Ushqim

Salmonin në Shqipëri po e hamë gjithnjë e më shumë. Por a i dinit të mirat e të këqijat e tij? Flasin ekspertët

“Salmoni ruhet dy javë, jo më shumë, madje dhe po të duam ta ruajmë më shumë nuk mundemi sepse prishet.” Kështu i thotë Gazetës "Si" Nesti, një nga kuzhinierët e një restoranti që shërben sushi në Tiranë.

Ai na tregoi se salmoni është një trend për shqiptarët, sidomos në restorante luksoze të Tiranës ku preferohet shumë, por jo të gjithë janë të vetëdijshëm për rreziqet që paraqet konsumimi i këtij peshku.

“Ka dy lloje salmoni: të egër dhe të kultivuar! Salmoni i egër është më i rekomandueshëm pasi ai ushqehet me ushqime të egra që gjenden në mjedisin natyror, ndërsa salmoni i kultivuar me ushqim të përpunuar dhe me yndyrë të lartë, në mënyrë që të rritet më shumë”, i thotë shef Nesti.
Salmoni i kultivuar është shumë më i lartë në yndyrë, përmban pak më shumë Omega-3, më shumë acide yndyrore Omega-6 dhe 3 herë më shumë sasi të yndyrës së ngopur.

Shef Nesti

Por si ruhet salmoni në dyqanet dhe restorantet e Tiranës?
Gazeta “Si” foli më Endrin, pronarin e një dyqani që shet peshk të freskët në Rrugën "Mine Peza" në Tiranë. Ai thotë se salmoni vjen kryesisht nga Norvegjia dhe “nëse dikush thotë se e kap në Shqipëri, nuk është e vërtetë.”
“Pasi filetohet, salmoni ruhet në peshqir të lagur dhe futet në kuti druri me akull, në mënyrë që të mos prishet. Njerëzit e blejnë shumë”, na tregon Endri.

Shumica prej nesh dimë vetëm se salmoni ka Omega-3, ndërsa nutricionistja Anila Kalleshi na shpjegon se salmoni është një nga burimet më të mira të acideve yndyrore Omega-3 (EPA) acidit eicosapentaenoic dhe acidit docosahexaenoic (DHA).

Ajo vazhdon të na shpjegojë se EPA dhe DHA lidhen me një sërë benefitesh shëndetësore, si reduktimi i inflamacionit, ulja e presionit të gjakut, reduktimin e rrezikut për shfaqjen e kancerit dhe përmirësimin e funksionit të qelizave që vijëzohen në arterien tonë. Gjithashtu, salmoni është i pasur dhe në proteina që janë esenciale. Proteina luan një sërë funksionesh të rëndësishme në trup, si për shembull ju ndihmon të shëroni trupin tuaj nga plagët, mbron shëndetin e kockave dhe ju ndihmon të mbani masën muskulare gjatë humbjes së peshës dhe procesit të plakjes. Astaxanthina është një antë krijojë ato." tha Anila. Ajo vazhdon të na shpjegojë se EPA dhe DHAstaxanthina është një antioksidant që gjendet në salmon që mund të sjellë benefite për zemrën, trurin, sistemin nervor dhe shëndetin e lëkurës. Konsumi i shpeshtë i salmonit mund tju ndihmojë të reduktoni simptomat e ankthit dhe depresionit si dhe të reduktojë rrezikun e problemeve që lidhen me memorien si pasojë e moshës.

Anila Kalleshi, nutricioniste

Por përveç përfitimeve, cilat janë disa nga rreziqet potenciale që sjell konsumi i shpeshtë i salmonit?
"Salmoni nuk rekomandohet të konsumohet çdo ditë pasi mund të përmbajë sasi të moderuara të mërkurit dhe disa përbërjeve të tjera," thotë Kalleshi.
Si rezultat, nuk mund të konsumohet më shumë se 4 herë në javë. Ushqimet që kanë potencial për të pasur përmbajtje të lartë mërkuri mund të jenë të dëmshme për një grua nëse ajo është shtatzënë. Gjatë shtatzanisë rekomandohet që femrat të mos konsumojnë më shumë se 2 porcione peshk në javë.
"Ndotësit kryesisht gjenden në lëkurë dhe në yndyrën e dukshme, prandaj shpeshherë rekomandohet që ta konsumoni salmonin pa lëkurë", përfundon nutricionistja.

Ndërkohë ka shumë studime që thonë se salmoni shkakton Hepatitin B. Gazeta "Si" kontaktoi me mjekun Pëllumb Pipero i cili na tha se deri tani nuk ka asnjë të dhënë që thotë se salmoni shkakton Hepatit B.

"Deri tani nuk e kam dëgjuar diçka të tillë", tha Pipero.

Sido që të jetë, me të mirat dhe të këqijat e tij, salmoni ka nisur të preferohet shumë nga shqiptarët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë