drejt vendit tonë, në Manzë të Durrësit kishte nisur puna për ndërtimin e kampit që do t’i grumbullonte që të gjithë në një “qytet”. Në 2017 Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit dhe lejen për ndërtimin e këtij kampi, megjithëse puna kisha filluar pak më herët.

Çfarë janë muxhahedinët iranianë?

Muxhahedinët iraniane përfaqësojnë një lëvizje opozitare në mërgim, që synon rrëzimin e Republikës Islamike të Iranit. Ajo u themelua në vitin 1965 nga një grup studentësh si një lëvizje komuniste, që kishte për qëllim kryesor rrëzimin e regjimit të Shahut.

Objektivi për rrëzimin e Shahut, sipas disa materialeve të kohës, e pa të rreshtuar shpesh në aleancë me lëvizjet islamike të udhëhequr nga Ajatollah Khomenei. Rrëzimi i Shahut nxorri në pah armiqësinë e thellë mes dy grupimeve. Ajo që pasoi ishte vendosja e Republikës Islamike. Muxhahedinët e kundërshtuan dhe nisën aksionet luftarake duke sulmuar gardën, zyrtarët dhe mbështetësit e Ajatollahut.

Rezistenca pasoi një ofensivë masive të Republikës Islamike ndaj kundërshtarëve të rinj të saj. Si pasojë e këtyre operacioneve, në vitin 1981, pjesa më e madhe e drejtuesve dhe luftëtarëve të MEK ishin larguar në drejtim të Francës. Në vitin 1982 Ashraf Rajavi, ish e burgosur politike në kohën e regjimit të Shahut dhe gruaja e parë e Massoud Rajavi, një prej themeluesve dhe drejtuesve kryesorë të MEK, mbeti e vrarë nga Garda Revolucionare e Iranit.

Në luftën që shpërtheu mes Iranit dhe Irakut, MEK u rreshtua në krah të Saddam Husseinit, duke humbur plotësisht popullaritetin që gëzonte brenda në Iran. Në vitin 1986, MEK nisi ngritjen e bazave të veta në Irakun veri-lindor dhe në bashkëpunim me Saddam Hussein ndërmerrnin shpesh sulme në kufirin mes dy vendeve.

MEK nisi përforcimin e kampit që mori emrin“Ashraf”, për nder të Ashraf Rajavit, të vrarë nga regjimit i Ajatollahut dhe nga këtu u përdorën nga Saddam Hussein jo vetëm si presion kundër Iranit, por edhe në shtypjen e protestave popullore që shpërthyen kundër tij në Irak pas luftës me Kuvajtin. Aktivizimi si “krah i armatosur” i diktatorit irakian e futën në listën e organizatave terroriste nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera të Bashkimit Europian.

Si përfunduan në Manzë?

Në vitin 2003, kur SHBA ndërhyu ushtarakisht në Irak, MEK ishte në listën e objektivave ushtarake, së bashku me shënjestrat e tjera të ushtrisë së Saddam Hussein. Drejtuesit e MEK u vunë në kontakte me palën amerikane dhe arritën që të nënshkruajnë një marrëveshje, ku muxhahedinët dorëzuan armët.

Kampi “Ashraf” u vu nën kontrollin e amerikanëve, dhe pas verifikimeve në terren, OKB dhe SHBA u dhanë banorëve të këtij kampi statusin e refugjatëve të mbrojtur. Në 2011, SHBA e dorëzon kampin tek qeveria irakiane. Këtu nisin peripecitë më të mëdha për Muxhahedinët.

Brenda këtij viti një seri sulmesh të ushtrisë dhe policisë irakiane lanë pas dhjetra të vdekur dhe qindra të plagosur. Drejtuesit e MEK ngritën zërin dhe kërkuan ndalimin e sulmeve. Qeveria irakiane mohonte se kishte dorë në sulmet në fjalë, por përfshirja e saj u provua nga një hetim i OKB-së. Kapaku u vendos në tetor të 2011, kur në të njëjtën kohë që kryeministri irakian Nuri al-Maliki vizitonte Teheranin, kampi i MEK sulmohej, duke lënë të paktën 10 persona të vrarë.

Me ndërmjetësimin e SHBA dhe të OKB, MEK u zhvendos në një tjetër kamp, të quajtur “Liberty”. Por, kampi i ri ishte i ndërtuar me kapanone, pa një fortifikim dhe këtu drejtuesit e opozitës iraniane deklaronin se ishin më të kërcënuar se kurrë. Ata kërkonin rikthimin në “Ashraf”, që kundërshtohej nga qeveria e Irakut.

Nën presionin e Irakut për t’i larguar, shpesh edhe duke u prerë e reduktuar furnizimin me ujë, ushqime dhe ilaçe bazë dhe të SHBA për të shmangur një katastrofë humanitare u gjet një rrugë e mesme. Rruga e Mesme ishte zhvendosja e anëtarëve të MEK në vende të treta. Fillimisht plani ishte zhvendosja e tyre në disa vende, mes të cilave edhe Shqipëria.

Hillary Clinton vizitoi Shqipërinë si Sekretare e Shtetit më 1 nëntor të 2012, ku zhvilloi takim edhe me Kryeministrin e asaj kohe, Sali Berisha

Strehimi i tyre besohet se Shqipërisë i është propozuar në nëntor të 2012, gjatë kohës kur në Tiranë ndalej Hillary Clinton, në atë kohë Sekretare e Shtetit. Berisha njoftonte në fillim të 2013, pak para zgjedhjeve të përgjithshme se Shqipëria kishte pranuar të strehojë 210 muxhahedinë.

Por, asnjë vend tjetër nuk doli vullnetar për të strehuar në territorin e vet anëtarë të një organizate që deri në 2009 ishte në listën e organizatave terroriste të Perëndimit dhe në listën e organizatave terroriste të Iranit dhe Irakut. Vendimi i Shqipërisë u kritikua nga Irani, që tha se Tirana po strehonte elementë të rrezikshëm.

Në 2016, Shqipëria vendos të strehojë të gjithë muxhahedinët që ndodheshin ende në Irak. Ata u vendosën përkohësisht në apartamentet e marra me qira në pallatet e reja të vendosura përgjatë Unazës së Re në zonën e Yzberishit dhe pranë një godine përballë City Park në autostradën Tiranë-Durrës.

Incidentet në Shqipëri

Mediat kanë raportuar disa incidente ku janë përfshirë pjesëtarë të MEK të strehuar në vendin tonë. Në gusht të 2018, u raportua se pjesëtarë të këtij komuniteti kishin dhunuar një grup xhirimi britanik, që po filmonte kampin e Manzës nga jashtë rrethimit të tij.

Përplasja u konfirmua nga vetë MEK përmes një deklarate publike.

“Të premten, më 10 gusht, 2018, një ekip televiziv me tre persona, në mënyrë të fshehtë e pa njoftim paraprak, filmoi dhe fotografoi brenda vendbanimit të anëtarëve të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI-MEK), refugjatë në Shqipëri, nga një vend ngjitur. Agjentë vendas shqiptarë të sigurisë, të cilët e pikasën këtë akt të dyshimtë e të jashtëligjshëm i kërkuan të mos filmonin dhe t’ua dorëzonin filmimet. Por anëtarët e ekipit, të cilët u prezantuan si britanikë që punojnë për televizionin britanik Channel 4 TV, e shpërfillën këtë kërkesë dhe vazhduan punën derisa erdhi policia shqiptare dhe i shoqëroi për në rajonin e policisë”, thuhej në komunikatë.

MEK e justifikonte këtë reagim të anëtarëve të saj me faktin se filmimet e kampeve dhe të anëtarëve të saj përfundojnë më pas në zyrat e Ministrisë iraniane të Inteligjencës, që i përdor më vonë për të denigruar muxhahedinët dhe kauzën e tyre për një Iran të lirë.

Por, në deklaratë pretendimet se janë dhunuar gazetarët, kameramani dhe përkthyesi shqiptar i grupit britanik të xhirimit janë cilësuar si të gënjeshtra.

“Personi i parë që pretendoi se reporteri është rrahur ishte Massoud Khodabandeh, agjenti iranian i inteligjencës. Kështu që origjina e këtij pretendimi është Ministria iraniane e Inteligjencës. Për më tepër, nëse personat e sigurisë të cilët, bazuar në këshillën e qeverisë shqiptare, janë atje për mbrojtje, do të kishin bërë ndonjë gjë gabim, policia do t’i kishte ndaluar ata dhe jo reporterët. Gënjeshtrat dhe mbledhja e informatave rreth kompleksit të MeK janë pjesë e përgatitjes së terrenit për sulmet terroriste kundër refugjatëve iranianë. Në mënyrë të ngjashme, në mars një komplot terrorist kundër kompleksit të tyre rezidencial u parandalua dhe dy “reporterë” iranianë u arrestuan”, vijonte deklarata.

Për ngjarjen në fjalë, Report TV informonte se Shërbimi Informativ Shtetëror kishte vënë në dijeni ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, Kryeministrin Edi Rama dhe ambasadën britanike në Tiranë.

Në të njëjtën periudhë, Pandeli Majko, ministër për Diasporën zbulonte për “Fox News” se shërbimet amerikane i kishin këshilluar të përforconte sigurinë, pasi rrezikohej nga aktiviteti i shërbimeve inteligjente iraniane. Majko deklaronte në këtë intervistë për rrjetin mediatik amerikan se qëllimi i Iranit ishte destabilizimi i vendeve të Europës, përmes sulmeve terroriste.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë