Njerez

… Në Manzë, aty ku shqiptarët bashkëjetojnë të ndarë me muxhahedinët…

Për iranianët e kampit Ashraf-3, në Manzë, deklarata e bërë nga policia shqiptare se kishte neutralizuar një sulm terrorist që shënjestronte ata në mars të vitit 2018, nuk ishte një risi. Ata e dinë mirë që prej më shumë se tre dekadash janë në qendër të sulmeve të tilla të regjimit iranian. Po për banorët e zonës?

Askujt mes vendasve nuk i kishte shkuar ndonjëherë në mendje se fjala “terrorizëm” do të përmendej në media në të njëjtën fjali me emrin e Manzës, ndaj deklarata ka shtuar disi dozat e panikut, e njëkohësisht edhe të heshtjes para gazetarëve.

Fjalët “muxhahedin” dhe “iranian” në qytezën e vogël, që para 2015 gëzonte statusin e komunës, janë thuajse tabu. Banorët të shmangin sapo u drejtohesh me pyetje që lidhen me kampin dhe bashkëjetesën mes tyre dhe anëtarëve të MEK-ut.

“Ne nuk dimë gjë. Nuk na kanë bërë as mirë dhe as keq. Ata shohin punën e tyre ne shohim punën tonë”, thotë për Gazetën “Si” një 25-vjeçar, pronar-kamarier në njërin prej bareve modeste në qendër të qytezës.

Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, Manza dhe fshatrat përreth saj kanë rreth 6500 banorë. Numri i iranianëve që strehohen në kampin “Ashraf-3”, më pak se një kilometër në jug të qytezës, është rreth 3 mijë. Pra, bëhet fjalë për një rritje me afërsisht 50 për qind të popullsisë në këtë zonë. Në një situatë normale kjo do të përkthehej në rritje të konsumit dhe rrjedhimisht më shumë të ardhurave për bizneset dhe banorët vendas.

Por nuk ndodh kështu.

Në Manzë, gazeta "Si" Tetor 2019, fotograf : Arben Çeli

“Ata nuk blejnë gjë këtu. Në dyqanin tim nuk ka hyrë asnjëherë asnjë iranian, qoftë për të blerë paketë, apo ndonjë gjë tjetër”, tregon pronarja-shitëse në një pikë shitje cigaresh, që funksionon njëkohësisht edhe për rimbushje elektronike.

Përgjigje me të njëjtin thelb të përsëriten në të gjithë dyqanet e marketet e tjera të qytezës, ku gjithsesi nuk mungojnë edhe ata më të “guximshmit”. “Për bela na i sollën këtu. Asgjë tjetër!”, thotë një pensionist që e mbyll me kaq dhe largohet.

Banorët rrëfejnë se rrallëherë shohin grupe me 3 ose më shumë iranianë që dalin në qytezë, por duke shmangur kontaktin me ta. “As ulen gjëkundi, as blejnë gjëkundi. Vetëm kalojnë ecin, madje ka nga ata që ecin në këmbë deri tek Gjiri i Lalëzit”, thonë ata.

Por ardhja e iranianëve në këtë zonë nuk ka qenë “bela” për të gjithë. Ka nga ata që kanë përfituar. Vehbiu pret që të dalë në pension në dhjetor të këtij viti. Thotë se i ka paguar të gjitha detyrimet, madje në dorën e fundit rreth 4 mln lekë, para që deklaron se i ka marrë nga shitja e rreth 600 metër/katrorë tokë që nuk përfshihet drejtpërdrejtë nga kampi “Ashraf-3”, por që kufizon me gardhin rrethues të këtij kampi.

“E kam tokën nga ana e detit (perëndim), jo këtej nga rruga. Kur nisën punimet për ndërtimin e kampit u hapën llafe se do të ndërtohej një bazë e NATO-s. Shkonim mirë. Unë kam hyrë brenda në kamp disa herë për punë të vogla. Kishte edhe banorë të tjerë të zonës që punuan, madje ca punojnë ende, po me ditë. Varet kur kanë ata (iranianët) ndonjë punë për të bërë”, thotë ai.

Si Vehbiu janë disa familje që kanë shitur pronat e tyre, por jo të gjithë me të njëjtin çmim. Banorët thonë për Gazetën “Si” se ata që i kanë pasur tokat pranë rrugës që të çon për në Gjirin e Lalëzit kanë qenë më fatlumë. Në këtë anë tokat janë shitur deri në 15 mln lekë për dynym, ndërsa në anën e kundërt, çmimi ka rënë deri në 8 mln lekë për dynym.

Megjithatë, jo gjithçka është blerë. Iranianët marrin edhe me qira, siç kanë vepruar me një ndërtesë thuajse përballë hyrjes kryesore të kampit, që dikur ka shërbyer si servis makinash. Sot, të njëjtin ambient anëtarët e MEK e shfrytëzojnë për të shkarkuar dhe kontrolluar me imtësi të gjitha llojet e mallrave dhe materialeve, edhe atyre ushqimore që hyjnë në kamp. Me të njëjtën metodë, pra përmes qirasë, është mbyllur edhe aktiviteti i një biznesi bar-restorant në krah, pasi cenonte perimetrin e sigurisë së kampit.

Gazeta “Si” u përpoq që të kontaktonte me të zotët e bar-restorantit të mbyllur, por e kishte të pamundur.

Nga larg, brenda kampit shquhen pa shumë vështirësi poligonët e qitjes, të ndërtuar së fundmi, ku mendohet se iranianët stërviten. Veç tyre dallohen edhe godinat e tjera, si fjetoret, apo sallat e mbledhjeve. Por jo e gjithë hapësira është e mbushur me ndërtesa. Në hyrje të derës kryesore të kampit vihet re se pavarësisht gjithçkaje, iranianët mundohen që të shfrytëzojnë në maksimum hapësirat brenda kampit, duke iu përshtatur vendit dhe duke e mbjellë me fruta dhe perime.

Por të mësuar me shkretëtirën dhe klimën irakiane, ku u strehuan për vite me radhë, për iranianët toka pjellore e Manzës është e panjohur dhe akoma më e panjohur klima dhe rritja e kulturave mesdhetare. Për këtë arsye punët që kryejnë aktualisht më shpesh shqiptarët brenda kampit janë kultivimi i bimëve bujqësore kundrejt një pagese që nuk shkon më shumë se 10 mijë lek të vjetra në ditë.

“Shqiptarët kanë mbjellë domate, qepë, tranguj. Për ata (iranianët) këto janë të panjohura, nuk dinë, as t’i mbjellin, as t’i rrisin”, na tregon pa dashje një prej rojeve private të sigurisë, që qëndron jashtë perimetrit rrethues të kampit, të cilit menjëherë i tërheqin vëmendjen për të mos folur me gazetarët.

Por jo gjithcka ka shkuar “paqësisht” me banorët vendas. Në 2018 pati një përplasje mes disa banorëve dhe muxhahedinëve. Banorët kërkonin që në varrezat e fshatit të mos varrosej një anëtare e opozitës iraniane që kishte ndërruar jetë brenda kampit të Manzës. Kjo bëri që iranianët të kërkojnë një varrezë të tyren.

Masa ekstreme sigurie

Kërcënimi që buron nga regjimi iranian dhe nga famëkeqja Ministria e Inteligjencës e Teheranit, për muxhahedinët e strehuar në Shqipëri është i përhershëm, ndaj për ta neutralizimi i një sulmi terrorist në mars të 2018 nuk përbën lajm, të paktën jo aq sa për shqiptarët.

Megjithatë, masat e sigurisë janë përforcuar pas këtij lajmi. Shërbimet e sigurisë së një kompanie private, që qëndrojnë në hyrje të derës kryesore vëzhgojnë me kujdes çdo lëvizje të dyshimtë. Të dyshimta u vlerësuan edhe lëvizjet me makinë të stafit të Gazetës “Si”. Ne po ecnim me një shpejtësi minimale përballë hyrjes qendrore të kampit, duke tërhequr vëmendjen e rojeve private që na u afruan menjëherë.

Anëtarë të MEK me ngjyrat e flamurit iranian gjatë përurimit të kampit "Ashraf-3". Gazeta Si, 25 tetor 2019

Na kërkuan mjetet identifikimit dhe përballë rezistencës tonë, duke u thënë se dokumentet e identifikimit mund të na i kërkonte vetëm Policia e Shtetit, na lanë dy mundësi; ose të bashkëpunonim me ta, ose targat e automjetit tonë të referoheshin në polici dhe tek Antiterrori si “të dyshimtë”.

Për t’i kursyer kohë vetes vendosëm që të bashkëpunonim dhe si media na u premtua takimi me përfaqësues iranianë me kusht që më parë të dorëzonim kartat e identitetit që të verifikoheshin nga zyra iraniane brenda kampit, e cila bashkëpunon ngushtësisht me institucionet ligjzbatuese shqiptare.

Pas pritjes për një kohë relativisht të gjatë në paradhomën e ndërtuar për “të panjohurit” jashtë territorit të kampit, mbërritën tre përfaqësues të iranianëve me lajmin që “përfaqësuesi i medias, për momentin nuk ndodhej në kamp” dhe se për të shkrepur foto të kampit, edhe nga jashtë tij na duhej që më parë të merrnim një autorizim, që “për momentin nuk ishte i mundur”.

Marrja e informacionit nga brenda kampit është e kufizuar, por ka banorë të Manzës që deklarojnë se shpesh muxhahedinët i kanë ftuar nëpër mbrëmjet festive që kanë organizuar në më shumë se një rast.

Drejtuesja e MEK, Maryam Rajavi dhe avokati i Donald Trump, Rudi Giuliani

Statusi i iranianëve në vendin tonë është ai i azilantit politik. Që prej majit të 2013, kur mbërritën përfaqësuesit e parë të tyre në vendin tonë, si pjesë e një marrëveshjeje me SHBA, “sekreti” dhe kujdesi për të mos rënë shumë në sy janë kryefjala e vendimeve dhe veprimeve të tyre.

Deri në fund të 2018 shumë prej tyre strehoheshin në periferi të Tiranës, në apartamente të marra me qira në zonën e Unazës së Re, apo tek ambientet e një ish-universiteti privat të vendosur pranë qendrës tregtare City Park.

Kampi “Ashraf-3” u përurua në korrik të këtij viti, në një ceremoni ku morën pjesë kongresistë amerikanë dhe ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, njohur si avokati i Donald Trump, Rudy Giuliani. Vetëm në raste ceremonish të tilla bëhen publike nga ambientet e brendshme të kampit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë