Interviste

Administrata Trump, mirënjohje Shqipërisë për strehimin e muxhahedinëve

Avokati i presidentit amerikan ka deklaruar në një intervistë nga kampi i opozitës iraniane në Manzë se Administrata Trump ka respekt dhe mirënjohje të jashtëzakonshme për Shqipërinë.

Më 13 korrik, anëtarët e MEK inaguruan zyrtarisht selinë e tyre në Shqipëri, të quajtur 'Ashraf 3' dhe ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut Rudy Guliani, i cili është edhe miku i ngushtë i presidentit amerikan, ishe një nga të ftuarit në këtë ceremoni.

Ish kryebashkiaku ka qenë një kritik i zëshëm i Republikës Islamike dhe ka marrë pjesë në shumë konferenca të MEK. Ai u ndal edhe tek kriza politike në Shqipëri duke deklaruar se pavarësisht përplasjeve, politikanët shqiptarë kanë të njëjtin qendrim ndaj opozitës iraniane.

Në një interviste nga Manza me Radio Farda ai ka folur për qendrimin e Administratës Trump ndaj Iranit dhe qendrimin sipas tij "zhgënjyes" të aktorëve europianë.

A mund të thoni qëllimet dhe arritjet e kësaj ceremonie?

Mendoj se ky tubim është më optimist nga mbledhjet e mëparshme dhe unë kam qenë në 11 prej tyre. Kjo ceremoni u quajt Irani i Lirë 2019, dhe njerëzit këtu janë optimistë dhe të vendosur se do ta shembin regjimin e terrorit që ka marrë peng Iranin që prej 40 vjetësh dhe ka vrarë mbi 300,000-400,000 njerëz. Këtij regjimi duhet të vijë fundi. Krimet kundër njerëzimit janë shumë të mëdha për të lejuar që ky regjim të vazhdojë të ekzistojë më. Udhëheqësit iranianë duhet të rrëzohen dhe të ndiqen penalisht për krime kundër njerëzimit. Ata duhet të ndiqen penalisht për vrasje.

Duke pasur parasysh tensionin aktual midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, si mendoni se do të ndikojnë këto përplasje në marrëdhëniet SHBA-Europë?

Ka njerëz këtu nga Kanadaja, Britania e Madhe, Amerika e Jugut, Franca, Gjermania, Italia dhe Shqipëria, natyrisht, sepse ata janë mikpritës. Kam respektin maksimal për Shqipërinë. Partia në pushtet dhe opozita që janë në një betejë mjaft të ashpër politike, por bien dakord për statusin e refugjatëve iranianë këtu. Shqipëria më shumë se shumica e vendeve evropiane është ngritur kundër regjimit iranian. Unë do t'i thoja Evropës se ne kemi shumë njerëz nga vendet tuaja që mbështesin një Iran të lirë dhe janë të gatshëm të dalin kundër këtij regjimi.

Rudy Guliani

Cili është qëndrimi juaj ndaj përpjekjeve të Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar për të zgjidhur problemet me Iranin në mënyrë diplomatike?

Nuk jam kundër diplomacisë, madje jam shumë në favor të diplomacisë. Unë jam kundër të bërit biznes me Iranin dhe për këtë kam shumë arsye. Unë jam kundër të bërit biznes me vrasësit në masë. Për mua është shumë e çuditshme dhe shumë hutuese dhe shqetësuese që në një kontinent që u pushtua nga nazizmi, nuk ka më dëshirë për të parë Iranin siç ka qenë më parë.

A mendoni se prania juaj në këtë takim ka ndonjë ndikim te Presidenti e miku juaj Donald Trump?

Këto janë pikëpamjet që kam pasur për 30 vitet e fundit, dhe sigurisht në 11 vitet e fundit kam qenë shumë aktiv, shumë kohë para se Trump të bëhej president. Isha shumë i zëshëm në kritikat e mia ndaj Presidentit Barak Obama dhe marrëveshjes së pamatur që bëri me Iranin. Unë isha mbështetës i të gjithë atyre që mbajtën një pozitë të fortë duke luftuar regjimin duke u përpjekur ta privojnë atë nga financat dhe paratë, duke përfshirë Presidentin Trump, i cili ka qenë shumë heroik në atë që ai ka bërë. Senatori Joe Lieberman, i cili është demokrat, e vlerësoi Presidentin Trump sot për largimin nga marrëveshja e pakujdesishme bërthamore dhe vënien e këtyre grupeve terroriste në listën terroriste. Kjo është ajo që Presidenti Obama nuk e bëri. Unë jam avokati i Presidentit Trump dhe unë jam miku i tij, por këto janë pikëpamjet e mia personale politike dhe unë i kam pasur për 30 vjet.

Cilat janë mendimet tuaja për figurat e tjera të opozitës si Reza Pahlavi? A jeni të gatshëm ta përkrahni, po ashtu?

Natyrisht unë jam. Unë jam i gatshëm të flas me këdo që dëshiron të shohë ndryshimin e regjimit në Iran. Unë jam i gatshëm të flas me ata, unë jam i gatshëm të bëj atë që mundem. Mendoj se MEK është e ardhmja e Iranit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë